Sabines: Të dashuroj, por dua të jem i lirë…


Jaime Sabines, një nga poetët më të rëndësishëm të shekullit që sapo iku, jo vetëm të letërsisë hispanike, po edhe asaj botërore.

Studiuesi meksikan Efrain Bartolome te “Poeti dhe Muza” thotë: “Muza, nga vetë natyra e saj, është e pakapshme. Atë nuk e zotëron dot askush, përkundrazi, është vetë Ajo që e pushton dhe e bën të vetin shpirtin e poetit. Nganjëherë, mishërohet si femër, me mish dhe me kocka, dhe krijon uragane në jetën e poetit fillestar. Kur ndodh kjo, nga shpirti lind poezia, e cila është e aftë të prekë shpirtrat e tjerë.


Një poet i vërtetë, zakonisht sillet kështu: i dashuruar, shkruan atë që i dikton Muza dhe këtë e bën përherë me sytë e mbërthyer tek Ajo, jo te kritika, as tek akademia apo te publiku.”

Sabines mund të jetë një rast i rrallë për nga Muza që i frymëzoi pjesën më të mirë të krijimtarisë së tij poetike. Tempulli kryesor i frymëzimit për të ishte një grua: Josefa Rodriguez (Hosefa Rodriges) ose, siç ka ngelur në kujtesën e poetit, po edhe të lexuesit, Çepita. Çepita ishte gruaja e poetit dhe, njëherazi, e dashura e tij e përjetshme. Ata u njohën e u dashuruan fare të rinj, qysh në kolegj, dhe u martuan në vitin 1953. Pra, ajo u bë gruaja e tij, por, siç mund të ndodhë rrallëherë, mbeti e dashura e tij derisa ai vdiq.

TË DASHURUARIT: LETRA ÇEPITËS

(Fragment)

Ti e di se, kur them: “Sa vapë po bën”, “Më jep pak ujë”, “Di ta ngasësh makinën?” “U bë natë”, të kam thënë të dua…
Midis njerëzve, pranë njerëzve të tu dhe të mi, po të thashë: ”Tani u bë vonë”, ti e di se të kam thënë “Të dua”
Ndonjëherë më pyesin pse nuk kam ende të dashur; dhe thonë sepse jam shumë i dashuruar.
Por ti tashmë e di mirë se nuk është ashtu.
Unë nuk kam të dashur, sepse nuk më pëlqen të kem të dashur, nga përtesa, nga ngurrimi, nga mërzia. Jam shumë i dashuruar, por kjo nuk ka të bëjë me këtë. Ndoshta një nga këto ditë nuk do të të shkruaj më. Ose do të të shkruaj vetëm kur të kem dëshirë.
Nuk më pëlqejnë formalitetet, formulat e dashurisë. Nuk më pëlqejnë zotimet, betimet. Nëse ti do të më shkruash – sepse do të më shkruash – çdo tri ditë, jam i kënaqur. Nëse unë dua ta bëj përditë, aq më mirë. Por gjithmonë të jetë gjë spontane dhe e natyrshme.
Dua të jem i lirë brenda kësaj skllavërie. Të dua, po, të dua: por ndërsa të dua, fjalët bëhen të panevojshme. Duhet ta dish se nuk është e domosdoshme të ta them.
Më kupton?
Po të mos ishe ti, nuk do ta thosha këtë. Mund të të duket se nuk të dua, se nuk të kuptoj, se nuk jam i yti.
Por ti duhet të jesh ti, ndryshe, e veçantë, unike. Duhet ta dëgjosh dashurinë time me zërin tënd, ta prekësh me mishin tënd, ta pranosh ashtu siç është, e zhveshur dhe e lirë.

Në shqip: Bajram Karabolli

ObserverKult


Lexo edhe:

SABINES: SI THUA NËSE TË DUA VETËM NJË JAVË, JO MË SHUMË?