Së largu ia vështrova ikjen…ajo mbeti këngë, një faqe e re në librin e këngëve!

Nga Arlind Farizi

Së largu ia vështrova ikjen. Pashë derën e hapur të veturës, ku e priste mashtrimi në formë të fejuari. Ashtu e lehtë, si një ketër, kërceu në ulësen e pasme dhe ky gjest qe i qëllimshëm, sall për të rikthyer kohën e kaluar më të. Atë kohë të largët… diku, dikur, shumë herët, kur iknin djajtë dhe ktheheshin engjëjt.
“Këngë që shijohen në sediljen e pasme të makinës” do ta titullonte librin e ardhshëm. I thoshte se shkruante për të. I thoshte se qe i sinqertë ndaj saj dhe letërsisë, se e donte sa poezinë, se i lexonte njëjtë dhe i kuptonte po njëjtë të dyja. Ndërsa ajo lutej që mos ia përmendte inicialet. Dyshkronjëshin e një femre pa identitet. Lutej dhe e puthte shpejt, shpesh, kudo, me frikë, me bebëza të zmadhuara, me këmbë që dridheshin, më shikim nga telefoni ku rrinte thirrja e tij… Sall një çast zgjaste dashuria, pakminutshëm, sa një këngë që të mbush sytë me lot, madje edhe ata të burrave.
Qëndroi ashtu i topitur, vështronte ikjen e saj dhe shihte se një brinjë, ajo mu afër zemrës, i bënte protestë. Ndjeu dhe dhimbje. Qe i sigurt se ajo nuk ishte e lumtur. Sepse asaj ende nuk i është thënë më e rëndësishmja. Fjala “të dua”, ajo e vetmja fjalë që nuk arriti ta burgosë ndjenjën. Ajo dorë është imja… qafa… vrima pas shpinës së saj… janë të miat të gjitha.
Ajo mbeti këngë, një faqe e re tregimi në librin e këngëve.