Sekretet dhe vizatimet e panjohura të Viktor Hygosë

falim aq sa dashurojme viktor hygo

Sekretet dhe vizatimet e panjohura të Viktor Hygosë, aktualisht janë ekspozuar në shtëpinë e tij parisiane, në “Place des Vosges”.

Monument absolut i letërsisë franceze, mendimtar dhe politikan i përkushtuar. Viktor Hygo ishte, në kohën e lirë, një vizatues i frymëzuar dhe shumë prodhues.

Gjerësisht e panjohur, kjo vepër monumentale fillimisht i rezervohej vetëm rrethit të ngushtë të shkrimtarit. Me përjashtime të rralla, ajo nuk iu shfaq kurrë publikut në të gjallë të tij. Pasi artisti u tregua i kujdesshëm të mos i përziente rolet.

Një krijimtari thellësisht personale, të cilën ai gjithsesi u sigurua t’ia linte trashëgimi Bibliotekës Kombëtare, së bashku me dorëshkrimet. Hygoi nuk pati kurrë një atelie. Njeriu i letrave, i cili, nëse përdorim fjalët e tij “kishte të tjera gjëra për të bërë”. Fillimisht skicoi cepave të tavolinave ose buzë rruge.

Nga 1834, ai ndërmori së bashku me Xhuliet Druet, të dashurën, një tur udhëtimesh. Me të cilët u bashkua edhe artisti Célestin Nanteuil, gdhendës romantik, në 1836. Përkrah tij, Hygoi u pohua si një skicues i mirëfilltë: vizatimet e tij u bënë më grafike, linja më e kujdesshme.

Peizazhe piktoreske, panorama të mbushura me kambana, detaje të arkitekturës gotike… Në fletoret apo në letrat që u drejtonte të afërmve, Hygoi vizatonte motivin. Vëzhgues i vëmendshëm, ai e paraqet natyrën në fantazitë e saj më të vogla.

Gjatë rrugëtimit, Hygoi eksploron mënyrat e imagjinatës dhe territoret e pafundësisë. Duke u dhënë formë vizioneve ëndërrimtare dhe përhumbëse si “Mythen” (rreth 1855), i emërtuar sipas maleve binjake në Zvicër: peizazhi paraalpin na fut në një panoramë të errët dhe halucinative, ku dy majat, si dy dhëmbë të mprehtë, duket se kafshojnë qiellin.

Artisti zhvillon teknikën përmes përdorimit kompleks të lavisit. Kontrastet e ndryshme të bojës u japin veprave të tij grafike një atmosferë lirike.

Një dramaturgji intensive, që u përforcua pas vitit 1847. Kur ndërpreu udhëtimet pas tragjedisë së vdekjes së vajzës, Leopoldina.

Megjithëse, u sigurua që t’i mbante të fshehta vizatimet, Viktor Hygoi hera-herës pranoi që disa të riprodhohen me gdhendje. Shpesh për vepra bamirësie ose filantropie dhe, më rrallë, për të shoqëruar botimet e tij.

Kështu, në 1863, kunati i tij, Paul Chenay, gdhendi 23 vizatime të tijat. Kjo përmbledhje madhështore do të botohet vitin e ardhshëm, shoqëruar me një tekst nga Théofile Gautier; një dëshmi e çmuar për procesin krijues të Hygoit, i cili, pasi i nxinte faqet e fletoreve me motive të vogla, i rimerrte pas disa ditësh në kompozime të guximshme boje, spektakolare si në formë, ashtu edhe në cilësi.

Në 1850, autori i “Të Mjerët”, Viktor Hygo, i sëmurë, u detyrua të linte postin e deputetit, për të trajtuar problemet e fytit.

Më pas, ai sajoi një punishte të përkohshme në kuzhinën e Xhuliet Druet, jo pa i shkaktuar telashe. Siç rrëfen ajo në një letër të harmonizuar me dashuri dhe humor: “Megjithatë, një Zoti e di se ç’psherëtima nxirrja nga shpirti, kur shihja dhomën time të varfër se në ç’gjendje ishte katandisur.[…] Nuk kishte asgjë të ngjashme me dhomën e ngrënies…”.

Në këtë atmosferë dashamirëse, Hygoi, i cili nuk shkruante thuajse asgjë tjetër veç fjalimet e tij politike, ishte mbërthyer nga një ethe krijuese.

Padyshim që aty realizoi veprat më të bujshme, siç dëshmon kjo kërpudhë alarmuese, e kuqe me pikla të bardha […] (“Unë sapo thava në diell kërpudhën tënde të tmerrshme, që të bën të dridhesh vetëm duke e parë”, – i shkruan Zhuljeta).

Një krijimtari që rrjedh nga një kombinim i pazakontë i teknikave (fërkimi, gërvishtja, klishe, vizatimi…) dhe materialeve (bojë, gouash, qymyr druri), që dëshmojnë për një shpirt të prirur drej eksperimentimeve.

Nëse fillimisht artisti i ka tërhequr motivet e parapëlqyera nga natyra dhe arkitektura, falë udhëtimeve të ndryshme, humanizmi dhe përkushtimi ndaj drejtësisë e kanë frymëzuar edhe në kryevepra si “Ecce”, një imazh tronditës që u bë emblemë e luftës së poetit kundër dënimit me vdekje.

E njëjta gjë vlen edhe për “Poema e magjistares”, vepra e fundit që bashkon 45 vizatime, të cilat tregojnë, përmes një galerie portretesh, gjyqin e një gruaje të akuzuar për magji… dhe ekzekutimin e saj në publik, para syve të një “Vogëlushja mes turmës që nuk kupton”. 

Një dëshmi e fundit për mjeshtërinë e këtij artisti, i cili përmes artit dhe vlerave të tij ka ndriçuar botën./Konica.al

LEXO EDHE: Viktor Hygo: Mos fyeni kurrë një grua!