Sabina Darova: Këpucët që kërkonin dritë…

Këpucët që kërkonin dritë…

Gjithmonë i kam parë me simpati këpucët e vendosura në radhë pranë pragut të derës, sidomos tek hyrjet e pallateve. Më përcillnin ngrohtësi, edhe pse nuk ishin këpucë të firmosura, të bukura apo të reja. Dëshmonin numrin e pjesëtarëve të familjes apo miqtë që kishin bujtur pa telefonuar a marrë leje. Ashtu ishin ato kohë të largëta, të thjeshta, pa zhurmë, por sa të dashura! Më kujtohet se në fëmijërinë e hershme tashmë, netët kur shfaqeshin filmat serialë ” David Koperfildi” apo ” Shigjeta e zezë”, tek hyrja e një pallati në katin e dytë të pallatit përballë, rreshtoheshin dhjetë palë këpucë fëmijësh, për të ndjekur filmin në televizorin e vetëm ekzistues të lagjes. Ndjeja pak ndroje kur i shihja, sepse mendoja që isha e para nga radha që i afrohesha shtëpisë së shoqes time të ngushtë, por gabohesha. Të tjerë më paraprinin dhe zinin vendin të ulur mbi qilim me këmbët kryq, përpara tv Iliria. Sikur të kthehesha mbrapsht në kohë, sa do kisha dashur të kisha një aparat fotografik, për të fiksuar vështrimet e fëmijëve të ngulura përpara ekranit, ndërsa kërkonin ta përpinin të gjallë si një çokollatë mbuluar me krem qumësht. Të zotët e shtëpisë nuk i mohonin askujt kërkesën tek pragu i derës, pas trokitjes tre herë mbi portë: ” A mundem ta shoh pak filmin sonte?”Tani që e mendoj, skuqem deri tek veshët nga turpi, për guximin që merrnim dikur të bëheshim pjesë e një familjeje në orët e vona të mbrëmjes. Kohrat kanë ndryshuar, dhe jo vetëm që nuk shkohet diku pa lajmëruar ( me të drejtë), por nuk i shikon më ato këpucët e pafajshme, të cilat kërkonin të uritura të shkelnin udhë të reja e të panjohura, përmes ekranit. Shkojmë nga shkojmë, por kujtesën gjithmonë e përplasim tek titulli i një rrëfimi, Na ishte një herë…

ObserverKult

———————-

Lexo edhe:

SABINA DAROVA: KRUJA DIKUR E DASHUR, KRUJA QË SOT ZHGËNJEN