Sabajeta Peposhi: Një natë të vetme në varreza…



Asnjëherë nuk kam besuar te fantazmat, të paktën jo për aq sa mbaj mend.
Në fillim i merrja për lojëra të lezetshme. Më vonë për budallallëqe.
Tani më duken si një ndër gjërat, ekzistenca e të cilave s’i prish punë ndonjë njeriu. Përkundrazi.
Ndonjëherë arrijnë t’i ndalin hovin formëdhënës ndonjë keqdashjeje (Zoti i shtoftë sa më shumë të këtilla vegime!)
Por edhe pse fantazmat, sado të shtrembërohen e ngërdheshen, janë të pafat me mua, e kam të vështirë të kaloj një natë e vetme në varreza.
-A thua pse? –pyes shpesh veten, me frikën e ngrirë se mos marr ndonjë përgjigje përmbysëse.
Përgjigja e parë që fshehtas më bredh nëpër mendje përpiqet të më kujtojë edhe një herë në jam e sigurt se vërtet s’trembem nga fantazmat.
Ndryshe prej pyetjeve të mëpastajme, kësaj asnjëherë s’i bëj bisht.
-Unë nuk kam frikë nga fantazmat, -gati ia germëzoj me zë vetes këtë fjali disa herë radhazi.
Mos ndoshta frika ime nga frika që s’dua ta kem është më e madhe se vetë ajo? Apo vallë i druhem bredësimit të një frike që më parë s’e kisha? –vazhdon lista e pyetjeve që i bëj vetes, edhe pse e di se është gati e pamundur të gjej një përgjigje të ftohtë, të pranueshme pak a shumë prej të tjerëve.
Si gjithmonë më duhet të kthehem prapë tek fillimi, tek dilema ime torturuese.
-Pse s’mund të kaloj një natë të vetme në varreza?-pyes edhe një herë veten.
-Mos valle duhet ta provoj? Mbase do e gjunjëzoje këtë frikë dhe bashkë me të dhe dyshimin te vetja, -më thotë një zë i ulët, anonim, shkëputur nga një kordë disi më kryeneçe, por që mendja në çast e kërcënon me memecllëk.
-S’e di.
-Mbase s’është e nevojshme, -i përgjigjem unë përhumbshëm.
-Pse jo? –S’do të kthjellohesh? –pyet i njëjti zë, por disi më këmbëngulës.
-Pse ndryshon ndonjë gjë? –ia kthej unë, duke pritur ndonjë entuziazëm pohues prej zërit të panjohur ndaj pyetjes sime.
Por jo, ai s’është i tillë.
-Mundet, – më shqipton ai zbrazët.
Një zbrazëti shumëfish më e pushtetshme se ajo e zërit më pushton në çast. S’e duroj dot. Është krejt mbytëse. Dua ta mbuloj këtë boshllëk, por s’di se si.
Tani më ka hipur inati dhe me zërin. I ve vetë zjarrin muhabetit dhe pastaj largohet si i huaj…
Më duket se u lodha.
S’dua ta zgjas tërkuzën e inatit e mbi të gjitha ngaqë lindja e tij më duket se më ndihmoi në zgjidhjen e dilemës sime.
-Pse e kam kaq të vështirë të kaloj një natë të vetme në varreza? –pyes sërish veten.
-S’e di, -m’u përgjigj një tjetër zë anonim.
S’ishte ai harbuti i parë.
-Ndonjëherë dua ta provoj, -vijoi. –Por s’e di. Kam frikë se mos humbas rrugën.
-Ku ta gjej udhërrëfyesin pastaj? –më pyet i njëjti zë me nxitim, duke pritur një përgjigje jo të tillë prej meje.
Megjithatë, unë s’kam frikë nga fantazmat.
E pajeta më tremb. Këtë s’mund ta mohoj.

 2006

*Shkëputur nga libri i Sabajeta Peposhit: “Dallori i shpirtit tim”

Përgatiti: ObserverKult