Rrezikohet fondi i vlerave të rralla në Bibliotekë: “Humbja e tij- katastrofë kombëtare”

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) nënvizoi se auditimi i kryer së fundmi nuk gjeti asnjë përmirësim në raport

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë edhe pas dy incidenteve të ndodhura vite më parë me një përmbytje dhe një zjarr në mjediset e saj vijon të mbetet në të njëjtat kushte.

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) nënvizoi se auditimi i kryer së fundmi nuk gjeti asnjë përmirësim në raport me atë të mbajtur 6 vite më parë. Përkundrazi godina është amortizuar edhe më shumë. Ndërkohë në anën tjetër risku është rritur. Për KLSH-në ajo që përbën problem serioz është sidomos mungesa e hapësirave dhe kushteve në të cilat ruhet sot fondi i vlerave të rralla. Duke theksuar kështu se humbja e tij do të ishte katastrofë kombëtare.

“Ajo që është shqetësuese është se edhe sot pas 6-vitesh nga auditimi i fundit situata vazhdon e njëjtë dhe më problematike pasi sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë amortizohet ndërtesa, duke sjellë një risk të lartë si në rënien e zjarrit ashtu edhe në përmbytjen e katit të parë, ku ruhet edhe fondi i vlerave të rralla, që për vetë rëndësinë që ai ka do të ishte “katastrofë kombëtare” humbja e tij.

Që prej vitit 1986 është ndjerë mungesa e hapësirës për të vendosur materialet e bibliotekës në fond. Kjo ka detyruar që jashtë çdo standardi botëror të gjenden zgjidhje provizore të natyrave të ndryshme:

Materialet bibliotekare nuk vendosen në rafte. Ato vendosen në dysheme.
Fondi i vlerave të rralla (antikuar dhe dorëshkrime) vendoset pjesërisht në arka metalike jashtë çdo normative e standardi ndërkombëtar”, thuhet në dokumentin e KLSH.

Në tërësi audituesit kanë konstatuar se shërbimi bibliotekar dhe veçanërisht Biblioteka Kombëtare e ushtron aktivitetin e saj në kushte të vështira. Në kushte jo të denja për një institucion të tillë që është simbol të kulturës kombëtare. Problemet janë të shumta duke nisur nga kriza e hapësirave për librat tek mungesa e hapësirave për lexuesit. Pastaj mungesa e hapësirave për personelin dhe punonjësit.

Një element i rëndësishëm i marrë në analizë ka qenë ecuria e procesit të digjitalizimit. Kjo gjë përbën sfidën teknologjike të Bibliotekës Kombëtare. Por, hapat që janë hedhur nuk kanë pasur përcaktime të qarta mbi objektivat duke e bërë të vështirë vlerësimin ndër vite.

Duket se edhe autoritetet e lidhur me bibliotekën nuk kanë qenë efektive.

“Këshilli Shkencor dhe Këshilli Administrativ i Bibliotekës rezulton të kenë qenë joefektiv, duke mos përmbushur detyrat e tyre funksionale në kundërshtim me nenin 16 dhe 17 të Statutit të BK miratuar me Urdhër nr.70, datë 13.02.2015, si dhe nenin 6 të Rregullores nr.136, më datë 15.09.2010 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Bibliotekës Kombëtare’, duke sjellë mungesë në gjurmën e auditimit, mungesë të planeve të veprimtarisë studimore dhe mungesë të efiçiencës, efektivitetit dhe ekonomicitetit të aktivitetit të BK-së, në procesin e digjitalizimit” thuhet në auditim. /Monitor

_______________________

Lexo edhe:

BIBLIOTEKA MINIATURË QË NAPOLEONI E MBANTE ME VETE NË FUSHATA USHTARAKE