
(ëndrra 01)
Nga Sadik Krasniqi
Një e krisur e tmerrshme e bubullimës më përplasi në dysheme. Ishte buçitje njëtingëllore. Një buuu si bombë që mbahet në mend përjetë.
Drita e bardhë e rrufesë më frikësoi ankthshëm, saqë isha i bindur se ajo e kishte goditur shtëpinë tonë. Dyshoja se në vete kisha elektricitetin e rrufesë dhe se nuk do të ngrihesha më. Ka goditur afër diku, dëgjova zërin e S-së. Mos e ka vrarë Z-në, pyeta.
Jo, shtëpinë tonë s’e ka goditur, tha S.
Mos i ka kallur fqinjtë, e pyeta S-në.
Ata janë fjetur, tha S.
Pse mbi të fjeturit nuk bie rrufeja, e pyeta me ironi. S. nuk bëzajti. Ngrita shikimin në dritare me perde najloni, pashë se nga qielli nuk reshte shiu, po binte ujë. Zot, gjithë ky ujë nga qielli, do ta bëjë shtëpinë tonë barkë- mendova.
U zgjova i trembur nga zëri i lartë i televizorit, në të cilin luante një film i Shqipërisë, në të cilin binte një shi i rrufeshëm, ku kohë pas kohe dëgjohej e krisura e rrufesë, si në atë ëndrrën time të frikshme. Edhe shtëpia në film ishte e moçme si shtëpia e ëndrrës sime. Në dhomën me perde që shkëlqenin kohë pas kohe nga vetëtima, një djalosh hante bukë të thërrmuar me qepë, spec dhe ullinj. Ai para një gruaje, që ia kishte shtruar bukën në një dërrasë në vend të sofrës, fliste për dy të vdekur.
Djaloshi thatanik që hante ngadalë, me shumë qetësi jepte kumtin për dy viktima në vendin e krimit.
E çuditshme biseda ime me dy të vdekurit e ëndrrës sime, me bisedën e djaloshit me gruan që i solli bukën, për dy të vdekurit e vendit të krimit. Ngjarja onirike me realitetin përmes filmit për katër të vdekurit, e nyjëzuar në sekondën e buçimës së bubullimës, e gjitha kjo,
ç’koincidencë misterioze e ngujuar në enigmë?!
P.s. Unë rri me atë, bisedoj gjatë dhe me ëndje; ngase edhe ajo sheh shpesh ëndrra të çuditshme siç shoh edhe unë! Kemi vendosur që këto ëndrra t’ia rrëfejmë njëri-tjetrit. Ëndrrat i rrëfejmë në veten e parë, ngase janë ëndrrat tona. Besoj se këto ëndrra, një ditë, do të ngjizen në një të rrëfyer të përbashkët e që zor se mund të veçohen se cila ëndërr e cilit është. Madje do të jenë brenda librit me ëndrra të veçanta, me ëndrra jo të trilluara por të vërteta.
E si ta dimë, ndoshta: “Gjithçka që shohim ose që na duket, është veç një ëndërr brenda një ëndrre” siç thotë Edgar Allan Poe.
Nidda, 2 janar 2026
ObserverKult
Lexo edhe:






