Sami Piraj: Këngët arbëreshe të habisin, të ngazëllejnë dhe të motivojnë t’i studiosh tutje

arbëreshe

KËNGA ARBËRESHE

Nga Sami Piraj

Të futesh në këngën dhe melosin arbëresh, mbetesh i habitur, por njëkohësisht i ngazëllyer dhe i motivuar të gjurmosh rrënjët muzikore të këtij nën qielli. Çfarë dua të them më këtë?! Asnjëherë nuk më ka shkuar mëndja se shumë këngë të cilat janë prore aq të pranishme në opusin e këngës shqipe, kanë origjinë arbëreshe. Edhe pse ato modifikohen, orkestrohen dhe interpretohen në forma të ndryshme të kultivimit zhanror, esenciale mbetet timbri dhe shpirti i një populli të migruar që aq shumë i dha këngës shqiptare. Do të thosha pa asnjë mëdyshje që as letërsia shqiptare nuk do të kishte at peshë sikur mos të ishte shpirti i De Radës dhe arbëreshëve të tjerë.

Tradita nuk është statike dhe ajo dinamizohet në etapa të ndryshme. Merr formë dhe përmbajtje nga më të ndryshmet, varësisht nga qasja dhe mënyra e shtjellimit, gjithnjë duke pasur parasysh profesionalizmin në formë dhe përmbajtje. Aq sa kisha informacione nga koncertet dhe paraqitjet skenike të grupeve muzikore arbëreshe, aq kisha edhe ndjenjën e bukur të muzikalitetit të këtij populli që jeton në katundet në jug të Italisë.

Aq më bënte përshtypje Himni i tyre i cili përcjellë tash e 600 vjet rresht, atë ndjenjën e dhembjes së ndarjes dhe mallëngjimit. Dhe 600 vjet kjo ndjenjë kurrë nuk u venit, përkundrazi është e prekshme dhe e përjetësuar si një frymëzim për gjeneratat e reja. Kënga “Moj e bukura More” edhe ndjehet, edhe këndohet, edhe interpretohet, edhe vlerësohet, edhe rimëkëmbet, edhe frymëzohet për të dhënë një mesazh të qartë. Ky mesazh është shpalosje e identitetit kombëtar përmes vargjeve: “Si të lash e më s’të pash, atje e kam zonjën mëmë, atje e kam edhe tim vëlla, gjithë mbuluar në një dhe”.

Janë me dhjetëra e qindra interpretime nga këngëtarët e ndryshëm, kurse për kuriozitet dhe informacionin e juaj, kjo këngë është interpretuar në versionin origjinal edhe nga këngëtarët që nuk janë me origjine shqiptare. Tek kënga “Kjani trima” me rastin e vdekjes së Skënderbeut, që merret si një humbje e pazëvendësueshme për ruajtjen e krishterimit në trojet arbëreshe dhe mëtanë detit Adriatik dhe Jon, poeti i këngës e thotë në mënyrë brilante duke treguar atë humbje në mënyrë rrëqethëse: “Më thajti gjunjët dhe më ngriri dejt…. Kjani trima të gjithë me lot, se iku dielli që na bëri dritë”.

Por cili është motivi muzikor që përjetësohet në Këngët arbëreshe? Pjesa dërmuese e këngëve formësohet në tonalitetin mol ose minore. Melodia e këtyre këngëve fillon me motive të cilat ngërthejnë nostalgji, dhembje, drithërimë të cilat akcentohen përmes tekstit të shtjelluar me motive për mallin, dhembjen dhe humbjen e asaj që mbetet e përjetshme: malli për mëmëdheun. Motivet e këngëve valorizohen në orkestrime dhe narracionin tekstual.

Zakonisht në versionet origjinale këto këngë përcillen me kitarë e fizarmonikë si bazë harmonike dhe melodike, shpesh herë me mandolinata e më vonë edhe me instrumente të tjera, siç është violina, por edhe instrumentet e tjera ritmike: defi, me gjuhën origjinale tamburini dhe çuditërisht në vallëzime edhe lodra.

Në debatet e logjikës akademike e kulturore, ekzistojnë diskutime lidhur me frymën e kësaj këngë që shpeshherë i përshkon logjika e narracionit muzikor me tinguj lamantose dhe të brumosura me vaje të shtjellimit muzikor. E logjikshme është kjo ndjesi, sepse të frymës së tillë i hasim te popujt ku dominon ndjenja e arratisjes nga dëbimet e formave të ndryshme të represionit: duke filluar nga ato fizike, pastaj kulturore dhe asaj fetare. Arbëreshet e ruajtën konfesionin e tyre. Ka shumë fakte që argumentojnë këtë, por që ne nuk do të ndalemi për eksploruar më tej.

Ritmi që anon kah forma e valsit

Duke gjurmuar në rrënjët e këngëve arbëreshe, që edhe pas qindra vjetëve ende i hasim të freskëta me interpretime nga më të ndryshmet, por edhe të modifikuara e të përshtatura kohës, ndalemi tek mënyra e këndimit nga solistët më në zë që i ka pasur dhe i ka sot skena muzikore shqiptare.

Ndalemi, për shembull, te interpretimi fantastik i solistes primadonë, Vaçe Zela me këngën “Moj e bukura Arbëri”, pastaj Elhaida Dani, po ashtu me këngën “Moj e bukura Arbëri”, Tringa Rexhepi soliste nga Gjilani që jeton në Kanada e shumë të tjera. Vijojnë këngët: “Moj e bukura More” nga Inva Mula, e njëjta kënga nga Elsa Lila, një interpretim fantastik, pastaj këngëtari shqiptar nga Zvicra, Gjon’s Teras, apo Gjon Muharremaj, që u kurorëzua me vendin e tretë në Evrovizionin e para fundit, pastaj Elina Duni, në mënyrën e vet origjinale e vijojmë tek kënga: “Një ditë u ndodha të veja të shkëmbi” e super hiti: “ Vajta kalova”, të interpretuar me dhjetëra këngëtarë më të mirët shqiptar e deri tek Ardian Trebicka “O yll i bukur” e shumë të tjerë.

E veçanta e këngëve të këtij nënqielli mbetet ritmi në taktin apo masën 3 të 4 të formës së valsit. Tonaliteti i realizimit të tyre varet nga zëri i interpretative dhe vokacioni i tyre i preferuar. Kurse orkestrimet e këngëve janë të harmonizuara dhe të përshtatura, varësisht nga potenciali i orkestruesve dhe shija e tyre kontrapunktike dhe harmonike.

Shprehja muzikore që kërkon një origjinalitet të theksuar…

Këngët arbëreshe janë origjinale dhe ky origjinalitet mbetet përkushtim i detyrueshëm i gjithë atyre që kanë shfaqur dhe shfaqin dëshirën që të jenë pjesë integrale e këtyre krijimeve. Nuk është fjala vetëm te muzika, por edhe tek interpretimi i tyre, kostumet dhe veçanërisht teksti i përfaqësuar në këngë. Çdo mosnjohje e gjuhës dhe origjinalitetit arbëresh, mund të rrëshqas në lajthitje tekstuale, madje deri tek elementet groteske për shkak të mosnjohjes dhe problemeve të theksit të këtyre këngëve.

Jemi dëshmitar te një pjesë e solistëve në një periudhë më parë kur kënga arbëreshe merr dimensione më të theksuara në skenë dhe nxirret nga margjina. Shumë solistë nuk njihnin domethënien e tekstit dhe pastaj ato krijonin konfuzion përmbajtësor. Fjala është tek kënga “Vajta kalova”, kur në refrenin e kësaj këngë solistët që nuk kuptonin gjuhën dhe kuptimin origjinal të shprehjes, dilnin më një jo kuptimësi dhe krijonin kakofoni tekstuale si për shembull: Në vend të fjalëve “E lule lule mace mace…. e unë pe ty o dale pace…. “, ata këndonin” E lum e lum për fatin tonë se zemra ime po vajton…. etj!? Këtu komentet janë të tepërta.

Edhe kostumet kanë një histori të begatë. Larushia e tyre e ngjyrave dhe me një kultivim në skenë, pastaj gracioziteti i lojës dhe i shprehjes, e bëjnë këtë thesar të veçantë dhe shumë të dëshiruar në skenat e koncerteve. Ritmi i përafërt me tarantelat e kohës, si një nga format e kultivuara skenike në vendet e qytetëruara, por edhe mënyra e lojës dhe e shtjellimit skenik, këto valle arbëreshe u joshën edhe nga shumë koreograf, të cilët me dashuri i qasen dhe i vendosin në skenë për ansamblet profesionale shqiptare.

Por, këto tipare karakteristike me shumë dashuri, përpunohen edhe në ansamblet ndërkombëtare, siç na ka rastësisë t’i shohim edhe në SHBA e gjetiu. Kjo është edhe një dëshmi se kënga dhe vallja arbëreshe është ende e freskët dhe shumë interesante edhe pas kaq shekujve. E thash edhe në fillim, se çdo tentim të futesh në eksplorimin e tyre, të shfaqen argumente të fuqishme se ky material muzikor kërkon një trajtim shumë më profesional dhe më të thukët nga ekspertët e fushave, sepse dimensioni i saj konsideroj se është fundamental për muzikën shqiptare.

ObserverKult

Lexo edhe:

Nga tradita arbëreshe/ A keni dëgjuar për “kezën”, a e dini çka është?

Vallja e Skënderbeut ende e gjallë në katundet arbëreshe