Sadedin Mezuraj: Kush je ti?!

Poezi nga Sadedin Mezuraj

Nga ç’qiell erdhe ti me trëndafilin përvëlues të buzëve barbare?
Isha si një gur i heshtur në vetminë time
Isha si një udhë e braktisur nga kalimtarët në pyll
Nga ç’qiell erdhe ti si një yll me shpatën shkëlqimtare të dashurisë?

Kush je ti ?
Kush je ti që ndërton statuja me gurët e dhimbjes time funebre?
Kush je ti që flamuj triumfi ngre mbi rrënoja dashurish?

Tërbimi yt u derdh si llavë vullkani mbi natën e vetmisë time fatkeqe
Si një qenush i lumtur vija rrotull këmbëve tē tua erotike
Lutesha për ty si të ishe përmbi tokë e fundit perëndi.
Dhe të tregova se jam një burrë i brishtë si fijet e barit
Dhe më tregove se nuk je një kukull barbi e bërë me plastelinë.

Femrat vijnë nga Afërdita- thotë përralla e vjetër e steroetipeve gjinore
Ndërsa ti vije nga Marsi
Me rrufetë e zëmërimit tënd vrastar,
Ti djeg ëndrra
Shkrumbon shpresa
Grua e çmendur
kryeneçe,
Nga pena e Bukowskit mos ke dalë ti?
Panterë e paepur mishi dhe gjaku,
Ti ndërton dhe shkatèrron kështjella ëndrash,
Erdhe si premtim i heshtur parajse,
Ike duke marrë zvarrë zemrën time të shqyer nga tërbimi yt arrogant
Si shigjetë e helmatisur,
Emri yt më mbeti i ngulur në shpirt.

ObserverKult


Lexo edhe:

SADEDIN MEZURAJ: UNË DHE TI FRYMË I FALËM KOHËS…

Ditët u rrotulluan në karuselin e stinëve
Kaq i gjatë dhe iku kaq shpejt ky vit,
Të padukshme janë për shqisat e të tjerëve
Gjurmët që koha na lë në shpirt…

Poezinë e plotë e gjeni KËTU