Jeta dhe vepra e Salvador Dalì janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me njëra-tjetrën. Shumë ndodhi të jetës së këtij artisti, pasqyrohen në mënyrë të drejtpërdrejt në krijimet e tij dhe numri më i madh i pikturave mund të kuptohen vetëm në bazë të ngjarjeve që kanë shënuar biografinë e tij.
Jeta dhe vepra e Salvador Dalì janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me njëra-tjetrën. Shumë ndodhi të jetës së këtij artisti, pasqyrohen në mënyrë të drejtpërdrejt në krijimet e tij dhe numri më i madh i pikturave mund të kuptohen vetëm në bazë të ngjarjeve që kanë shënuar biografinë e tij. Dalì mori mësimin e parë te vizatimit në moshën 10 vjeçare, nën drejtimin e piktorit të famshëm impresionist Ramon Pichot (1872 – 1925), mik i babait. Gjatë këtyre leksioneve, që u zhvilluan në “Mulì de la Torre”, një mulli në pronësinë e familjes Pichot, Dalì mësoi të njohë teknikën e impresionistëve. Më vonë do të tregojë që ka qenë i influencuar fuqishëm nga vepra e Pichot, të cilat përfaqësojnë lidhjen e tij të parë me një rrymë artistike, jo akademike.
Në vizatimet dhe pikturat e kësaj periudhe Dalì pikturon, përveç portreteve familjare, sidomos pejsazhet e tokës së tij Katalonjës, që do të shfaqen shumë shpesh në veprën e tij.
Në 1922, pas mbarimit të periudhës shkollore, Dalì fillon studimet pranë Akademisë Mbretërore të Arteve të Bukura në Madrid. Studenti rebel, menjëherë pasi u regjistrua në akademi u pezullua, sepse u quajt lider i një manifestimi studentor kundër emërimit të një profesori të konsideruar tepër konservator.
Pak kohë më vonë në 1925, galeria Dalmau e Barcelonës organizon ekspozitën e tij të parë personale, që ngjalli kritika veçanërisht pozitive. Në qershor të 1926, i riu Dalì duhet sidoqoftë të lërë Akademinë për herë të dytë, sepse refuzoi të jepte provimet. I bindur për talentin e tij, mendon se kurikulumi i pedagogëve nuk është i denjë për një gjykim të drejtë.
Kështu Dalì kaloi shumë kohë në Figueras, ku i kushtohet intensivisht studimeve artistike. Megjithatë, periudha e shkurtër e kaluar në Madrid rezulton thelbësore për fazën e mëvonshme të jetës së tij, edhe sepse përputhet me lindjen e miqësisë me Luis Bunuel e Federico Garsia Lorca dhe me lidhjet e para të surrealizmit.
Periudha midis 1929 dhe shpërthimit të luftës në Evropë, përkon me fazën më prodhimtare dhe domethënëse të aktivitetit artistik të Dalisë. Në këto vite ai takon Gala Eluard, që do të bëhet gruaja e tij, hyn në grupin e surrealistëve dhe zhvillon metodën e famshme “paranoike-kritike”, një proces artistik me të cilin do të qëndrojë i lidhur për të gjithë jetën dhe që përbën një nga kontributet më të rëndësishme që i është dhënë ndonjëherë lëvizjes surrealiste.
Në studimet e shumta në numër që shfaqen në publikimet surrealiste, Dalì ilustron idetë e tij dhe evolucionin e tyre, meqenëse tashmë ka elaboruar (zhvilluar) në pikturën e tij, një stil krejt personal që do ta bëjë të famshëm në të gjithë botën.
Në këtë periudhë lindin veprat e tij më të famshme dhe mbërrijnë edhe kënaqësitë e para financiare: kontratat me tregtarë të artit i sigurojnë të ardhura të rregullta dhe krijojnë kështu, kushtet ekonomike për t’i lënë rrugë të lirë krijimtarisë artistike.
Vitet midis 1936-1939 u kushtëzuan në mënyrë të ndjeshme nga ngjarjet politike që pasuan Europën. Kur në verën e 1936 shpërtheu lufta civile spanjolle, Dalì gjendej në Londër. Për shkak të gjendjes politike, do të arrijë të kthehet në atdhe vetëm dy herë dhe për kohë të shkurtër, përpara se të nisej më 1940 për azil në Amerikë. Veprat e Dalisë tregojnë në këtë periudhë një siguri stilistike dhe një maturi që shënojnë suksesin sa në Evropë, po aq edhe në Shtetet e Bashkuara. Pak më herët se të fillonte lufta civile artisti i jep jetë një sërë pikturave, që duket sikur i paraprijnë mizorive të luftës së pashmangshme, ndërkohë që në vepra të tjera fut referime të qarta mbi realitetin politik evropian. Gjithmonë në këtë periudhë Dalì pikturon anamorfozën e tij, “imazhet e shumëfishta”, një lloj enigmash mbi telajo, në të cilat shikuesi mund të shohë të pasqyruara subjekte që heshtin sipas aftësisë së imagjinatës.
Ndryshe nga periudha e frytshme si pasojë e takimit me Galën, në tetë vitet e azilit Dalì pikturon relativisht pak, nga ana tjetër shkruan biografinë e tij të parë, “Jeta sekrete e Salvador Dalì” dhe mbi të gjitha krijon vepra me porosi: lindin kështu një numër i madh ilustrimesh për libra, skenografi, projekte për kostumografi teatri. Ndërkaq Dalì projekton dekoracione dhe punon për botën e reklamave dhe për gazeta periodike (revista).
Megjithatë gjatë periudhës së azilit, shfaqet tek ai nostalgjia për besimin katolik dhe një interes i veçante për klasicizmin.
Në autobiografinë e tij rrëfen: “Deri në atë moment më mungonte besimi dhe kisha frikë se do të vdisja pa shkuar në parajsë” dhe e ilustron këtë frazë me një pikturë që paraqet figurën e një njeriu përpara një kishe të periudhës së rilindjes, me dorën e majtë të ngritur drejt qiellit që përpiqej të mbante një kryq, sikur të priste një iluminim ose një shenjë hyjnore. Në korrik 1948, pas tetë vitesh të qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, Gala dhe Dalì ndërmarrin kthimin në Evropë dhe që këtej e tutje do ta kalojnë gjithmonë verën në Port Lligat, vjeshtën në Paris, dimrin në Nju Jork.
Në veprat e Dalisë të kësaj periudhe do të përvijohen dy linjat me tendencë thelbësore: nga njëra anë artisti interesohet gjithmonë e më shumë mbi dukuritë shkencore dhe teorinë e atomit, aq sa zhvillon konceptin e “pikturës atomike” ose “pikturës nukleare”; nga ana tjetër lindin vepra që trajtojnë tema fetare, si “Madona e Port Lligat”.
Që në fillimin e viteve 40 u shfaq hapur afrimi i Dalisë me fenë katolike, por tani ai ballafaqohet në mënyrë akoma më të fortë me rrënjët e tij fetare dhe i dedikohet studimit të spanjolleve mistikë.
Në 1949 arrin madje të fitojë një audiencë private me Papën, gjatë së cilës i tregon atij “Madonën e Port Lligat”, të parën e një serie të tërë. Me kalimin e viteve Dalì konstaton se ka arritur kufijtë e pikturës së tij dhe kërkon t’i zgjerojë ato duke përshkruar teknika të reja dhe duke ndërmarrë kërkime mbi perceptimin e optikës. Interesi i tij për shkencat natyrore moderne, transformohet tani në një simbol që shpesh rëndon pikturat e tij.
Çdo vit gjatë verës në Port Lligat lind një pikturë monumentale që në të shumtën e rasteve është një temë historike dhe kërkon të përfaqësojë vizionin e artistit për botën, sintezën midis shkencës natyrale dhe metafizikës. Nga këndvështrimi stilistik puna mbi veprat e mëparshme përzihet me citimin e traditës klasike, ndërkohë që shfaqen jehonat e rrymave artistike bashkëkohore. Dalì e konsideron tani pikturën si një instrument për të përfaqësuar imazhin e tij në botë, në një përzierje përgjithësuese të jetës dhe eksperiencës.
Ne vitet 70 Dalì pikturon gjithmonë e më pak dhe i përkushtohet në një mënyre akoma më të zellshme, projektimit dhe organizimit të muzeut dedikuar atij në qytetin e lindjes, Figueras. Shfaqja e tij e vazhdueshme në massmedia dhe disa retrospektiva te shkëlqyera në muzetë më të rëndësishëm, e bëjnë popullor në të gjithë botën dhe e afrojnë me një publik tjetër me një moshë më të re.
Në të njëjtën kohë ai kryen eksperimente për realizimin e pikturave në tavolina tredimensionale, që kërkojnë një sistem prizmash dhe pasqyrash; si dhe olograma artistike, që kërkojnë një teknikë të krijuar vetëm pak kohë më parë. Në 1982 vdes Gala. Pavarësisht ftohjes në rritje të lidhjes së tyre gjatë viteve të fundit, Dalì ngeli me të vërtetë i tronditur dhe u mbyll gjithmonë e më shumë në vetvete. Tashmë nuk pikturon thuajse fare dhe është gati i fiksuar mbas idesë që do të bëhet i pavdekshëm.
Në 23 janar 1989 artisti shuhet në Torre di Galatea në muzeun e Figueras, ku jetonte prej disa vitesh.
Miqësia me Lorkën, vetëm miqësi
“Odë për Salvador Dalì” e Garsia Lorkës, nuk është gjë tjetër veçse një dëshmi e intensitetit të lidhjes së tyre që, siç do ta parashikonte Dalì më vonë, për poetin homoseksual është më shumë se një miqësi.
Dalì ndihet tepër i mrekulluar nga miqësia me Lorkën, por nuk ka aspak eksperiencën e duhur seksuale dhe ndihet në pozitë të vështirë se mos edhe atë e marrin për homoseksual. Edhe shumë kohë pas vdekjes së Garsia Lorkës, artisti do të vazhdojë të ngul këmbë se midis tyre nuk ka patur kurrë lidhje fizike. Megjithatë, fotot e asaj periudhe tregojnë për një familjaritet, gati intim, midis dy të rinjve. Miqësia midis artistit dhe Garsia Lorkës do të zgjasë thuajse deri më 1928, kur Dalì nisi ta vlerësonte reaksionare mënyrën me të cilën poeti fuste elementin folkloristik dhe dialektik në veprat e tij, duke refuzuar kështu, gjithmonë e më me tepër forcë, sjelljet romantike në drejtim të tij. Garsia Lorka, që gjate luftës civile spanjolle do të luftojë në krah të republikanëve dhe në 1936 do të pushkatohet nga fashistët e gjeneral Frankos. Dalì në atë periudhë, pas shumë vitesh ndarje, kishte pak kohë që ishte riafruar me mikun e vjetër dhe si pasojë do të ngelet shumë i tronditur për vdekjen e tij.
Dali dhe kinematografia surrealiste…
Ne 1928 Luis Bunuel i propozon Dalise të xhirojnë një film së bashku, “Un chien andalou” (“Një qen andaluzian”). Piktori shfaqet menjëherë entuziast për projektin, por jo për skenarin, aq sa do të vendoste ta shkruante vetë atë. Bunuel është i detyruar ta pranojë që propozimi i Dalisë është më i miri dhe kështu të dy miqtë u takuan në Figueres për të punuar mbi projektin.
I vetmi rregull që filmi do të respektojë është shumë i thjeshtë: idetë prej të cilave lindte çdo skenë nuk duhet t’i nënshtrohen asnjë logjike; janë të lejuara vetëm paarsyeshmeria dhe efekti surprizë. Xhirimet u kryen në Paris brenda dy javëve, edhe pse nuk dihet kur ka marre pjesë Dalì, i cili në këtë film luante si figurant në rolin e një prifti.
Në qershor 1929 u zhvillua shfaqja e parë private e filmit, në të cilën merrnin pjesë ndër të tjerë edhe Pablo Picaso, arkitekti Courbusier dhe poeti Andrè Breton, udhëheqësi i surrealistëve. Ky i fundit e dalloi menjëherë talentin e jashtëzakonshëm të Dalì dhe Bunuel dhe pa hezituar e vlerëson pelikulën si filmin e parë surrealist. Pak kohë më vonë reçensione të shumta, të publikuara përpara se filmi të shfaqej, e lavdëronin atë duke e cilësuar si kthesë në historinë e kinemasë dhe një kryevepër të surrealizmit. Fati i kësaj vepre është i përcaktuar të zërë një vend të rëndësishëm në historinë e kinemasë. Teknika e montazhit dhe intriga e temave narrative të kujtojnë proçesin e zhvillimit “të shkrimit automatik” të ideuar nga surrealistët dhe që ka si qëllim të nxjerrë në dritë mendime të pandërgjegjshme dhe të paarsyeshme që konsiderohen edhe sot si zbulime thelbësore në estetikën e kinematografisë së shekullit XX.
Në fund të xhirimeve Dalì kthehet në Spanjë dhe i përkushtohet përsëri ekskluzivisht pikturës, aq sa në tetor nuk do të paraqitet në premierën e filmit për publikun dhe do të kthehet në Paris vetëm në nëntor.
Dali dhe Gala, gruaja ideale…
Në muajt e verës të vitit 1929 artisti krijon pikturën e famshme “Loja e kobshme”, që do të skandalizojë edhe vetë miqtë surrealistë. Sjellja e Dalisë përmban momente esterike, ndërkohë që pikturat zbulojnë mankthet e tij të vërteta dhe janë të mbushura me pamje që të trondisin.
Më në fund në Cadaques takon poetin francez Paul Eluard, të shoqëruar nga e bija dhe bashkëshortja Gala. Dalì ndihet menjëherë i tërhequr prej kësaj të fundit. Ndërkohë esterija e tij bëhet kaq e theksuar, saqë miqtë fillojnë të shqetësohen dhe i luten Galas të kujdesej për të.
Për tu vendosur në qendër të vëmendjes, Dalì sillet në mënyrë akoma më të çuditshme dhe sikur të mos mjaftonte, sa herë që takonte Galan e kapte një krizë të qeshurash të pakontrollueshme. Për ta qetësuar ajo detyrohej t’i kapte duart dhe t’i premtonte që nuk do ta linte kurrë. Shumë shpejt do të duket qartë, që Gala dhe Dalì janë bërë të pandashëm dhe kur Eluard i shtron gruas së tij ultimatumin duke e urdhëruar të kthehej me të në Paris, Gala vendos të qëndrojë në Cadaques me piktorin.
Gala (emri i vërtetë i të cilës është Helena Devulina Diakonoff) është dhjetë vjet më e madhe se Dalì dhe ka origjinë ruse. Eluard e ka njohur në një sanatorium zviceran në 1912 dhe martohet me të pas katër vitesh.
Nëpërmjet të shoqit, Gala vendos lidhjet me surrealistet dhe me shumë artistë të tjerë modernë, midis tyre edhe me piktorin Max Ernst, me të cilin në të kaluarën gruaja e lirë dhe pa paragjykime kishte patur një histori dashurie. Gala zotëron një ndjeshmëri artistike të veçantë dhe tepër të gjallë, e cila vlerësohet shumë nga surrealistët. Roli i saj si këshilltare dhe muzë frymëzuese, ishte bërë i njohur nga Max Ernst në 1922 në një pikturë me titull “Rendezvous e miqve”, në të cilën gruaja shfaqet si i vetmi personazh që nuk ushtron një aktivitet krijues në mes te piktorëve, poetëve dhe filozofëve.
Tek Gala, Dalì gjen shoqen ideale të jetës, pa të cilën ka shumë mundësi që esterija e tij të kthehej në patologji. Ashtu siç nuk do të harrojë të nënvizojë vetë artisti nga Katalonja në shkrimet e tij, Gala nuk është për të vetëm e dashura që kishte kohë që e priste, por është edhe një terapeute e aftë për t’i shpëtuar j etën.
Në 10 qershor 1982 ndahet nga jeta Gala. Thuhet se kur Dalì e mori lajmin për vdekjen e saj, u përgjigj se nuk mund të ishte e vërtetë, sepse “ajo nuk do te vdesë kurrë”. Gala u varros në kështjellën e tij në Pubol dhe menjëherë një muaj më vonë Dalisë i dorëzohet nga mbreti Juan Carlos I, titulli i markezit të Pubol.
Në fillim të 1983 gjendja shëndetësore e artistit përkeqësohet dhe si pasojë e refuzimit që ai i bën ushqimit. I fiksuar mbas idesë së të qënurit i pavdekshëm, ai në fakt shpreson të arrijë të bie në gjendjen e letargjisë artificiale, aq sa në nj ë moment do të duhet të ushqehet tërësisht vetëm nga një sondë gastriti.
Shëndeti i tij do të përmirësohet vetëm për një kohë të shkurtër. Por, pavarësisht kujdesit që iu tregua, si pasojë e një goditje apoplektike, Dalì u shua në 23 janar 1989. Sipas dëshirës që ai kishte shprehur, trupi i tij u ballsamos dhe u ekspozua për një javë në muzeun e Figueras. Më pas ai u varros në ndërtesën e muzeut, ku një lapidar i vogël tregon varrin e tij.