Salman Rushdie: O Zot… a të dashuroj unë?

Lajmi i ndarjes së Solankës nga Leonora kishte përcjellë valë tronditjeje në të gjithë rrethin e tyre shoqëror. Çdo martesë e zhbërë ngre pikëpyetje mbi ato që vijojnë të mbahen. Malik Solanka ishte i ndërgjegjshëm se kishte shkaktuar një reaksion zinxhir të përbërë prej pyetjesh të thëna e të pathëna nëpër tryezat e bukës në të gjithë qytetin si dhe nëpër shtretër, madje edhe në qytete të tjera: “Ende jemi mirë me njëri-tjetrin? Po mirë, po sa mirë jemi? Më ke fshehur ndonjë gjë? Do të vijë ajo ditë kur të zgjohem dhe ti do të më thuash diçka, nga e cila do të kuptoj se kam fjetur në një shtrat me një të huaj? Si do ta ribëjë e nesërmja të sotmen, si do t’i zhbëjë java tjetër pesë, dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjetët që kemi kaluar bashkë? Të jam mërzitur? Mos e kam unë fajin? Mos je më i dobët nga ç’të kisha kujtuar? Mos është për shkak të tij? Mos është për shkak të saj? Mos e ka fajin seksi? Apo fëmijët? Dëshiron t’i rregullojmë gjërat? A mund të rregullohet diçka? Më dashuron? Vazhdon të më dashurosh? O Zot, a të dashuroj unë?!”
Të gjitha këto agoni, për të cilat miqtë e bënin atë me faj deri në një shkallë të papërcaktuar, ktheheshin si jehonë deri tek ai vetë. Përkundër embargos të tij të theksuar, Leonora ua kishte dhënë numrin e tij të telefonit në Manhatan të gjithëve atyre që ia kishin kërkuar. Më shumë se gratë ishin burrat ata që merrnin në telefon për ta qortuar. I pari kishte qenë Morgen Franci, botuesi budist post-hipi, telefonit të të cilit para gjithë atyre viteve i ishte përgjigjur Leonora. Morgeni ishte kalifornian dhe i kishte fshehur kësaj së vërtete në Blumsberi, por asnjëherë nuk kiste mundur ta ndreqte të folurën e trashë dhe të ngadaltë.
-Më ka ardhur shumë keq, plako, -e kishte telefonuar Malikun për t’i treguar me ato zanoret e stërzgjatura më shumë se zakonisht për dhembjen që i kishte shkaktuar.
-Dhe për më tepër, nuk njoh njeri që të mos i ketë ardhur keq. Plako, nuk e di pse na e bëre këtë, por ngaqë e di se nuk je as maskara, as qelbanik, jam i sigurt se duhet të kesh arsyet e tua, jam i sigurt për këtë, e di? Dhe duhet të jenë arsye të forta, plako, nuk kam dyshim për këtë,ça të them, ju dua të dyve, kupton? Të dyve ju dua, vetëm se tani, në këtë çast, seç më është mbledhur një inat i madh kundër teje.
Solanka po ravijëzonte në mendje pamjen e fytyrës së skuqur me mjekër të shkurtër të mikut të tij, me sytë e vegjël e të thellë, që shkëlqenin egërsisht për të theksuar fjalët që i dilnin nga goja. Franci kishte një gjakftohtësi legjendare (“Nuk ka njeri më gjakftohtë se plaku Morg”, -thoshte pa pra vetë Franci), kështu që ky kulminacion i erdhi i papritur. Megjithatë, Solanka e ruajti gjakftohtësinë dhe ia lejoi vetes t’i shprehte ndjenjat pastër dhe pa dorashka.
-Përpara gjashtë, shtatë apo tetë vjetësh, -ia priti, -e mbuluar në lot, Lina merrte vijimisht Leonorën në telefon, sepse ti nuk pranoje ta lije shtatzënë. Dhe e di çfarë? Edhe ti kishe arsyet e tua, kishe atë inatin tënd kundër racës njerëzore dhe në lidhje me fëmijët, ashtu sikurse edhe me Filadelfian, mbajte qëndrimin e Fildsit. Morgen, edhe mua më ishte mbledhur një inat i madh kundër teje atëherë. Kur pashë që Lina zuri të kujdeset për macet në vend të fëmijëve, m’u mblodh një lëmsh në grykë. Por e di çfarë? Unë nuk të mora në telefon për të të qortuar apo për të pyetur se ç’thonë mësimet budiste në lidhje më këtë temë, sepse m’u duk se punët e tua dhe të gruas sate nuk më hynin aspak në xhep.
Sepse ishin punët tuaja vetjake, meqenëse nuk ishte se ti e rrihje gruan, sepse, tekefundit, zemrën po i thyeje dhe jo kockat e trupit. Kështu që më bëj një nder e m’u zhduk. Bëhet fjalë për jetën time, jo për tënden.
Dhe ja, kështu u tret miqësia e tyre e vjetër, tetë a nëntë Krishtlindje të kaluara reciprokisht në shtëpinë e njëri –tjetrit, lojërat me gjëegjëza, lojërat me pantomima, dashuria. Të nesërmen në mëngjes e mori në telefon Linë Franci për t’i treguar se fjalët që kishte thënë, ishin të pafalshme.
-Desha të të them, -shtoi ajo me atë zërin e ulët gati në përshpëritje, me anglishten tepër ceremoniale prej amerikaneje me origjinë nga Vietnami, -se braktisja që i ke bërë Leonorës, na ka bashkuar edhe më shumë  me Morgenin. Ndërsa Leonora është grua e fortë dhe do t’i marrë në dorë frerët e jetës së saj shumë shpejt, pasi të ketë vajtuar. Jetët tona do të vazhdojnë edhe pa ty, Malik, dhe i humburi do të jesh ti. Më vjen shumë keq për ty.

*Shkëputur nga romani i Salman Rushdie: “Furia”

Shqipëroi: Ilir I. Baçi

Përgatiti: ObserverKult

————-

LEXO EDHE:

SALMAN RUSHDIE: BORGES HAPI CA DYER MAGJIKE NË MENDJEN TIME