Sadri Ahmeti-piktori dhe poeti në një foto

Sadri Ahmeti, Foto nga Qerim Vrioni, 2003
Sadri Ahmeti, Foto nga Qerim Vrioni, 2003

Me piktorin dhe poetin Sadri Ahmeti nga Vuthaj (Mali i Zi,1939 – Tiranë, 2010) isha njohur në një ekspozitë pikture në GKA nëpërmjet Kujtim Halilit, mikut tim të ndjerë, poet dhe njëkohësisht punonjës i saj.

Nga Qerim Vrioni

Ai kishte kaluar një jetë plotë vështirësi. Ishte larguar nga vendlindja me shumë ëndrra për në shtetin amë, i cili e priti krahmbyllur (siç nuk mendonte se do pritej), sepse pas peripecive të ndryshme, si banim i caktuar dhe punë e detyruar, me vështirësi fitoi të drejtën e studimit për Institutin e Arteve, në fillim të viteve ’70. Pas 2-3 vjetësh akademikë, u arrestua për agjitacion-propagandë dhe kreu disa vite burg. Në burgun famëkeq të Spaçit ai pikturoi me fantazinë e tij në akuarele disa portrete vajzash, “të bukurat e dheut të racës shqiptare”, me të cilat siç shprehej me humor, “martoi beqarët e burgosur.”

Në foto: Qerim Vrioni, Sadri Ahmeti, 2004

Sidoqoftë, as burgu dhe as vështirësitë e jetës para tij, Sadriut nuk ia kishin zbehur dëshirën për të bukurën në arte; ai shkruante poezi të ndiera dhe pikturonte akuarele plot hijeshi. Ndoshta të dy fushat e artit ku krijonte i jepnin dorë njëra-tjetrës. Veçse me një ndryshim, ndërsa me fjalë gjëmonte kundra padrejtësive dhe sidomos për qëndresën e popullit të Kosovës ndaj masakrave sllavo-ortodokse, me penel përkëdhelte bukurinë e racës sonë. Gjithashtu, vuajtjet nuk ia kishin tharë ndjenjën e humorit, të cilin e përcillte me atë të folurën e tij të ngadalshme dhe karakteristike, por edhe me të qeshurën e vet që e niste i pari.

Sadriu ka marrë pjesë me akuarele në rreth 15 ekspozita të përbashkëta dhe vetjake, brenda dhe jashtë vendit. Ai mbahet nga kritika e arteve pamore, si një nga 3-4 akuarelistët më të shquar në vend.

Pas viteve ’90, Sadri Ahmeti botoi disa përmbledhje poetike si: “Një e qeshur harbon nëpër errësirë“, “Dielli për në Ballkan nuk kalon nëpër Goli Otok”, “Ajsbergu i preludit të katastrofës”, “Masakra e Tivarit“ dhe në prozë: “33 vjet në mitrën e ferrit të fjalës”, të cilat janë pritur mirë nga lexuesit dhe kritika.

Koha e kësaj fotoje përkon me një ekspozitë kombëtare në mjediset e GKA – së. E fotografova si vjedhurazi kur ai po shikonte dikë në të majtë.

      Ishte nëntor 2003.

*Teksti është shkëputur nga libri-album i sudiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto”, ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës.

ObserverKult