Sadedin Mezuraj: Elegji për vajzat e komunizmit

sadedin mezuraj dashuria

Dua të këndoj për ju,
vajza të komunizmit të viteve tetëdhjetë —
por kënga më del si baladë elegjiake.

Imazhet më mjegullohen
kur ngjitnit shkallët e Korpusit Universitar
në mëngjese maji,
të veshura me basmat me lule te Kombinatit,
Me uniforma ushtarake në zbore idiote,
me kazma dhe lopata në aksione vullnetare.

Për ju nuk kishte parada mode,
as konkurse bukurie.
Thjeshtësia shitej si markë
“Made in Albania Communiste.”

Nuk kishte kozmetikë dhe makijazh të rënduar,
parfumi për ju ishte djersa e punës.
Me bukurinë bio ju ishit më të hijshme
se karikaturat e sotme të kirurgjisë plastike.

Ato më të bukurat,
çapkënet
lozonjare,
i ndiqnin djemtë e bordurave
me vështrime të uritura,
erotike,
të dielave mbërma në xhiron e madhe.

O vajza të një kohe të ashpër,
kur bukuria ishte mekat dhe mallkim!
Ju ishit flutura me krahë të prerë,
në lartësi kullash prej hekuri e çeliku
të veshura me kominoshe burrash,
saldonit ëndrra industriale
në kombinatet e të ardhmes së premtuar.

Trupat tuaj, të disiplinuar nga diktatura,
pa bizhuteri
Pa dekolte te ekzagjeruar,
ku gjoksi i bukur
konsiderohej rrezik për moralin e ri.

Tani trupat tuaj janë të lirë…
por të mpakur e të plakur,
dëshmitarë të një rinie të djegur ngadalë.

Si iku rinia juaj, o vajza!
Në radhë për vajguri,
në aksione dhe zbore,
në parakalime butaforike,
në një kohë kur optimizmi
predikohej si fe në shoqërine ateiste.

Dashuritë e fshehta përfliteshin
sikur të ishin teori konspirative.
Ato më të bukurat,
në faqet e revistave të realizmit socialist,
pozonin me maskën e një lumturie gënjeshtare.

Ju kujtoj,
kur nën vështrime meshkujsh (male gaze),
ecnit si drenusha të trembura
në rrugicat e shtrembëta dhe në trotuare.

Tani jeni gra me flokë të thinjura,
endeni udhëve të modernitetit metropolitan,
të veshura me xhinse,
por në sytë e pikëlluar
notojnë dromca nostalgjie morbide —
jo për kohën e izolimit total
por për ëndrrat e thyera
të rinisë së humbur
në kafazin e një utopie vrastare.

ObserverKult