Rruga studimore e profesorit Shaban Demiraj

Prof. Xhevat Lloshi

Qysh në ditën e parë të sivjetme akademiku Shaban Demiraj do të mbushte 100 vjet. Nuk do të paraqes me këtë rast përgjithësisht jetën dhe veprën e këtij studiuesi serioz dhe me dorë të sigurt, sepse ato janë dhënë në mjaft shkrime të tjera kushtuar atij, ashtu siç ndodh që më të gjallë me një personalitet të shquar në fushën e vet; për lexuesit po rikujtoj vetëm dy botime të fundit, ku jepen të dhënat për të: “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” (2008) dhe “Leksikonin. Gjuhëtarë shqiptarë dhe albanologë” (2012) nga profesorët Artan Haxhi dhe Tefë Topalli.

Për profesorin Shaban Demiraj ishte e natyrshme, që në hapat e parë të merrej me gjuhën e autorëve kryesorë të së kaluarës. Kështu, shfaqja e parë e këtij gjuhëtari në shtypin shkencor është punimi për gjuhën e Jul Varibobës (1953). Ky ishte një autor arbëresh, por gjatë punimit janë bërë vijimisht krahasime edhe me tekstet e shkrimtarëve të vjetër, duke nisur me Gjon Buzukun. Përfundimi kryesor ishte se veprat e letërsisë arbëreshe “bashkë me veprat e shkrimtarëve tanë të vjetër dhe me të folurit e Arbëreshëve të Greqisë janë një mbështetje e mirë për të njohur gjendjen e gjuhës sonë në shekujt e fundit të Mesjetës, si dhe afërinë midis dialekteve kryesore të shqipes në të kaluarën”.

Autori i dytë që mori në vështrim ishte Sami Frashëri (1955).Këtë radhë vëmendja ishte përqendruar te leksiku në tekstet shqipe të enciklopedistit shqiptar. Emrat e prejardhur me ndajshtesa, mbiemrat e emërzuar, kompozitat dhe fjalë të tjera janë shqyrtuar për të arritur në përfundimin e përgjithshëm, se Samiu, për të plotësuar nevojat leksikore, kishte ndjekur tri rrugë kryesore të pasurimit të gjuhës: neologjizmat nga brumi i gjuhës ose kalkimet, rikuptimësimi i fjalëve dhe huazimi. Këto janë quajtur rrugët e zakonshme të pasurimit të gjuhëve. Sërish, me një pamje më të gjerë, leksemat përkatëse jo vetëm janë gjurmuar te Samiu, por edhe janë krahasuar me autorët e mëparshëm e në veçanti me K. Kristoforidhin. Prandaj ky do të ishte prej atëherë e deri më sot drejtimi më i frytshëm për studimin e historisë së shqipes të shkruar.

Vetëm një vit më vonë, më 1956, Sh. Demiraj përgatiti dy dispensat: Historia e gjuhës së shkruar shqipe. – Shekujt XVIII-XIX dhe Histora e gjuhës së shkruar të Arbëreshëvet të Italisë (Shekujt XVI-XIX). Pa u ndarë nga kjo rrugë, u ndal veçan te shekulli XIX me punimin Disa shënime rreth lëvrimit të gjuhës shqipe gjatë shekullit të XIX (1958).  Hovi i lëvrimit të shqipes gjatë tridhjetë vjetëve të fundit të shek. XIX është parë i lidhur ngushtë me zhvillimin e lëvizjes kombëtare shqiptare të Rilindjes. Janë vënë në dukje edhe autorët, që shkruan mbi baza nëndialektore dhe pa kujdes kundrejt huazimeve turke. Mendoj se Dhiata e re e vitit 1827 nuk do të quhej thjesht mbi bazë nëndialektore, ndërsa pesha e saj në historinë e shqipes është mjaft e madhe, po të mbajmë parasysh se u shfrytëzua gjerësisht gjatë atij shekulli edhe nga filologjia europiane. Mjafton të përmenden për këtë gjuhëtari i njohur Franz Bopp-i, i cili i ka marrë prej saj disa nga shembujt për të mbështetur natyrën indoeuropiane të shqipes, ndërsa albanologu ndër të parët J. G. von Hahn-i me atë tekst mësoi shqipen  dhe e ka cituar shpesh në fjalorin e veprës së tij të njohur Studime shqiptare (1854).

Bie në sy në këtë punim, se në vend të afërisë midis dialekteve kryesore të shqipes në të kaluarën, e cila ishte shquar te shkrimi i parë për Varibobën, tashti nxirren në pah “përpjekjet e disa shkrimtarëve për të afruar pak a shumë të dy dialektet e shqipes në shkrimet e tyre”. Një formulim më i saktë do të ishte, se këto përpjekje bëheshin për të afruar variantet e ndryshme të shqipes së shkruar mbi bazën e njërit apo tjetrit dialekt. Për këtë janë shqyrtuar tri fusha. E para, puna e Kristoforidhit për një ortografi të përbashkët për të dy dialektet. Sërisht do ta përpikësoja se kjo ishte punë për një drejtshkrim sa më të afërt në variantet mbi bazën e dy dialekteve, sepse dialektet nuk kanë ortografi. E dyta, në fushën e morfologjisë vërehet të përdorurit (ose më mirë përfshirja) e disa formave morfologjike karakteristike për gegërishten, një synim i vetëdijshëm mbi bazën e bindjes për përbashkësinë e shqipes. E treta, Samiu, Naimi e Vretoja kanë përfshirë herë pas here edhe fjalë nga leksiku i gegërishtes. Me interes është edhe vëzhgimi, se disa autorë kanë përdorur pa ngurrim dhe fjalë të reja, që ishin krijuar prej këtij apo atij autori jugor. Do të shtoja këtu, se përgjithësisht neologjizmat, kalkimet dhe huazimet kanë ndikuar që të pakësohen përpjesëtimisht dallimet ndërmjet varianteve të shqipes së shkruar.

***

Lidhur me konstruktet ose me sintaksën është e kuptueshme, që autorët e atij shekulli do të shkruanin sipas modeleve të sintaksës popullore, por edhe do të ndienin ndikimin e sintaksës së gjuhëve të tjera. Puna këtu nuk është se: “në shkrimet e tyre të mëvonëshme erdhën duke i përpunuar e ndërlikuar gjithnjë e më shumë konstruktet e tyre e në këtë mënyrë erdhën duke u larguar pak a shumnë nga konstruktet e thjeshta, e nganjëherë të papërpunuara sa duhet, të sintaksës popullore.”  Ky zhvillim do të ndodhte, sepse tekstet e gjuhës së shkruar hap pas hapi do të përfshinin edhe fusha të tjera, si dituritë, historia, kultura dhe gjini letrare, që nuk janë të pranishme në gjuhën e folur. Pa u zgjatur hollësisht, mund të vë në dukje këtu, se edhe ndërmjet autorëve do të përvijoheshin ndryshime të dukshme. Kështu, me Faik Konicën nis një sintaksë e dallueshme nga ndërtimet kryesisht me bashkërenditje dhe më të thjeshta të prozës së Sami Frashërit. Me të drejtë këtë anë e vë në pah Sh. Demiraj te përfundimet, se: “Këto vepra, në të cilat trajtohen shpesh tema të vështira, që kërkojnë një gjuhë të punuar mirë, dëshmojnë sheshit për përpjekjet e mëdha, që kanë bërë shkrimtarët tanë të shekullit të kaluar për ta përpunuar gjuhën amëtare e për ta ngritur atë në nivelin e një gjuhe letrare të zhvilluar”.

Ndonëse prej kohësh është paraqitur mendimi, se nuk ka pasur një lëvizje puriste për gjuhën shqipe, unë do të pajtohesha me pohimin e Sh. Demirajt në këtë punim, që i quan puristë Veqilharxhin, Kristoforidhin, Naimin, Samiun e të tjerë. Ndërkaq, do të vija veçan në dukje, se Veqilharxhi, për shembull, ndonëse e ka thënë, që shqipja “ka marrë shumë fjalë e kuvise të huaja” dhe “e para e punës ish që si të munt të nxjer  fjal’ e kuviset e huaj, e mbë vënt të tyre të dërthtonj … të tjera nga vetime gjuhësë”, ai nuk është përpjekur ta pastrojë shqipen. Mund të duket i papritur ky konstatim, por mjafton të merren gjithë fjalët që ka në kllapa dhe u ka vënë një neologjizëm të pafat, dhe do të shihet se ato nuk ishin fjalë të shqipes, si p.sh. sofo, efkolia, protimise, iktizalie, jenikos, apofasis, eksodha, epikirisis, sqimatizo, formaro, thisiaso, filladha, fillotimi. Problemi i vërtetë i Veqilharxhit dhe i mjaft autorëve të tjerë në fillimet e shkrimeve të tyre nuk ka qenë pastrimi i shqipes, por lëvrimi i saj si gjuhë e shkruar. Veqilharxhi ishte në gjendje të shkruante mirë një tekst greqisht, por kur i duhej ta thoshte të njëjtën gjë shqip, ndeshte vështirësi dhe sajonte fjalë shqipe, si të thuash, gjatë përkthimit, dhe jo se kishte një traditë të teksteve shqipe me ato fjalë, që duheshin shqipëruar. Kjo vështirësi i ka dalë atij edhe gjatë përkthimit të teksteve shoqëruese të abetares së tij. Ndërsa për ato pak fjalë turqizma që ka, problemi ishte se ato përdoreshin në gjuhën e folur dhe përpjekja ishte, që të mos depërtonin në shqipen e shkruar. Realisht, të gjitha rastet e tij për t’i mënjanuar turqizmat nuk e kanë arritur synimin, sepse edhe sot janë në përdorim të përditshëm, prandaj është e domosdoshme të bëhet dallimi ndërmjet gjuhës së folur dhe gjuhës së shkruar.

Një shembull tjetër nga vëzhgimet e Sh. Demirajt e mbështet pohimin e mësipërm. Është marrë fjala “t’vetshm” e Ndre Logorecit në kuptimin e fjalës italiane “distinto” (te “T’mbledhunit e Dotrinës Kshten”, Romë, 1895). Këtë radhë ky autor shqiptar e mendonte tekstin drejt italisht, por shqetësimi ishte si ta shprehte shqip, por jo se në shqipen ishte fjala “distinto” dhe duhej pastruar shqipja prej saj.

Mund të shënoj, nga ana tjetër, se janë cituar turqizmat e vëna re nga O. Myderrizi në një dorëshkrim për gjuhën e K. Kristoforidhit, mirëpo këto kanë një histori tjetër. Gjenden në botimin e parë të “Katër kateqizmave” gegërisht (1867) këto fjalë: angari, gajle, hesap, kollaj, nahie, sejmen etj. (kandil është nga greqishtja), mirëpo këta turqizma janë përfshirë në tekstin e Kristoforidhit gjatë redaktimit nga ana e N. Serreqit, i cili kishte vënë të tilla fjalë edhe në përkthimin e parë të Katër ungjijve gegërisht. Në ribotimet e mëpastajme, pa ndërhyrjen e Serreqit, Kristoforidhi i ka fshirë pa ngurrim turqizmat dhe në botimin e “Katër kateqizmave” (1884) ka vetëm fjalët kurban dhe borxh në kllapa për ‘detyrë’, kurse në botimin toskërisht të vitit 1872 as këto nuk i kishte shtënë.

Në një grup të dytë Sh. Demiraj përfshin ata autorë, që nuk u kujdesën për ta pasuruar fjalorin e shqipes me fjalë të reja të nevojshme dhe këta ishin në radhë të parë të ashtuquajturit “bejtexhinj”. Do të ishte mirë ta mënjanonimn sot këtë emërtim, që ndonjëherë merret edhe me kuptim keqësues, dhe ata të quhen autorët orientalistë, ndërsa krijimtaria e tyre letërsi orientaliste. Në këtë rrymë letrare ishte pjesë e estetikës së ligjërimit të tyre poetik, që të përziheshin fjalë të gjuhëve të ndryshme. Ata e nisën krijimtarinë e tyre në gjuhët orientale, pastaj në këto krijime pak nga pak përfshinë edhe fjalë shqipe, derisa arritën të kalonin nga një letërsi orientaliste shqiptare në një letërsi orientaliste shqipe. Ata nuk e mbushën një krijimtari shqipe me fjalë orientale, por anasjelltas, në atë letërsi orientaliste hap pas hapi përfshinë edhe fjalë shqipe. Natyrisht, në një ecuri të tillë nuk do të kujdeseshin për pasurinë dhe pastërtinë e shqipes.

Pas këtyre punimeve Sh. Demiraj përgatiti tashmë për Universitetin dispensën Historia e gjuhës së shkruar shqipe me dy pjesë: për arbëreshët e Italisë dhe për shekullin XIX.  Në Bibliografinë e P. Dakëstë vitit 1975 përmendet në vitin 1968 si dispensë e shaptilografuar nga Drejtoria e Botimeve e USHT, si dhe ribotimi i saj më 1970 në Prishtinë. Ndërkaq, unë kam botimin e saj të parë gjashtë vjet më parë, në maj 1962, me tirazhin 500 kopje.Është përcaktuar si botim nga Katedra e gjuhës shqipe e Fakultetit Histori-Filologji. Ky botim nuk paraqitet as në Bibliografinë, që shoqëron programin e planifikuar, sipas të cilit do të mbahej një Konferencë shkencore me rastin e këtij viti jubilar, e cila për fat të keq nuk u arrit të bëhej. Gjithashtu në pjesën e kësaj Bibliografie të shkrimeve për Shaban Demirajn nuk është përfshirë edhe një artikull me titullin Historia e shqipes në dritën e një sinteze të re, që e kam botuar më 1987 për “Gramatikën historike të shqipes” të vitit 1986. Në atë artikull, ndër të tjera kisha shkruar, se dy idetë themelore të asaj vepre sintetizuese ishin: veçantia e shqipes si një ndër gjuhët më të vjetra të Europës, dhe evoluimi i saj i vazhdueshëm si përbërëse e vazhdimësisë  së shqiptarëve në trojet e tyre. Pas atij libri studiuesit i kanë tashmë të përpunuara me autoritet shkencor disa çështje themelore në këtë fushë të ndërlikuar dhe kështu u hapen mundësitë që të ecin më tej si në trajtimet për gramatikën, ashtu edhe për anët e tjera të kësaj dukurie historike, shoqërore e kulturore, siç është gjuha shqipe, pa të cilën populli ynë nuk do të kishte as emrin dhe as identitetin e vet kombëtar.

Pas ribotimit të dispensës, Sh. Demiraj ka marrë hap pas hapi të gjitha njësitë morfologjike të shqipe për të ardhur te vepra madhore “Gramatika historike e shqipes”. Vetëm rastësisht më tej është ndalur sërish te gjuha e ndonjë autori. 

***

Vështrimi i përgjithshëm i rrugës studimore të Sh. Demirajt na dëshmon se, me gjithë lidhjen e pashkëputshme ndërmjet tyre, gjithsesi në të dallohen dy anë kryesore. Së pari është historia e gjuhës shqipe. Ajo merret me fushën e evoluimit objektiv dhe spontan të shqipes. Në këtë rast etimologjia zë vend qendror, duke parë evoluimin e sistemit fonetik, të trajtave, të fjalëve dhe të ndërtimeve, prejardhjen e tyre mundësisht prej një periudhe sa më të lashtë, bashkë me shpërndarjen e tyre dialektore dhe me marrëdhëniet me gjuhët e tjera. Nga ana tjetër është historia e gjuhës së shkruar. Ajo merret me përzgjedhjen e sistemit fonetik dhe alfabetik, me pranimin e një pjese të trajtave, fjalëve e ndërtimeve dhe me ndërtimin, me krijimin e tyre ose edhe me huazimin e kalkimin e tyre. Ky është një evoluim jo spontan, në të cilin ka vend veprimtaria subjektive e autorëve, si edhe ndikimi i faktorëve jashtëgjuhësorë, siç janë orientimet shoqërore, kulturore dhe fetare. Etimologjia në këtë rast ka rol përjashtues, domethënë sipas orientimeve jashtëgjuhësore ajo përdoret për të përjashtuar ose për të pranuar elementët e sistemit që ndërtohet dhe në këtë rrjedhë etimologjia bëhet pjesë e asaj që quhet kultura e gjuhës, e cila gjithashtu në vetvete është një dukuri subjektive. Historia e gjuhës është gjurmimi i prejardhjes dhe i evoluimit të saj; historia e gjuhës së shkruar është gjurmimi i përzgjedhjes dhe i ndërtimit të saj. Nga përzgjedhja e varianteve në të gjitha nivelet e sistemit dhe nga pranimi i huazimeve ndërtohen jo një, por disa variante, dhe atëherë lind nevoja e zgjedhjes së një varianti, e një kodi. Historia e gjuhës është një diakroni, që shkon pas; historia e gjuhës së shkruar është një sinkroni, që kërkon mbështetjen te diakronia.

Nga kjo pikëpamje, studimet e Sh. Demirajt kanë nisur si histori e gjuhës së shkruar dhe me të drejtë ai ka gjurmuar variantet te autorët përkatës, ka hulumtuar ndikimet tek ata, duke vënë në dukje edhe se çfarë është e ndryshme nga ajo që quhet ‘natyra e shqipes’, si edhe neologjitë e tyre. Historia e gjuhës është rruga se si ka ardhur shqipja në një gjendje të caktuar, duke paraqitur interes të veçantë gjendja dialektore. Historia e gjuhës së shkruar është rruga se si është ndërtuar një variant i shqipes pikërisht për ta kapërcyer gjendjen dialektore. Rruga studimore e Sh. Demirajt është ecuria nga historia e gjuhës së shkruar drejt thellimit gjithnjë e më tepër në historinë e gjuhës shqipe.

Nuk mund t’i mbyll këto radhë pa një citim prej Shaban Demirajt, që dëshmon përfytyrimin e tij jo gjuhësisht të ngushtë, por të gjallë e historik për shqipen: Gjuha amtare është shenja dalluese më e rëndësishme e një populli. Në rastin e popullit shqiptar kjo shenjë dalluese kaq e rëndësishme ka luajtur një rol të dorës së parë në ruajtjen e identitetit të tij ndër shekuj. Stërgjyshërit tanë e kanë ruajtur gjuhën amtare si gjënë më të çmuar të trashëguar brez pas brezi nga të parët e tyre.

Të parët tanë kanë qenë krenarë për gjuhën amtare, të cilën e kanë zhvilluar e pasuruar me mençurinë e tyre dhe e kanë mbrojtur me këmbëngulje, ashtu siç kanë mbrojtur edhe lirinë dhe nderin e familjeve të tyre. (1987).