Salajdin Salihu: Flamuri është më shumë se ëndërr, më shumë se frymë…

Elita - nga salajdin salihu

Flamuri është më shumë se ëndërr, më shumë se frymë, është vesë mëngjesi që i jep kuptim stinës.

Flamuri është më shumë se dhembje, më shumë se buzëqeshje, më shumë se çiltërsi fëmije.

Flamuri nuk është pëlhurë që valvitet ndër festa, është agu dhe muzgu i çdo dite.

Flamuri është më shumë se mahnitje, më shumë se ekstazë, më shumë se urim, më shumë se një ngritje dollie.

Flamuri është më shumë se shpresë, më shumë se mall, më shumë se trishtim.

Flamuri nuk është rrëfim i trishtë i pasluftës, që duhet ta dëgjosh me vëmendje dhe pa të drejtë kundërshtimi.

Flamuri nuk është lavdia e pasluftës, që duhet t’i besosh pa të drejtë dyshimi.

Flamuri është vaji i njerëzve pa varre, është qarja e fëmijës së palindur dhe ëndrra e njeriut përballë eskadronit të vdekjes.

Flamuri është malli i një nëne që pret të dashurit kaherë të vdekur dhe afshi i një gruaje të privuar nga prekja e një burri.

Flamuri është luftëtari që kurrë s’e ekspozon plagën, është i flijuari i panjohur i paprekur nga lavdia.

Flamuri është klithja e mbramë e gruas së çnderuar, që vdekja i duket e largët.

Flamuri është dera e ëndërrt dhe dritarja prej fryme brenda burgut.

Flamuri është edhe i pastrehu që kërkon një kafshatë shprese.

Flamuri është edhe i urituri për një buzëqeshje.

Flamuri është edhe i sëmuri pa përkujdesje.

Flamuri është edhe djaloshi apo vasha që kërkon dashurinë e humbur.

Flamuri është mjeku që na mjekon plagët.

Flamuri është ndërtuesi i urës që lidh të sotmen me të djeshmen dhe të nesërmen.

Flamuri është guximi përballë dhunuesit dhe refuzim i mashtrimit.

Flamuri është libri i humbur, historia e pashkruar, biblioteka e djegur, kënga e panjohur dhe piktura e harruar.

Flamuri është ndjenja prej eremiti për gjetjen e një vargu a një poezie.

Flamuri është kënga e shkruar me dorën mbi zemër dhe me kokën nëpër re.

Flamuri është pavdekësia që dëshiron të gjejë strehë në fletat e pashkruara.

Flamuri është diçka prej ëndrre dhe prej fryme, qepur me penj ndjenjash dhe ngjyrosur me spektre drite, që valon në qiell mendimi dhe në univers qenësie.

ObserverKult