Rudina Xhunga: A ke dashur ndonjëherë?

-Më thua se tashmë ka mbaruar gjithçka mes jush, madje as takoheni. Si mundesh ta besosh edhe vetë këtë që thua kur akoma e tregon me ngjyra ish-lidhjen tënde.

Ti e do akoma.
-A ke dashur ndonjëherë?
-Po dhe ndaj nuk kuptoj si mundesh ti të mos e duash më.
-Nuk e di nëse do të ishe kaq i prerë në përgjigje, nëse unë për gjashtë orë do të të pyesja siç bën ti. Jo, i dashur, unë e kam dashur njeriun të cilin duhet ta ketë kapur lemza tani. E kam dashur rastësisht , pastaj gabimisht, pastaj seriozisht. Por nuk e dua më. Edhe një dashuri e ka një fund.

-Jo, një dashuri nuk ka fund, ka rrethana që të detyrojnë të besosh se ka marrë fund.

-Si të duash ti. Por dashuria jote e pati një fund, imja gjithashtu, e çdo çifti po se po. Arsyet pse dy njerëz qëndrojnë gjithmonë bashkë janë përtej dashurisë për të cilën po flasim dhe unë nuk i njoh akoma.

-Si e kupton ti që do ose nuk do më, se unë nuk di ta kuptoj. Ma shpjego të lutem.
-Po, por mos thuaj pastaj se jam bërë si zyrë folklori, siç e ke zakon kur shpik ndonjë krahasim.


Ndjenja se je në dashuri me dikë është si ndjenja që të fal në veshje. Një robë elegante të bën të përcjellësh klas, seksualitet, sharm, mirësjellje, të bën të ndihesh e bukur, e dëshiruar.

Një palë xhinse e një bluzë e gjerë sipër të bëjnë të ndihesh sportive, por të veshura në një festë, të bëjnë të ndihesh keq, mandej pavëmendja e të tjerëve të bën agresive dhe të paedukatë. Kështu ndodh dhe me njeriun që do. Kur ti e do, ai gjithashtu, ti ndjen se çliron frymëmarrje pozitive, je krijuese, çliron energji të mirë, përcjell më të bukurën e vetes, je një grua e bukur.

Por nëse marrëdhënia e juaj ka marrë fund, është si të jesh me xhinse në festë, ti e ndjen mosvëmendjen e tij dhe e provokon, e nxit, e sulmon dhe mezi pret të të përgjigjet në të njëjtën mënyrë.

Ti do të zihesh dhe përcjell vetëm energji të keqe, a thua se je në prag menstruacionesh. Më fal për gjuhën tejet femërore që po përdor, por unë kështu di ta shpjegoj ndryshimin midis të jesh dhe të mos jesh e dashuruar.

(Shkëputur nga romani “Preja e një martese të lodhur” i Rudinga Xhungës)

Përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

RUDINA XHUNGA VJEN ME LIBRIN E RI PËR FËMIJË

Këtë fundvit, gazetarja Rudina Xhunga dhe vajza e saj, Alana, kanë një dhuratë shumë të bukur për fëmijët. “Tregimet e Pitilushes” që pasojnë “Përrallat e Pitilushes”.

Tani që Pitilushja u rrit, ajo do që t’i tregojë dhe t’i tregojnë. Siç do edhe çdo fëmije që ka mbushur 6 vjeç dhe do të lexojë këtë libër që është për fëmijë mbi 6 vjeç.

Rudina dhe Alana sollën historitë që u kanë ndodhur atyre, gjatë 2020-ës. Ilustrimet u krijuan nga të vegjlit, Alana, Johani dhe Edi nga Londra, Emi, Pati, Sara, Sibora, Sofi, Krista dhe Johani nga Tirana.

“Por çdo fëmijë ka një vend në këtë libër. Një faqe bosh është për ty dhe vizatimin tënd. Kur ta mbarosh librin shkruaj në [email protected] dhe vitin që vjen do të shohësh pikturat e tua në libër.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult