Jaime Sabines
Për disa ditë, shpresoj të shërohem prej teje. Duhet mos të të frymoj më, mos të të tymos më, mos të të mendoj më. Është e mundur. Nëse zbatoj rekomandimet e moralit të radhës. Receta është kohë, dorëheqje, vetmi.
Si thua nëse të dua vetëm një javë, jo më shumë? Nuk është as shumë e as pak, është mjaftueshëm. Për një javë mund t’i grumbulloj gjithë fjalët e dashurisë që janë shqiptuar mbi tokë dhe t’u vë zjarrin. Me atë flakadan dashurie të përvëluar, do të të ngroh. Mund të grumbulloj gjithashtu dhe heshtjen. Sepse fjalët më të bukura të dashurisë gjenden mes dy njerëzve që heshtin mes njëri-tjetrit.
Duhet djegur, gjithashtu, edhe ajo gjuha tjetër paralele dhe shastisëse e atij që dashuron. (Ti e di se të them “të dua”, kur të them: “ç’vapë që bën”, “më jep pak ujë”, “mund të ngasësh?”, “u bë natë”… Mes njerëzve, mënjanë njerëzve të tu dhe të mi, të kam thënë “u bë vonë”, dhe ti e dije se po të thosha “të dua”).
Edhe një javë për ta grumbulluar tërë dashurinë e kohës. Për të ta falur. Që me të, të bësh ç’të duash: ta ruash, ta ledhatosh, ta flakësh në plehra. Është e kotë, vërtet. Dua vetëm një javë që t’i kuptoj gjërat. Pasi e gjithë kjo është njësoj sikur të jesh duke dalë nga një çmendinë për të hyrë në një varrezë.
Në shqip nga Erion Karabolli
ObserverKult
Lexo edhe:
JAIME SABINES: TË DUA DHE TË URREJ…
Nga Jaime Sabines
Të dua në dhjetë të mëngjesit, edhe në njëmbëdhjetë, edhe në dymbëdhjetë të ditës.
Të dua me gjithë shpirtin dhe trupin tim, nganjëherë, edhe pasditeve me shi.
Por në dy pasdite, apo në tre, kur vihem e mendoj për ne të dy, ndërsa ti mendon për të gatuar apo për punët e ditës, ose edhe për argëtimet që të mungojnë, vihem të të urrej shurdhërisht, me gjysmën e urrejtjes që kam për veten time.
Pastaj, të dua përsëri, kur flemë bashkë dhe ndiej se je bërë për mua, se këtë ma thonë gjunjët dhe barku yt dhe duart e mia më bindin për këtë, se nuk kam vend tjetër ku të prehem, ku të shkoj, më mirë se tek trupi yt.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult