Sabit Rrustemi: Legjenda për Vorrin e Ajn(sh)es

Nga Sabit Rrustemi

Askush nuk e di saktë që kur prêt ajo, aty, tek ai çarr, buzë udhe, atje lart në atë kurriz që shtrihet tutje përgjatë Kodrës Gatë. As mos prit të ta thotë kush. Se, nuk e di. Secili e ka me të dëgjuar. Njësoj si dhe unë…
Kapërcej Rekën e Zezë përmes një ure të drunjtë, ngritur vite më parë. Aty, te Mullini i Qerimit, i mbetur gërmadhë, me një grumbull gurësh, trerë të thyer si dhe tjegulla, mbuluar me dhe e dushk, aty buzë shpatit, merasë së katundit, asaj shkozine të thatë, të zalltë e përplot gjarpërinj.

Krejt rruga shkon ngjitas përpjetëzës, me zik-zake. E hëngër prej gumash traktorësh, kamionësh dhe rrëke ujërash të shiut. Kanë ngelur vetëm copëra gurëzish të thyer, të thërmuar, si dhe tek-tuk ndonjë shishe plastike uji.
Në çdo kohë, ajo udhë të djersinë. Si dimrit, si verës. Po e ece në këmbë, të djersinë ty, po e kalove kaluar, djersinë kalin…me makinë, e nxenë së tepërmi motorin. Dhe, e prishë atë freski ajri, aq të paqtë e të pastër.

Kur je vetëm kësaj rruge, të kaplojnë kujtimet. Kur je vetë i dytë a vetë i tretë, rrëfimet…
…. Edhe pak, edhe pak, përtej bërrylit tjetër, në fundin e asaj përpjetëze që humb. Pak mëtutje, atje është, do t’i thuash, si unë, njeriut që për herë të parë ecë asaj rruge shpati për tek Vorri i Ajn(sh)es.
Kot më pyet, kush ishte ajo, në ç’kohë jetoi, e kujt ishte, në cilën mahallë katundi u rrit.

E kujt ish …apo si vdiq, ç’pat, pse këtu u varros, nën këtë çarr, veças vorreve të mëhallës? Kot. Të gjitha pyetjet e bartura gojë më gojë, vesh më vesh, kanë përfunduar me krijimin e legjendës për Vorrin e Ajn(sh)es.
Krejt çka të thuash për të, njerëzit e besojnë, për aq sa iu besojnë vetë legjendave…


Rrëfimin e parë që e kisha dëgjuar për të, ishte rrëfimi i Kosumit, të cilin krejt katundi e thirrte Cum. Një malësor, i regjur prej pune, i lodhur prej udhe e i nxirë prej kohe.
Po, kanë thanë. Ajo i kish ba njëqind e pesëdhjetë vjet e mësitët ishin vonuar për ta kërkuar dorën e saj. S’di ndoshta vjetët atë kohë nuk i kanë numëruar si sot. Po kështu, thonë.

Në atë pritje të saj për t’ia kërkuar dikush dorën, njeherë kish pas thanë; qe unë i mbusha njëqind e pesëdhjetë vjet e, hala e re… nuk po më lypë kush. A, do t’vijë një kohë kur çikat si unë pa i mbushë pesëmbdhjetë vjet do t’shkojnë te burri. Atë kohë po e shoh tek po vjen, po unë s’di a do ta pres…
Njëmend nuk e kish pritur. Se, një dergjë e gatë i kish pas ra katundit, sh’pisë saj. Krejtve…

Nji motmot i kish shku tu i përcjell me të dasht’nit, udhës vorreve. Njanin e njanin e njanin…deri sa kish met’ hykall vetëm. Thoshte Cumi.
E mërzitur prej udhës, prej vorreve, ndalej te ky qarr e pushonte. Jo. Nuk pushonte, qante. Qante pa za për mos me ju shti dhimbtë tjerëve, të vdekurve pak më poshtë, nëpër vorre. S’di si kanë shpëtuar ato rrajë çarri pa u tha, habitej Cumi. S’di. Sall rrajë të forta ishin kanë.

Një verë e një verë e një verë… askush nuk e di sa vera i kish përcjellë me lotë tek ai çarr. Dikush kesh, thotë ajo kodër përballë aty, është e lot’ve të saj. Se, i thonë Kodra e Lotisë. Po, nashta, veç llafe janë kanë. Ama ashtu kanë thanë. Çka t’i bajshë…
Këtu e kishin gjetur, pa frymë. E shtrirë së gjati nën këtë hije çarri prej kah shihet krejt ajo gjerësi malesh e kodrash …dhe ai qiell i kaltër, i paskaj, që humb atje diku përtej Kopilaqës dhe Majës së Bardhoshit. Tutje.

E, katundi, ata që kishin mbetë, për hatër të saj, nuk ia kishin ndërruar vendin.
Vetëm këtu, shpirti i saj mu’n flladitet, kishin thanë. Le të prehet aty ku ma s’shumti ka tjerrë kohë. Me kokën kah trupi i çarrit e këmbët e shtrira kah udha e mahallës. Tre hapa të plotë. Edhe sot janë ata gurë. Se, nuk kanë lëvizur. Dil e mati. As vorri nuk ka fjetur shumë. Vetëm është bërë rrafsh me tokën.

Për çdo vjet i n’rrohet mbulesa me gjethe çarri. Çarri se, një kohë të gjatë, aty bari s’ka mbi. Prej lot’ve të saj. Ish kanë përcëllu edhe dheu. Tek tash e sheh aty-këtu ndonjë fije.
Ama, Cumin tash mund ta takosh vetëm te vorret. Si edhe Ajn(sh)en. Nën atë hije çarri.
Po, fjalët e saj kanë dalë, ashtu si kish pas thanë. Pasha bacin, as pesëmbëdhjetën nuk po e presin çikat e sotit. Hajt ti, vetë po e sheh…edhe Cumi dridhte një cigare tjetër.
Nuk lodhej fare për rrëfime tjera. Unë kështu e di, k’shtu e kam ndëgjue. Ti. N’paç kohë, n’goji edhe tjerët…se me rrena t’k’naqin.

Dikush, i pa fe, edhe vorrin ia ka hallkat’ po veç koca ka pa… edhe tash më përvidhen veshëve fjalët e tij….
…aty te b’rryli i fundmë i udhës, më zë prit rrëfimi i Islamit që i thoshin shkurt, Cam. Dy metra burrë. I drejtë e me buzë që i shtrihen dhe mezi i lagen, kah flet.

Jo bre, kush ka jetuar aq gatë… nuk e di Cumi. Get qi anërr ka pa. Qesh ai. Ajo ka qenë çika e nji bijës sonë. Kish pas mbetë e vejë. Katuni e ka rritë. Të vetët. Nanën e saj. Edhe Ajnen. Se Ajne, emnin e kish pas. Edhe nër unazë u kanë kur i kish pas ra dergja. Kall’zojnë, te ky çarr e qitke nana e vet e, e lajke. E, me erë mali e terke, edhe zjarrminë ia flladitke. Se, nuk kish pas shtek me i p’shtu asaj dergje. Jo, ebu. Kanë e kapke, mas nj kohe veç te k’ta lisa e rahatojke. Si Ajnen. Për hatër të nanës saj, e prunë k’tu, edhe e vorrosën.Bashkë me unazën dhe teshat e nus’nisë.

Mas ni kohe, hej vonë, do të daltë fare, t’u kujtu q’i ka alltan aty, ia kanë hallakatë edhe eshtnat po tybe gja s’kanë gjetë, ani se thonë…
…qy qy, kërcente Duli, me një hejbe n’krah, i njohur n’krejt rrethinën si Dullë Dunavi. Nuk thojnë bash badihava, jo, kanë gjetë, edhe shumë bile, alltan kanë gjetë se aty vorr hiq s’kish pas. Po leni k’to hajgare. Aty vetëm emen vorri kishin lanë. Edhe e kishin gjetë nji emën, Ajshe. Se eshtna nuk ka pasë. Po ku keni pa ju vorr tre hapa i gatë. Ikni ore, mos më lodhni ma shumë! Alltan kishin pas mshef ner emnin e saj. E, për me ia hup fijen, e kishin m’lu n’kajde t’vorrit. Po, lene ket punë. Ata qi janë kanë t’zotë, e kanë marrë atë pasuni, edhe na nuk e dimë ku janë hiq. E, ju dilni, shihne, k’naqnu me vorre…!

Ja, shihe, i nderuar, mik a i panjohur. Ky është ai Vorri kaq i përfolun. Legjenda që ende rri e mbështjellur në mister.
Çarri, si një burrë i kërleshur kohërash, i rri dhe e ruan aty, te koka, Vorrin e së dashurës. Ajn(sh)es, që dikush i thotë Ajne. Ndërsa, mëtuje, përtej rrugës, në kodrën përballë, kisha e mahallës, që ende është e pashembur, mbanë emrin e Shën Anës. Kjo, më shtyn që, dhe unë ta sajoj një rrëfim sipas vetes sime, në një nga ditët që do të vijnë e që uroj t’mos jetë e largët.

(6 shkurt 2010)

ObserverKult

———————–

Lexo edhe:

SABIT RRUSTEMI: KËTË ZEMËR VETËM MOS E LË