Mario Lamo Jimenez: Sa e mërzitshme qenka të jesh i vdekur

Unë... gratë

Kam shtatëmbëdhjetë orë që kam vdekur dhe ende nuk po më varrosin. Sa e mëzitshme qenka të jesh i vdekur! Të paktën, po të kisha një puro për ta tymosur, nuk do të mërzitesha kaq shumë duke pritur.
Mund të kisha kaluar në krahun tjetër me më shumë kujdes, por edhe vetë vdekja ime qe e dështuar. Duke kaluar rrugën «La Septima», ia ngul sytë një zeshkaneje që shkon duke u tundur, hutohem dhe më godit me motoçikletë korrieri i barnatores. Përplas kokën te trotuari dhe aty mbetem si një gjel i ngrirë në vitrinën e një frigoriferi, me sytë e qelqtë dhe me gjuhën e përjagur, ndërsa dosjet e gjyqtarit mbeten të shpërhapura nëpër rrugë. Një qen që kaloi aty nisi të më lëpijë plagën, por e trembi sirena e ambulancës që, siç dihet, mbërriti me vonesë. Kur mbërrita në spital, tashmë i vdekur, nuk donin të më pranonin, pasi nuk kisha dokumentin e sigurimeve shoqërore. Dikush, midis kureshtarëve, më kishte vjedhur portofolin dhe orën e dorës. Ora e dorës nuk më interesonte se s’kishte ç’më duhej më, por himbja e portofolit më dhëmbi, sepse ishte prej lëkure deveje dhe e kisha kujtim nga Elisa. Në agjensinë e varrimit më provuan gjashtë arkëmortë, por asnjëri nuk më bënte. Ishin të vegjël. Më në fund, për të kursyer paratë, ime shoqe vendosi për një që ishte imitim dru mogani, por, meqë as ai nuk më merrte, më hoqën këpucët dhe m’i përthyen këmbët. Tani do të më varrosin me çorape të grisura. Mua që fitoja vetëm nëntëdhjetë mijë peso në muaj! Ime shoqe në fillim zuri të qante, por kur i thanë se sigurimi i jetës paguante nëntë qind mijë peso, e vetmja gjë që tha qe: «Epo mirë, zure se do të vdiste për dhjetë muaj.»
Ja ku jam, në sallonin e shtëpisë sime, duke pritur që të më varrosin. E mbështetur në mur, është kurora me çmim të lirë që më dërguan shokët e zyrës. Vetëm Hili ka ardhur për të më përcjellë. I detyrohem njëzet mijë peso dhe tani po ngushëllon time shoqe.
Nuk më ka pëlqyer kurrë ky sallon. Muret janë të mbuluar me ca kuadro të dalëboje dhe mobiliet të ronitura. Kurrë nuk më kishte shkuar në mendje që pritja ime e fundit do të ndodhte pikërisht këtu. Kur Hili dhe ime shoqe më lanë vetëm, një mi i madh nxori kokën te kapaku i arkëmortit. Gati sa nuk vdiqa nga frika. Sa do ta doja në ato çaste qoftë edhe një kafe pa sheqer, si ajo që më bënte Elisa. Po bën ftohtë. Tani nuk mundem të thërras as Elisën që të më përcjellë. E njoha para tre vjetësh, në gjykatë, kur erdhi për tëbërë praktikën. Ajo ishte studente drejtësie. Pikërisht aty u dashuruam. Konsuela nuk e mori vesh kurrë. Nuk ia vlente t’i thosha, ajo ishte shumë xheloze dhe mbretëria e saj ishte kuzhina. Pa shikoje tani! Mizë e ngordhur! Sa e afruar me Hilin dhe nuk qan fare për mua.
Sonte unë do të isha duke pirë birrë dhe duke luajtur domino, si çdo të diel, dhe ja, dreqi ta marrë, më duhet ta kaloj fundin e javës i vdekur, duke pritur varrosjen time. Nëse do të kisha vdekur të hënën apo të martën, të paktën do kisha përfituar duke mos shkuar në punë dhe sot do të isha duke bërë qejf. Siç e shihni, ky është kulmi i fatit të keq: të vdes në një ditë pushimi.
Tani më duhet të pres deri nesër në ora njëmbëdhjetë që të më futin në një “Kadillak” të zi dhe të më kalojnë nëpër gjithë gropat e lagjes. Dhe prifti do të jetë i kënaqur. «Më në fund, iku edhe ky ateisti», do të thotë, duke taposur hundën nga era e vdekjes, kur do të më futin në kishë. Më llahtaris ideja se do të dëgjoj meshën. Do të jetë ajo ceremoni e përhershme që më ka tmerruar që kur isha fëmijë: prifti duke kënduar me zërin e ngjirur, kisha mbushur me qirinj dhe disa plaka të rrudhosura duke qarë e duke u qurrosur për të vdekurin e radhës. Kurrë nuk e kam duruar dot aromën e qirinjve, e shohë që do t’ia plas me teshtima në mes të meshës. Dhe për këtë ceremoni të marrin dy mijë e pesëqind peso. Unë nuk do të paguaja as edhe një qindarkë për një meshë varrimi. Më pas, kur të mbarojë mesha dhe të dëgjohet zilja e akulloreshitësit te dera e kishës, do të më shpien në gropën time. Kushedi se kë do të kem fqinj në varrezë. Ma merr mendja se nuk mund ta zgjedhësh dot. Larg qoftë, sikur të më qëllojë ndonjë llafazane, do të më duhet të duroj gjatë gjithë përjetësisë ankesat dhe qurravitjet e saj. Ç’do të ndodhë pasi varrmihësit të më mbulojnë me dhe, të më vënë gurin përsipër dhe gjithçka ta mbulojë terri? As që dua ta shkoj nëpër mend. Nuk e di, por në këto çaste do të doja të isha si përditë, thjesht duke sistemuar dokumenta në zyrën e gjykatës, apo duke luajtur bilardo në El Aventino. Sa e pambarimtë është nata kur je i vdekur! Ende duhen edhe shtatëmbëdhjetë orë që të më varrosin.

*Titulli i origjinalit: “Pritja e fundit”

Përktheu: Bajram Karabolli

LEXO EDHE: JUAN RULFO: DUHET TË ISHA UNË AJO QË DO TË PËRQAFONTE TY…