(Fragment)
Si student universiteti, shkova një herë në një librari në Kembrixh dhe gjeta një kopje të Fiksioneve të Jorge Luis Borgesit. Ishte e vetmja kopje e disponueshme në anglisht. Mora librin nga tavolina dhe pas një ore vazhdoja ende ta lexoja në këmbë, nuk mund të ndaloja së lexuari. Ishte sikur dikush të kishte hapur ca dyer magjike në mendjen time dhe unë mund të vizitoja vende ku nuk mendoja se ishte e mundur të shkoja. Papritmas, shitësi m’u afrua dhe më pyeti: “A do ta blesh librin?” Në fakt po mendoja ta vidhja, por e bleva. Nëse je me fat, librat ndonjëherë hapin dyer magjike në mendjen tënde dhe të çojnë në vende të reja. Këtë gjë bëri Borhesi me mua, ndërkohë që zëri i tij i përkiste vetëm atij, askujt tjetër. Ishte një zë i rrallë, i fuqishëm dhe befasues, ashtu siç e duam prej shkrimtarëve tanë. Ne duam që ata të jenë vetvetja dhe jo shërbëtorët e dikujt tjetër. Kjo është mënyra. Pastaj autori mund ta ketë parasysh ose jo mendimin e lexuesve, për atë nëse është i mirë, i përshtatshëm dhe i respektueshëm apo jo. Por detyra e autorit është të përpiqet të thotë atë që ka për të thënë, në mënyrën më të mirë të mundshme. Kjo është ajo që në fund u ofron lexuesve; gjithçka tjetër varet prej tyre.
JORGE LUIS BORGES: VUAJTJE DHE PANDËSHKUESHMËRI
Për herë të parë dhe të fundit në jetën time isha i pranishëm në një seancë publike dëgjimore. Seanca dëgjimore e një burri, i cili kishte vuajtur nja katër vjet burg, rrahje, poshtërime dhe torturë të përditshme. Unë prisja t’i dëgjoja ankesat, fyerjet dhe indinjatën e mishit njerëzor, i cili e kishte vuajtur pambarimisht atë mrekullinë mizore që është dhimbja fizike. Por ndodhi diçka tjetër. Ndodhi diçka edhe më e keqe. Viktima ishte zhytur krejtësisht në rutinën e ferrit të vet dhe fliste me thjeshtësi, gati-gati me shpërfillje, për torturat me elektroda, për dhunën, për metodat, për oraret, për birucat, për prangat dhe për zinxhirët. Gjithashtu, edhe për kapuçat. Në zërin e tij nuk kishte urrejtje. Nën vuajtjen e torturës, ai kishte treguar emrat e shokëve të vet; këta do t’i bashkoheshin pak më vonë dhe do t’i thoshin që të mos e vriste mendjen, sepse vetëm pas disa “seancave” kushdo qoftë nis të deklarojë çdo gjë. Përpara prokurorit dhe përpara nesh, dëshmitari rrëfente, me kurajë dhe me përpikëri, ndëshkimet fizike që kishin qenë buka e tij e përditshme.
Dyqind veta ishim duke e dëgjuar, por unë ndjeva se gjendesha në burg. Gjëja më tmerrshme e burgut është se ata që hyjnë në të, nuk dalin dot më kurrë. Si nga kjo edhe nga ajo anë e hekurave, vazhdojnë të jenë të burgosur. I burgosuri dhe burgosësi përfundojnë duke qenë një i vetëm.
Stivensoni besonte se mizoria është mëkati kryesor, ta ushtrosh apo ta vuash atë, do të thotë të arrish njëfarë pandjeshmërie apo pafajësie të tmerrshme. Të dënuarit ngatërrohen me demonët e tyre, martiri me atë që i vuri zjarrin turrës. Në fakt, burgu është i pafund.
Nga gjërat e shumta që dëgjova atë pasdite dhe që shpresoj t’i harroj, po përmend atë çka më la një mbresë të thellë, me qëllim që të çlirohem prej saj. Ndodhi një 24 dhjetor. Të gjithë të burgosurit i çuan në një sallë, ku nuk kishin qenë kurrë. Jo pa habi, këqyrën një tryezë të madhe të shtruar. Këqyrën mësallat, pjatat prej porcelani, lugët e pirunët dhe shishet me verë. Më pas erdhën ushqimet e shijshme (po përsëris fjalët e mysafirit). Ishte darka e Krishtlindjeve. Ishin torturuar dhe e kishin të qartë se do të torturoheshin sërish të nesërmen. U shfaq Zoti i atij Ferri dhe iu uroi Gëzuar Krishtlindjet. Nuk ishte një shpoti, nuk ishte një shfaqje cinizmi, nuk ishte një vrasje ndërgjegje. Ishte, siç thashë më parë, njëfarë pafajësie e së keqes. Ç’të mendosh për gjithë këtë? Unë, personalisht, nuk besoj në vullnetin e lirë. Nuk besoj në ndëshkime dhe shpërblime. Nuk besoj në skëterrë dhe në qiell. Almafuerte ka shkruar:
Jemi të parathënë, të paracaktuar,
nëse ka një Zot, nëse ka një të Gjithëdijshëm,
atëherë, qysh më parë se të jenë, janë
gjithë Judët, Pilatët dhe Krishtët!
Sidoqoftë, të mos e gjykosh e të mos e ndëshkosh krimin, do të thotë ta inkurajosh mosndëshkimin dhe, njëfarësoj, të kthehesh në bashkëpunëtor. Është diçka e çuditshme që ushtarakët, të cilët e shfuqizuan Kodin Civil dhe parapëlqyen rrëmbimet e njerëzve, torturat dhe ekzekutimet klandestine, përpara zbatimit të ligjit, tani kërkojnë të përfitojnë nga të mirat e asaj relikte dhe lypin avokatë mbrojtës të zotë. Dhe, jo më pak e habitshme është që të ketë avokatë, të cilët, padyshim në mënyrë të çinteresuar, përkushtohen t’i ruajnë nga çdo rrezik mohuesit e tyre të djeshëm.
Gazeta “Clarín”, 31 korrik, 1985
Përktheu: Bajram Karabolli
LEXO EDHE: ËSHTË DASHURIA…POEZI NGA JORGE LUIS BORGES