Së shpejti “Albas” sjell romanin në shqip të nobelistes Olga Tokarczuk, “Shtërgjet”

Lexuesit shqiptar shumë shpejt do të mund të kenë në duar veprën e nobelistes polake, Olga Tokarczuk. Shtëpia botuese “Albas” do të sjellë në shqip romanin “Shtërgjet” me përkthyese Edlira Llohja.

Është finalizuar ngjarja më e madhe në fushën e letërsisë, ndarja e çmimeve “Nobel”. Këtë vit u dhanë dy çmime të tilla, për vitin 2018 dhe për 2019-n. “Nobelin” për vitin 2018 e fitoi shkrimtarja nga Polonia Olga Tokarczuk, me motivacionin për “një imagjinatë narrative, që me pasionin enciklopedik paraqet kalimin e kufijve si një formë e jetës”, ndërsa çmimin për vitin 2019 po e gëzon shkrimtari austriak Peter Handke “për punën e tij influencuese, ku me gjuhën e tij të pasur ka eksploruar periferinë edhe eksperienca të veçanta njerëzore”.  

Por lajmi i mirë është se lexuesit shqiptarë do të mund të kenë në duar një prej veprave kryesore të nobelistes së sapozgjedhur. Shtëpia botuese “Albas” do të sjellë shumë shpejt në shqip romanin “Flights” (Shtërgjet) të shkrimtares Olga Tokarczuk. I përkthyer nga Edlira Lloha romani në fjalë do të jetë i pranishëm në stendën e “Albas” në panairin e sivjetshëm të librit. 

E lindur në vitin 1962, Olga Tokarczuk ka fituar një sërë çmimesh letrare, si dhe romanet e saj janë përkthyer në më shumë se 20 gjuhë të botës.

Romani “Shtërgjet” 

Titulli i veprës i “Shtërgjet” i autores polake Olga Tokarczuk i referohet një sekti të krijuar në shekullin  XVIII në territoret e Rusisë Cariste, i cili  besonte se bota ishte nën pushtetin e Satanit, në shërbimin e të cilit ishin të gjitha institucionet, si klerikale, ashtu dhe laike. Duke besuar se një luftë me Satanain është e pamundur, anëtarëve të këtij sekti iu mbetej vetëm të merrnin arratinë prej Satanait, ngaqë, sipas tyre, e keqja e kishte më të vështirë të pushtonte një njeri në lëvizje të pandërprerë.          

“Shtërgjet” përbëhet nga një mozaik karakteresh në një lëvizje të pandërprerë. Duket se bota moderne lëviz në mënyrë të çoroditur dhe kaosi duket se është i gjithëpranishëm, jo vetëm ngaqë është copëtuar itinerari i lëvizjes, por edhe ngaqë vetë subjekti i lëvizjes është copëtuar. Kështu, në këtë libër pleksen lëvizje gjithfarësh, njerëzish të njohur a të panjohur, personazhesh historike a të trilluar, njerëzish a mumiesh, trupash të shëndetshëm a trupash të gjymtuar, trupash të plotë a pjesësh të tyre. Duket sikur është shkërmoqur gjithçka e që kjo lëvizje e çoroditur të mund të ngrihet në dinjitetin e një udhëtimi, apo edhe më tej, të një pelegrinazhi, ajo duhet disiplinuar. Cila është kjo disiplinë? Sprova e autores lidhet pikërisht me gjetjen e kësaj disipline. Kjo disiplinë kërkohet duke u mbështetur në gjithfarë pandehmash, duke hulumtuar fillimisht brenda porteve dhe aeroporteve; brenda ritualeve të udhëtarëve nëpër hotele; brenda traumave të njerëzve gjatë një itinerari; duke hulumtuar brenda shkencës së psikologjisë përmes së ashtuquajturës “psikologji e udhëtimit”, a brenda shkencës së anatomisë përmes zbulimeve të saj, si për shembull zbulimi i “pejzës së Akilit”, apo metodave për konservimin e trupave. Megjithëkëtë, duket se autorja evidenton që premisa kryesore e kësaj sprove mbetet emërtimi i vendstacioneve. Kështu, ky libër, në një mënyrë tejet origjinale rrëfimi na përcjell vështirësinë e disiplinimit të lëvizjes së njeriut përmes emërtimit të vendstacioneve në rrugëtimin e tij. Vetëm kështu, lëvizja do të meritojë të quhet rrugëtim, ose më mirë akoma, pelegrinazh.

Olga Tokarczuk

Olga Tokarczuk ka lindur në 29 Janar të vitit 1962. Është shkrimtare polake, aktiviste dhe intelektuale. Ajo është cilësuar si një nga autoret me të kritikuara dhe më të suksesshme të brezit të saj. Në vitin 2018, shkrimtarja fitoi çmimin “The Man Booker International Prize” , për romanin “Flights” (Shtërgjet), që së shpejti pra do të vijë edhe në versionin shqip. Tashmë viti 2018 e rendit atë edhe si fituese të çmimit të madh “Nobel” në letërsi. 

Tokarczuk njihet për tonet mitike në shkrimet e saj. Eksperienca e saj nis me një trajnim në fushën e  psikologjisë në Universitetin e Varshavës. Ajo është shkrimtare e disa poemave, disa romanve, prozave më të shkurtra se romani. Romani i saj “Flights” gjithashtu fitoi çminim “Nike Award”, në vitin 2008, një nga çmimet më pretigjoze polake. 

Në festivalin e librit, në Edinburg (Edinburgh Book Festival) në vitin 2010, ajo diskutoi shumëçka rreth librave të saj. Me romanin “Księgi jakubowe”, Tokarczuk fitoi sërish “Nike Award” në vitin 2015. Dhe po në të njëjtin vit, ajo u bë fituese e çmimit ndërkombëtar “German-Polish Bridge Prize”, qëllimi i së cilës është promovimi i paqes, zhvillimit demokratik, dhe mirëkuptimit të ndërsjellë të vendeve të Europës.

(Përgatiti Nanila Allkja Biçaku, Portali Shkollor)/ Observerkult