Sa më monotone dhe e parëndësishme bëhet jeta në vendet e zhvilluara, aq më shumë kamera u shtohen telefonave inteligjentë. Nuk ka pak vite që telefonat na vinin me një kamerë, gjë që tregonte një përparim për të regjistruar brutalitetet e pushtetit që më përpara qëndronin të varrosur me viktimat e tyre. Më pas, ndërkohë që industria e argëtimit në vendet e zhvilluara po demokratizohej, u bënë me dy kamera. Ka një vit që iPhone, nga njëra anë në tjetrën, është bërë me tri kamera. Tani më të rinjtë janë të etur ta kenë telefonin me katër kamera, ndërkohë që tallen me ata që kanë vjetërsirën me tri kamera.
Duke qenë se jemi qenie njerëzore, në një shumicë që rritet, çdo ditë e më të parëndësishëm në sistemin e prodhimit të zotëruar nga robotë ultra efektivë dhe sisteme të inteligjencës artificiale të pamëshirshme, e vetmja gjë që do të mbetet do të jetë të mbahen masat në argëtim, duke luajtur video lojëra ose duke shpikur truke të pafundme, prej tridhjetë sekondash, që individët t’i konsumojnë për orë të tëra, ndërkohë që një pjesë e vogël individësh të tjerë marrin vendime të rëndësishme për jetën e tyre dhe fatin e planetit.
Së shpejti do të kemi telefona me aq kamera sa sy ka një mizë, për të regjistruar zbrazëtinë e brendshme dhe të gjitha mbeturinat që do prodhojmë në një botë të mbingarkuar me risi të rreme, të cilat nuk do të na lënë të shohim shkatërrimin e vërtetë të planetit dhe zbrazësinë e jetës tonë të anestezisuar nga argëtimi i përhershëm që, si çdo drogë, do të kërkojë një dozë gjithnjë e më të fortë, për të arritur të njëjtin stimul që na largon nga depresioni i zbrazëtisë dhe i asgjësë.
Për fat të mirë, e ardhmja nuk ekziston; është diçka që tashmë ndodhet në ndërtim e sipër dhe ka gjithmonë një shans për t’u zgjuar. Fatkeqësisht, ne qeniet njerëzore jemi të afta për t’u gënjyer dhe zakonisht zgjohemi me ndonjë krizë, si një shofer që e zë gjumi mbi timon, ndërkohë që automjeti vazhdon të ecë, dhe e kthen në realitet diçka e padëshirueshme.
Janar 2020
Në shqip: Bajram Karabolli
Horhe Mahfud (1969) – shkrimtar dhe eseist uruguaian. Ka mbrojtur titujt master në letërsi dhe doktor në filozofi në Universitetin e Xhorxhias (2008). Është i njohur për romanet e sidomos për esetë e tij kritike që janë botuar rregullisht në mediat dhe gazetat më prestigjioze të botës: Milenio Diario (Meksiko), La Republika (Montevideo), Panamá América, La Vanguardia (Barcelonë), Courrier Internacional (Paris), Hispanic Culture Review (Universiteti George Mason), Pegaso (Universiteti i Oklahomës), Tiempos del Mundo (Washington), etj.
H. Mahfud, veç Universitetit Georgia ka qenë profesor në Universitetin Linkoln dhe në Universitetin Jacksonville. Ai ka marrë disa çmime letrare ndërkombëtare: Mención Premio Casa de las Américas, La Habana, Cuba 2001, Excellence in Research Award’, University of Georgia 2006, and Faculty Award for Excellence in Scholarship and Professional Activities, etj.
Është autor i dhjetëra librave, midis të cilave shquhen: “Koha që më takoi të jetoj” (2004), Qyteti i hënës (2009), “Iluzionistët” (2012), “Kritika e pasionit të pastër”, etj/B.K.
ObserverKult