Nga Roberto Saviano
Ndoshta për mua është diçka e pazakontë, por do të doja të tregoja një histori dashurie që më hyri brenda vetes dhe nuk doli më. Siç ndodh ngaherë me historitë e rëndësishme që lexon apo dëgjon.
Është pranvera e 1973-shit. Shumë kohë më parë, para se unë të lindja. Një vajzë që ka shkuar në ekskursion me famullinë, një vajzë nga Alto Adixheja, humbet nëpër rrugët e Romës, ndoshta qyteti më i madh ku ka përfunduar ndonjëherë në jetën e saj.
Duhet të shkojë në sheshin Venecia dhe është në Campo de’ Fiori, e nuk di rrugën. Sheh një zotëri të ulur dhe i kërkon udhëzime. Zotëria ka veshur një xhaketë me thekë dhe ka flokë të verdhë dhe të gjatë.
Duket një hippy. Ngrihet, është shumë i gjatë, më shumë se një metër e nëntëdhjetë. Dhe jo vetëm i jep udhëzimin, por i ofrohet ta shoqërojë.
Ajo vë re se ai çalon dhe i thotë: “Mos u shqetësoni, shkoj vetë”.
“Jo, do t’ju shoqëroj”.
Kështu Piergiorgio Welby dhe Wilhelmine Schet, e quajtur Mina, nisen së bashku drejtë sheshit Venecia. Rrugës flasin për gjithçka që mund të flitet në pak minuta. Ai 68-sh, laik, ka shëtitur Europën, shkruan, pikturon. Ajo katolike praktikuese, në udhëtim me famullinë në Romë. E megjithatë, këto dy botë në dukje kaq të largëta, takohen.
Kur përshëndeten, shkëmbejnë numrat e telefonit dhe adresat. Fillojnë t’i shkruajnë njëri-tjetrit, të flasin me njëri-tjetrin në telefon. Piero-ja nuk e harron atë vajzë altoatezine, ndonëse e ka parë vetëm për pak minuta. Edhe Mina nuk e ka harruar, aq sa kthehet në Romë, kësaj here vetëm për të.
Nuk do të ikë më, sepse Piero-ja i propozon menjëherë të jetojnë bashkë në shtëpinë e tij ku banon me prindërit. Është një klimë e qetë, siç ndodh kur po lind diçka e re.
Pas dy vjetësh bashkëjetesë, nëna gjen rastin e një darke për ta pyetur:
“Po pse nuk martoheni?’”.
Pierro-ja hesht, Mina shikon përtokë, Piero-ja ndërron temë bisede. Mbrëmja mbaron kështu. Por kur mbetën vetëm, Mina pyet:’’Pse nuk iu përgjigje? Nuk do të martohesh me mua?’’.
Piero-ja përgjigjet :’’Nuk dua të martohem me ty. Sepse duhet të jesh e lirë, e lirë të ikësh kur të duash. Kur sëmundja ime të më bëjë cung, për ty do të jem vetëm barrë”.
Piero-ja ia kishte shpjeguar ndërkaq se ishte prekur nga distrofia muskulare progresive, një sëmundje neurodegjenrative që godet muskujt dhe e asgjëson në mënyrë progresive trupin. Por vetëm atëherë ia beson ankthet e tij: ‘’Unë nuk duhet të të fsheh asgjë, unë do të vdes i mbytur”.
Mina i përgjigjet me një thjeshtësi çarmatosëse, një thjeshtësi të thellë si deti:
“Ndërkohë le të vazhdojmë përpara, tek e fundit askush nuk e di se çfarë na ruan e ardhmja. Kush ka frikë nga e ardhmja, nuk jeton të tashmen”. Çmonton kështu, me tërë thjeshtësinë e saj, gjithë ngarkesën dramatike të fjalëve të Piero-s, që nuk donta ta cënonte lumturinë e Minës.
Në 1980-ën martohen në kishë, sepse familja Welby është katolike. Piero-ja mbërrin në martesë me karrocën e invalidit, dalëngadalë sëmundja po i bllokon gjithçka, krahët, duart, këmbët, deri në zemër. Ai dëshironte aq fort të shëtiste në pyje sepse i ati ishte gjuetar, por s’mundej dot më. Minën nuk e lëshon zemra dhe me thjeshtësinë e zakonshme i thotë: “Nëse nuk mund të shkosh dot më për gjueti do të shkojmë për të zënë peshk!”.
Mina është thjeshtë e tillë: fakti që një gjë nuk mund të bëhet më, për të është vetëm një premisë për të bërë gjëra të tjera, mbase edhe më të bukura dhe zbavitëse. Dhe kështu shkojnë për të zënë peshk, me karrocën e invalidit, me kallamat në një mbajtëse kallamash. Dhe meqë Piero-ja ka vështirësi ti lëvizë krahët, Mina mëson edhe të ushqejë grepin: “S’do të më kishte shkuar kurrë në mendje që në jetë do të kisha përfunduar duke vënë krimba në një grep”.
Të gjitha fatkeqësitë që ndodhën, dhe do të ndodhin shumë të tilla, duken gjithnjë sikur janë raste-sidomos për Minën, por edhe për Piero-n për të shpikur një mënyrë tjetër të jetuari.
A thua se çdo pengesë të qe një hap i nevojshëm për të vënë në provë ndjenjën dhe sidomos për të ndërtuar diçka të plotë, jo diçka që të jetë vetëm një mënyrë për të çuar përpara një tragjedi. Të shpikësh një jetë. Për shkak të respiratorit, Piero-ja nuk mund të dalë dot më nga shtëpia.
Kështu që Mina përpiqet t’i çojë në shtëpi në natyrën që ai e donte aq shumë. Sajojnë fotografi të insekteve, të luleve , të mizave…nuk fotografojnë kurrë insekte të ngordhura, gjithnjë të gjalla! Mina e ndihmon Piero-n të kuptojë se e tashmja është e vetmja formë e vërtetë e përjetësisë që nejriu mund të njohë. Piero-ja i thotë: “Ti më kë vënë të bëj kaq shumë gjëra sa unë as nuk e kam kuptuar që jam i sëmurë”.
Ndërkohë Mina dhe Piero-ja kishin bërë një marrëveshje: në rast se ai do të ndihej shumë keq, ajo nuk do ta qonte në spital. Piero-ja mendonte se do të hynte në koma dhe do të vdiste. Ajo i kishte premtuar, por pastaj vjen ajo ditë e tmerrshme, vjen kriza e mallkuar e frymëmarrjes dhe Mina, e frikësuar nuk mundet dot të mbajë premtimin. Nuk e imagjinon se mund ta humbasë dhe thërret një ambulancë. Një gjë është ta pranosh një marrëveshje, një gjë tjetër është ta zbatosh.
*fragment i shkëputur nga tregimi “Piero dhe Mina”, të Roberto Savianos publikuar brenda librit “Eja me mua”, botuar nga “Dudaj”.
Përktheu: Adrian Beshaj
ObserverKult
————————————————–
Lexo edhe:
PREKËSË/ ROBERTO SAVIANO: TË JETOSH ME KËRCËNIME ËSHTË E VËSHTIRË!
Roberto Saviano është një ndër autorët më të njohur në Itali dhe jo vetëm. Edhe në Shqipëri është i përkthyer romani i tij i famshëm “Gomorra”, në të cilin ai denoncon hapur mafien italiane, nga Napoli e duke përfshirë të gjithë jugun.
Që nga viti 2006, në të cilin u botua ky libër, Roberto Saviano mbrohet nga një eskortë e veçantë, pasi kuptohet që shumë veta i janë vënë nga pas për ta vrarë lidhur me rrëfimet e tij. Dhe jo vetëm autorit, por edhe gazetares Rosaria Capaçhione që e ka mbrojtur në rrëfimet e tij, transmeton ‘bota.al’.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult