Shkrimtare kiliane, Tereza Wilms Montt, lindi në Viña del Mar, Kili, 1893 dhe në moshën 28-vjeçare, në 24 dhjetor 1921, vret veten, në Paris.
Ja, ç’thotë shkrimtarja për veten e saj, duke iu drejtuar lexuesit të sotëm:
Nga Tereza Wilms Montt
«Jam Tereza Wilms Montt dhe, megjithëse linda njëqind e ca vjet para teje, jeta ime nuk ishte aq e ndryshme nga jotja. Duke qenë se pata fatin të jem grua, provova sa e vështirë është të jesh e grua, në këtë botë, gjë që ti e di mirë, nëse je grua. E kam përjetuar vrullshëm çdo frymëmarrje dhe çdo moment të jetës sime. E, megjithatë, bëra lart, si grua.
U përpoqën të më shtypnin, por nuk ia dolën dot.
Kur ma kthyen shpinën, u tregova fytyrën.
Kur më lanë vetëm, u tregova e përzemërt dhe i shoqërova.
Kur deshën të më vrisnin, u dhashë jetë.
Kur deshën të më mbyllnin brenda, u bëra më e lirë.
Kur më deshën pa dashuri, u dhashë edhe më shumë dashuri.
Kur u përpoqën të më mbyllnin gojën, e ngrita zërin edhe më shumë.
Kur më goditën, u ktheva përgjigje.
Kam qenë kryqëzuar, e vdekur dhe e varrosur, nga familja dhe shoqëria.
Kam lindur njëqind e ca vjet para teje, por e shoh se, edhe ti je njësoj si unë.
Unë jam Tereza Wilms Montt dhe nuk jam aspak e përshtatshme për të qenë një zonjë…
…Tereza fatkeqe po e kalon jetën duke kopjuar foljen “të bindesh”, të cilën, gramatikisht, e njeh mirë, pa menduar ta zbatojë ndonjëherë. Bindja? A thua zonjusha mendon se unë qenkam një katërkëmbësh ose ndonjë instrument? Jo, unë jam unë dhe them atë që kam dëshirë të them, sepse, po të mos e them, më ngec mendimi në fyt dhe nuk e kapërdij dot»
Shënim: Marrë nga libri “Tereza Wilms Montt: Shqetësime sentimentale” që pritet të botohet me rastin e Panairit të Librit të Prishtinës, në qershor 2024.
Përktheu: Bajram Karabolli
ObserverKult
Lexo edhe:
A DUHET TË KËNDOHET NË STADIUM PËR ADEM JASHARIN? KUJT PO I PENGON KËNGA “MORA FJALË”?