reklamë

Sabit Rrustemi: Tri variantet e një poezie për 11 marsin e vitit 1981

11 MARS 1981

(Varianti i parë)

Në redaksinë e gazetës “Bota e re”
atë mbrëmje
ktheva prej mensës

Ishte revista poetike në TVSH
në nëntëmbëdhjetë e tridhjetë

Vinte vetëm zëri
po jo dhe pamja e Piro Malavecit
tek recitonte mendueshëm mbi male

Valët e asaj drite
sa shkyenin Bjeshkët e Nemuna
në qindra prita repetitorësh binin

E burgjeve të errta të mosparjes
përfundonin

Një guralec
fërfëlloi në dritare
e një dridhje e këndshme zemrës sime

Mos erdhi ajo
në këmbë brofa

Kur dola jashtë
një vrull i paparë rinie
marshonte drejt qendrës

Një pjatë si bisht dallëndysheje
stinën e pritur paralajmëroi

(11 Mars 2012)

PARALAJMËRIM I STINËS SË PRITUR

(Ngjarjeve të 11 Marsit 1981)

(Varianti dytë)

Një guralec fërfëlloi në dritare
e një dridhje e këndshme
zemrës sime

Mos erdhi Ajo
ç’ pret

Një mal mornicash
trupin ma drithëruan

Brofa në çast
hapa derën

Një pjatë
hapësirës së mbyllur
terrin e një nate shkyente n’ fluturim

Mbi kryeqendrën ngjyrë hiri
si bisht dallëndysheje
stinën e pritur paralajmëronte

Ajo do vinte
si s’ do vinte kur e prisja

Shpresën nuk e helmuan
as sjellësit e tymit me gas
as mig -ët tek fluturonin qiellit të nxirë
si sorrëshkinat në ikje me britmë
as dhe dhomat e akullta prapa udbës
në Prishtinë

Ajo
pas bishtit të çdo dallëndysheje
do kthehej për çdo stinë
me ëndrrën e vjetër
mbi shpinë

Të plotë ta rigjente Shqipërinë

( 11 Mars 2015 )

PARALAJMËRIM I STINËS SË PRITUR

(Ngjarjeve të 11 Marsit 1981)

– Varianti III –

Një guralec fërfëlloi
në dritare të redaksisë “Bota e Re”
në Qendrën e studentëve
midis Prishtine
teksa po ngrysej një ditë
e s’po zbardhej nata
nga pesha e pamatshme e territ

Një dridhje e beftë
ma përshkoi zemrën

Sa fola gati në zë

Ai çast i pritur
apo shenja e ardhjes së Saj
po i shpërgjumë muret e palëvizshme

Brofa në çast e dola
barit të saporingjallur
për ta përqafuar
stinën e ëndërruar kahmot

Një pjatë
hapësirës së mbyllur
shqyente terrin që kish pllakosur syve tanë
n’ fluturim

Mbi kryeqendrën ngjyrë hiri
si bisht dallëndysheje
stinën e pritur paralajmëronte

Ajo do t’vinte
si s’do t’vinte
kur e prisnim me pa durim

Shpresën tonë nuk e helmuan më pas
as sjellësit e tymit me gas
as mig -ët që fluturonin ulët
qiellit të nxirë me emër Kosove
si sorrëshkina në ikje plot britmë
as edhe dhomat e akullta
prapa Udbës në Prishtinë

Ajo pjatë shprese
s’pushoni së fluturuari
pas bishtit të çdo dallëndysheje
që kthehej secilës pranverë
me ëndrrën e vjetër
mbi shpinë…

…bëjeni të plotë Shqipërinë

(11 Mars 2015 – 11 Mars 2026)

ObserverKult


Lexo edhe:

Në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” u mbajt takimi me shkrimtarin, Sabit Rrustemi