Sa vështirë thoja “Më fal”

Silvana Kola-Loka


Nga: Silvana Kola-Loka

Në procesin e gjatë të eksplorimit të vetes, si detyrim njerëzor dhe profesional për të qenë psikologe, më është dashur të mendoj për fëmijërinë. Nga se/ kush kisha frikë? Nga se/kush ndjeja turp? Çfarë/kush ma sillte gjithnjë buzëqeshjen? Cili ishte kujtimi më i gjallë dhe pse? Dhe lista e pyetjeve modifikohej vazhdimisht, nën dritën e zbulimeve të reja.

Njëri nga zbulimet e mia më të sikletshme ishte që, shpesh herë, prindërit e mi “kishin hequr të zitë e ullirit’ për të më bindur të thosha: “Më fal!”.

Ndonjëherë, procesi i bindjes merrte aq kohë, sa kur më në fund unë thosha fjalët magjike, nuk më kujtohej gabimi për të cilin po kërkoja të falur. Me nevojën për të kuptuar zanafillën (nëse kishte një të tillë) dhe kësisoj edhe gjithë shtjellën e “Më fal!” përgjatë jetës edhe si e rritur, prindërit më kujtuan shumë episode. Unë kisha nevojë të kuptoja ç’natyrë kishin patur këto gabime që unë nuk i njihja si të tilla dhe, si rrjedhojë, nuk më brente ndërgjegjeja dhe nuk kërkoja të falur?

E keni parasysh sitjen e miellit? Ashtu bëra! I mblodha të gjitha gabimet kur “Më fal!” kishte ardhur mes lotësh, ngashërimash, frikës nga ndëshkimi dhe një pështjelimi të stërmadh ndjenjash të tjera. Dhe pasi i mblodha, fillova t’i sit, me sitën e faktit se ato ishin gabimet e një fëmije. Unë isha një e rritur që po analizoja një fëmijë, ndaj analiza duhet të ishte e drejtë!

Hoqa rrethanat lehtësuese si mosha, presioni bashkëmoshatar, pakujdesia, kurioziteti, grishja për të provuar kufijtë e vetes dhe të durimit të më të rriturve, etj. Po të vazhdoja t’i analizoja gabimet e mia, të gjitha kishin një ‘alibi’ shumë të mirë dhe, si të tilla, të gjitha përfitonin ‘amnisti”.

U ktheva sërish tek prindërit. Tanimë e qetë se unë kisha bërë të gjitha gabimet e bëshme nga një fëmijë.
Atëherë, përse unë pranoja më mirë të rrija gjithë javën pa çokollata (dhe si një vajzë ushtaraku në aviacion çokollatat ishin trajtim i privilegjuar për vitet ’80) vetëm e vetëm të mos thoja “Më fal”?

Bashkë me prindërit, i sitëm edhe një herë gabimet, por këtë herë ndryshuam këndvështrim. I pamë nga seria e veprimeve që ata kishin bërë menjëherë pas gabimit të bërë nga unë.

Përfundimi ishte interesant! Të paktën kështu dukej tani, në perspektivën e analizës prej psikologu.


Unë nuk thoja “Më fal” sepse të rriturit kishin aktivizuar tek unë ndjenjën e Turpërimit. Në të gjitha rastet kur ndjesa kishte ardhur me shumë vështirësi, unë isha ndjerë e turpëruar: e turpëruar se si një fëmijë i mirë të sillej ashtu; e turpëruar se si një fëmijë e zgjuar të mos e kishte ditur që po gabonte; e turpëruar se si një fëmijë e rritur mes gjithë të mirave kishte turpëruar prindërit.

Pra, në çdo rast kur unë rezistoja të thosha “Më fal!’ të rriturit më kishin bërë fillimisht të ndjehesha e turpëruar se isha fëmijë…

Unë kam dy prindër fantastikë! Nga ata të rrallët! Por, si të gjithë prindërit, jo të përkryer. Duke dashur të isha fëmija e mirë, e zgjuar, e zonja dhe shumë të tjera, ndonjë herë, ata i kishin parë gabimet e mia si një dëshmi e të mos qenit dot e tillë. Dhe, pa e kuptuar, kur e trajtonin kështu gabimin tim dhe më nxisnin të kërkoja të falur, ata provokonin tek unë rezistencën.

Sot, unë dhe ata e dimë se nuk ishte rezistencë për të thënë ‘Më fal!”, por refuzim për ta parë gabimin tim prej fëmije si dështim për të qenë e mirë, e zgjuar, e zonja.
Sa i fortë dhe kompleks është raporti i njeriut me ndjenjën e fajit!

Mua ende më sjell shqetësim të them: “Më fal!” ndonjë herë. Por sot e kam mësuar veten se kur them “Më fal!” bëhem edhe më e mirë, edhe më e zgjuar edhe më e zonja.

Abi me shaka më thotë: “Silva! Sa më shumë të zbulosh për veten, aq më shumë do na kursesh lekët për terapi mua dhe Korinës!”

Lexo edhe:

TRONDITËSE: NANA E LUTI 16-VJEÇARIN TË SHKOJË NË SHKODËR TË MERR MISËR E KRIPË, E EKZEKUTUAN…

ObserverKult