Sabri Hamiti: Takimi me nostalgjinë

sabri hamiti nanës


Dashuria erdhi papritmas e qullur në shi të papastër, i lau flokët e gjatë me shampon, i ngjeu thonjtë me të kuq, e mprehu buzëqeshjen në pasqyrë, mandej sytë i mbuloi me syza të zeza; që të më mbrojë më rri përpara roje duke e ndjekur gjumin me kamxhik!

Papritmas ia behu një natë Nostalgjia e më gjeti të zbrazët si shtog që fishkëllon e më tha: po u nise për udhë, unë bëhem mollë në xhepin tënd, ecim bashkë kudo.

Gishtat i futa në dy gropat e syve, të dëgjoja më fort, t’i shtypja më thellë kujtimet.

Kur për së mbrami erdhi Xhelozia, Dashurisë iu thyen syzat dhe e shpaloi padashtas syrin e vet të kuq!

Unë nisa t’i vesh rrobet e vjetra, po në mes trupit e tyre mbetej një zbrazëti dhe menjëherë binin përdhé.

E mbas 33 vjetësh isha si para 33 vjetësh, lakuriq, kur doli shpirti e më tha: është vonë për ndërrime, kur e mori gjumi në orën pesë të mëngjesit.

*Shkëputur nga libri i Sabri Hamitit: Leja e njohtimit 1985*

Përgatiti: ObserverKult