Ai ndodhej aty, një vend paksa i çuditshëm, por i njohur. Gjithmonë e dinte atë vend, ose të paktën ishte pikërisht ajo dhomë ku ulej në ëndër apo në realitet. Papritur u gjend në rrugë të madhe. Trupi filloi t’i deformohej, zëri po i trashej. Në një moment pështyma iu zu në grykë, a thua se diçka po i zinte frymën, kordat e zërit po i fikeshin dhe në ato çaste vetja iu duk i mbaruar.
Gjithmonë po e linin pas dore, dyert ia përplasin në fytyrë pa kurfarë mëshire. Ishte kthyer në një mjeran…pa lek në xhep. Flinte ku t’a gjente nata. Njerëzit kalonin afër tij, e shtynin, e pështynin…A thua ai nuk ishte si ata.
Papritur afër tij u afrua një njeri i veshur shik por me pamje monstre. Trupi i përngjante njeriut, kurse fytyrën ia rrethonte një egërsi. Sytë e shqyer dhe nofulla e dalë të ngjallte krupë. Për çudi njerëzit i përkuleshin sikur ai të ishte një perëndi.
Ndjeu dorën e tij të ftohtë, zërin e akullt që i fliste. Ky çelës është fati jot. Provoje luksin tënd shtoi ai duke nxjerrë dhëmbët e tij si çakall. Ai rrëmbeu çelësin dhe hapi portën pa menduar gjatë.
Njeriu-mostër i foli përsëri: këto janë pasqyrat ku t’i do zgjedhësh vetëm një. Në pasqyrën e parë pa veten të hijshëm me plot pasuri ,por duhet të vriste njerëz që t’a gëzonte këtë madhështi. U largua me tmerr- ai nuk ishte vrasës.
Kur u pa te pasqyra e dytë, kishte të hante e të pinte, të jetonte pa kokëçarje. Vetëm se duhet të ishte një lëpirës i këpucëve të zotërinjve,të ulte kurrizin që ata të ecnin mbi trupin e tij. Jo – nuk do të donte të ishte një zvarranik.
Pasqyra e tretë e bënte shumë të pasur, por duhej të vidhte, të rrëmbente njerëz. Kjo ishte e tmershme…si mund të ndodhte një gjë e tillë. Në pasqyrën e fundit ai mund të ishte i lumtur, me ëndra që nuk mbaronin kurrë, por do të ishte gjithmonë i varfër, disi jashtë “Mode “,me pak mundësira në jetë.
Do të punonte gjithë jetën, por asnjëherë s’do të ishte një pasanik. Vetëm se natën do të flinte i qetë ama, që mëngjezi t’a zgjonte me ëndrra. I humbur në mendime u tremb nga zëri i njeriut-mostër.
Kë do zgjedhësh ndershmërinë dhe ëndrrat apo i pasur me shumë vese?
I mbytur në djersë ai heshti, zëra të shumtë i flisnin, vrapoi me vrap që të mund të shpëtonte nga zgjedhja. Tani nuk ishte më ai, por shumë njerëz, bisha, monstra brenda vetes që i luteshin, i rrëmbenin shpirtin, i merrnin peng zemrën, që nesër t’ia shkulnin pa kurrfarë mëshire.
U mundua të çlirohej, të luftonte derisa frymën të çlironte….Papritur ndjeu mornica në trup..bulëza, djersë të ftohta i rridhnin nga balli në fytyrën e skuqur.
Liroi batanijen, çarçafi i ishte mbledhur shuk mbas qafës dhe po i merrte frymën.
U zgjua – kishte qenë në ëndërr.
U ngrit me të shpejt dhe i hodhi një grusht ujë fytyrës si të çlirohej sadopak nga ëndrra pështjelluese.
Tek krihej në pasqyrë..mendoi. Duhet të zgjidhte?!