Sa prej legjendave greke kanë qenë të vërteta?

Nga: Armand d’Angour

Kultura dhe legjendat e Greqisë së lashtë kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme në gjuhën moderne të arsimit, politikës, filozofisë, artit dhe shkencës. Shembujt klasikë nga mijëra vite më parë vazhdojnë të përdoren edhe sot. Po cila ka qenë origjina e disa prej këtyre ideve?

A ka pasur vërtetë një kalë të Trojës?

Historia e Kalit të Trojës përmendet për herë të parë tek Odiseja e Homerit, një këngë epike që mendohet të jetë shkruajtur rreth vitit 750 p.e.s., e cila përshkruan një periudhë pas Luftës së Trojës që mendohet të ketë ndodhur 500 vite përpara se të ishte shkruajtur kënga. Pasi rrethuan Trojën (Hisarliku i sotëm në Turqi) për 10 vite dhe pa sukses, ushtria greke nisi të largohet nga muret e qytetit gjoja sikur do të niseshin për në shtëpi, duke lënë pas një kalë të drunjtë gjigand, si një dhuratë për perëndeshën Athina. Trojanët e futën triumfalisht Kalin brenda Trojës, dhe kur ra nata, luftëtarët grekë të fshehur brenda tij u kacavorën duke dalë dhe shkatërruar qytetin. Provat arkeologjike tregojnë se Troja është djegur me të vërtetë. Por kali i drunjtë është një pjellë e imagjinatës, ndoshta frymëzuar nga fakti që në lashtësi, mjetet që përdoreshin në rrethime maskoheshin si kuaj të drunjtë me qëllim të pengonin goditjen e tyre me shigjeta me flakë.

Homeri është një prej poetëve të mëdhenj të legjendave greke të lashtësisë. A ka ekzistuar vërtetë?

Jo vetëm kali i Trojës është një sajesë shumëngjyrëshe, por edhe ekzistenca e vetë Homerit është vënë ndonjëherë në dyshim. Përgjithësisht supozohet se epikat e mëdha të cilave u është vënë emri i Homerit, Iliada dhe Odiseja janë përcjellë gojarisht, pa ndihmën e shkrimit, diku rreth shekullit 8 p.e.s., si rezultat i një tradite të rrëfimit gojor, trashëgimi e shekujve të tërë. Ndërkohë që të lashtët nuk kishin asnjë dyshim se Homeri ka qenë një rapsod i vërtetë që kompozoi epikat monumentale, asgjë e sigurtë nuk dihet për të. Gjithcka që ne dimë është se, edhe në qoftë se poemat janë kompozuar pa u shkruar dhe janë transmetuar gojarisht, në një moment të caktuar ato janë shkruajtur në greqisht, sepse kështu kanë mbijetuar.

A ka patur një shpikës të vetëm të alfabetit?

Data që i atribuohet shkrimit të epikave të Homerit është e lidhur me provat më të hershme për ekzistencën e shkrimit grek në shekullin 8 p.e.s. Grekët e dinin që alfabeti i tyre (më vonë i huazuar nga romakët për t’u bërë alfabeti perëndimor) u përshtat nga ai i fenikasve, një komb në lindjen e afërme, seria e gërmave të të cilëve fillonte kështu: “aleph bet”. Fakti që përshtatja e tij ishte uniforme në të gjithë Greqinë ka lënë të kuptohet se ka patur një përshtatës të vetëm dhe jo shumë të tillë. Në traditën greke, emri i këtij adoptuesi është Palamedi, gjë që mund të përkthehet edhe si “i urti i lashtë”. Thuhet se Paramedi ka shpikur edhe numërimin, monedhën dhe lojërat me kuti. Format e gërmave të grekëve më vonë do të ndryshonin shumë nga ato të fenikasve. Për formën e sotme gjeometrike që ato kanë, merita i jepet matematicienit të shekullit 6, Pitagora.

A e shpiku Pitagora Teoremën e Pitagorës? Apo ai i kopjoi detyrat e shtëpisë nga dikush tjetër?

Ka dyshime nëse Pitagora ka qenë vërtetë një matematicien sic e kuptojmë ne sot këtë fjalë. Fëmijët në shkolla vazhdojnë ta studiojnë të ashtuquajturën teoremë të tij për katrorin e hipotenuzës. Por babilonasit e dinin këtë ekuacion shumë shekuj më herët, dhe nuk ka prova që Pitagora e zbuloi, apo e vërtetoi atë. Në fakt, ndonëse janë kryer investigime të plotë matematikorë nga ndjekësit e mëvonshëm të Pitagorës, provat tregojnë se Pitagora ishte një mistik që mendonte se numrat janë në themel të gjithckaje. Për shembull, ai thoshte se intervalet e përsosur muzikorë mund të shprehen përmes thyesave të thjeshta.

Çfarë i bëri grekët të fillonin të përdornin paranë? Ishte tregtia, apo “psikika” e tyre?

Mund të na duket evidente sot që nevojat për tregti kanë nxitur shpikjen e parasë. Por qeniet njerëzore kanë bërë tregti për mijëvjecarë të tërë pa monedha, dhe nuk është e sigurtë që ekonomia e parë e monetizuar e botës u ngrit përreth Greqisë së lashtë, thjeshtë për të lehtësuar transaksione të tillë. Klasicisti Richard Seaford ka argumentuar se shpikja e parasë erdhi nga thellësia e psikikës së grekëve. Ajo është e lidhur me nocionet e shkëmbimeve reciprokë dhe detyrimeve, që kanë qenë të ngulitur në shoqërinë e tyre. Reflekton dallimet filozofikë mes vlerës nominale dhe vlerës së perceptuar. Dhe është një instrument politik, përderisa shteti kërkohet që të veprojë si një garant i vlerës monetare. Instrumentat dhe institucionet financiarë – monedhat, prerja e parave, kontratat, bankat, kredia dhe borxhi – po zhvilloheshin në shumë qytete të Greqisë në shekullin 5 p.e.s., me Athinën në pararojë. Por një prej shteteve të lashtë e shihte me shumë dyshim paranë dhe i rezistoi futjes së saj: Sparta.

Sa spartanë ishin spartanët?

Ligjdhënësi i famshëm spartan, Likurgusi vendosi që spartanët do të përdornin vetëm hekurin si monedhë, duke e bërë kaq të rëndë, sa që edhe një sasi e vogël duhej të tërhiqej nga disa qe.  Kjo histori mund të jetë pjesë e idealizimit të spartanëve të lashtë, si një shoqëri luftëtarësh e dedikuar për dominimin ushtarak. Ndërkohë që Sparta e lashtë nuk prodhonte monedhat e veta, ajo përdorte argjendin e huaj dhe disa liderë spartanë ishin të famshëm për prirjen e tyre për rryshfetmarrje. Megjithatë, mund të jenë miratuar ligje për të penguar spartanët që të importonin mallra luksi, të cilët do të rrezikonin fortësinë e tyre. Kur gjenerali playboy athinas, Alcibiadi dezertoi për në Spartë gjatë luftës së saj me Athinën në fundin e shekullit 5, ai adoptoi dietën e tyre, rutinën e ashpër të stërvitjes, veshjen e trashë dhe shprehjet lakonike. Por pasioni i tij për gjithcka spartane u shtri deri tek bashkëshortja e mbretit, Timaea e cila mbeti shtatzënë. Alcibiadi u rikthye në Athinë, prej ku ishte larguar tetë vite më herët për të shmangur akuzat për sakrilegj, një prej të cilat thoshte se ai ishte tallur me Misteret e shenjtë të Athinës.

Cilat ishin sekretet e Kulteve të Misterit Grek?

Po të ta thoja, do të më duhej të të vrisja. Sekretet ruheshin me forcë, dhe kishte ndëshkime të rëndë për këdo që i nxirrte ose, ashtu si Alcibiadi, mendohej që i përdhoste. Kishte rite fillese që mund të përfshinin transvestizmin dhe përqëndrohej në objekte sekretë dhe fjalëkalime. Objektimi ishte t’u ofrohej “të devotshmëve” një pamje të “anës tjetër”, me qëllim që ata të riktheheshin në jetët e tyre të bekuar me dijen dhe kur të vinte radha e tyre për të vdekur, ata mund të siguronin mbijetesën e shpirtit në botën e nëndheshme. Gërmimet e kohëve të fundit kanë zbuluar varre që përmbajnë fjalëkalime dhe udhëzime të shkruajtur në pllaka floriri si një aide-memorie për të devotshmit e vdekur. Kultet kryesore të Misterit të Grekëve ishin ata të Demetrës, perëndesha e Bujqësisë dhe Dionisin, perëndia i verës, ekstazisë dhe teatrit.

Kush bëri i parë dramë prej një krize? Si nisi teatri?

Në Athinën e shekullit 5, teatri ishte i lidhur ngushtë me kultin e Dionisit, tek teatri i të cilit në pjesën jugore të Akropolit, viheshin në skenë tragjedi dhe komedi gjatë festivalit të përvitshëm. Por origjina e teatrit është një cështje shumë më e debatuar. Një legjendë rrëfen për aktorin Tespis që qëndronte mbi një karrocë dhe luante një rol dramatik për herë të parrë rreth vitit 532 p.e.s. Një tjetër thotë se drama nisi me koret ritualë dhe me kalimin e kohës futi edhe rolet e aktorëve. Aristoteli supozonte se koret e tragjedisë kanë qenë në fillesë këngë ritesh (ditirambe) që këndoheshin dhe kërceheshin për nder të Dionisit. Si perëndi që lidhej me rolet dhe shfaqjet që ndryshonin, Dionisi duket një zgjedhje e përshtatshme për të sjellë rritjen e dramës. Por, që nga tragjeditë më të hershme, duke filluar me Persët e Eskilit në vitin 472 p.e.s, shumë pak prej tragjedive të mbijetuara kanë të bëjnë me Dionisin. Komeditë përqëndroheshin kryesisht në talljen e figurave bashkëkohore – duke përfshirë, në shumë prej tyre, edhe filozofin Sokrat.

Çfarë e bëri Sokratin të mendojë që të bëhet filozof?

Sokrati mund ta ketë patur kokën mbi re dhe në komedinë e Aristofanit ai shfaqej si një njeri që u shkonte pas ideve, që nga ato shkencërisht aburde e deri tek ato shoqërisht armiqësore. Kjo paraqitje bie ndesh me burimet kryesorë të të dhënave biografike mbi Sokratin, shkrimet e nxënësve të tij PLatoni dhe Ksenofoni. Të dy këta e trajtojnë me shumë respekt si një udhërrëfyes moral, por ata nuk thonë pothuajse asgjë për veprimtarinë e hershme të Sokratit. Në fakt, përshkrimi më i hershëm për Sokratin, që i përket kohës kur ishte në të tridhjetat, e paraqesin si një njeri të veprimit. Ai kish shërbyer në një fushatë ushtarake në veri të Greqisë në 432 p.e.s. dhe gjatë një beteje brutale kishte shpëtuar jetën e mikut të tij të dashur, Alcibiadit. Më vonë, ai nuk u largua asnjëherë nga Athina, dhe u përpoq të bindë athinasit që të ekzaminonin jetët dhe mendimet e tyre. Ne mund të spekulojmë që Sokrati ka lozur me shkencën dhe politikën në rininë e tij, deri kur një përvojë mes jetës dhe vdekjes në betejë e kanë detyruar që pjesën tjetër të jetës ta kalojë në kërkim të urtësisë dhe të vërtetës. Duke qenë se ai nuk ka shkruajtur asgjë vetë, imazhi më i fortë që ne kemi për Sokratin vjen prej dialogjeve të nxënësit të tij të devotshëm, Platonit, nxënësi i të cilit, Aristoteli, u bë më vonë tutor i Aleksandrit, princit të maqedonëve.

A ishte Aleksandri i Madh vërtetë aq i madh?

Aleksandri do të bëhej një prej ushtarëve-gjeneralëve më të mëdhenj që kishte parë ndonjëherë bota. Sipas burimeve të lashtë, ai nuk ishte aq mbresëlënës fizikisht. I shkurtër dhe i bëshëm, ai ishte një pijetar i njohur, me një temperament impulsiv që në një rast e shtyu të vrasë shokun e tij Kleitusin, gjatë një shpërthimi zemërimi. Me kalimin e moshës ai u bë gjithnjë e më paranojak dhe megalloman. Megjithatë, në 10 vitet që kur ishte 20 vjec deri sa u bë 30, ai ndërtoi një perandori të madhe që shtrihej nga Egjipti në Siri. Asnjëherë i mposhtur në betejë, ai përdori mjete të reja të rrethimit po aq efikase sa edhe Kali i famshëm i Trojës, dhe themeloi 20 qytete që mbanin emrin e tij, duke përfshirë edhe Aleksandrinë në Egjipt.
Suksesi i tij ushtarak ishte pothuajse një mrekulli dhe në sytë e botës së lashtë ishte e drejtë që t’i jepej titulli “I Madh”./Bota.al