Në vitin 2015, India nisi një plan ambicioz të quajtur “Misioni Kombëtar i Qyteteve të Zgjuara”, që synon të bëjë 100 qendra urbane më të jetueshme, përmes zgjidhjeve inovative dhe gjithëpërfshirëse.
Ndër 100 qytetet e përzgjedhura ishte Jaipur. I famshëm për ndërtesat historike rozë, Jaipur ishte i pari “qytet i planifikuar” i mbretit Sawai Jai Singh.
Ai njihej si një astronom që përdorte pozicionet planetare si udhërrëfyese për të vendosur lidhur me orientimin dhe pozicionet e strukturave të një ndërtese. Jai Singh e zhvendosi kryeqytetin e mbretërisë së tij nga fshati Amer në Jaipur në 1727.
Në vitet në vijim, pasardhësi i tij, i dha një rëndësi shumë të madhe anës artistike, duke zbukuruar muret e vjetra të qytetit dhe pallatet.
Por dashurinë e madhe për artin e shfaqi më së shumti në pallatin Hawa Mahal, që nuk është vetëm një kryevepër arkitekturore, por ende është shembull i një ndërtimi të qëndrueshëm dhe të fortë.
Përfunduar në 1799 dhe tani një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Hawa Mahal është një nga ikonat më të njohura të Indisë dhe 1 milion njerëz e vizitojnë çdo vit.
Një ndërtesë kushtuar hyjnisë hindu
Përtej mureve rozë dhe dekorimeve unike, Hawa Mahal është një strukturë mbresëlënëse. Me një lartësi prej 27 metrash dhe e mbushur me 953 dritare të zbukuruara, në fakt ndërtesa dallon më shumë për pjesën e saj të pasme.
Udhëtarët e pëlqejnë shumë atë që shohin brenda pallatit, por mahniten kur vëzhgojnë fasadën e pasme. Sipas Dr. Mahendra Khadgawat, drejtor i Muzeut Shtetëror të Rajasthan, mbreti Sawai Pratap Singh ishte besimtar i hyjnisë hindu Krishna dhe ndaj i kërkoi arkitektit Lal Chand Usta të ndërtonte një strukturë në formë kurore që i ngjante kurorës së Krishna-s dhe Hawa Mahal ishte rezultati.
Një vepër e zgjuar inxhinierike
Arkitektja Kavita Jain, një specialiste e trashëgimisë kulturore, thotë se Hawa Mahal shërbeu edhe për qëllime të tjera. “Lartësia e pjesës së pasme të ndërtesës, u realizua në mënyrë të atillë që mbreti të ishte më i lidhur me njerëzit e thjeshtë dhe festimet e tyre, pa u shfaqur në publik”, thotë ajo.
Ndërtesa është gjithashtu një shembull i rolit që ka luajtur klima në Indi. Ajo ka dëshmuar ndër shekuj se është ndërtuar sipas ligjeve më të avancuara të termodinamikës, duke i rezistuar çdo ndryshimi klimatik. Në hindisht, “hawa” do të thotë erë. Ndërsa “mahal” do të thotë pallat, pra një emër kuptimplotë për këtë kryevepër.
“Orientimi i ndërtesës është në aksin lindje-perëndim, në përputhje me drejtimin e erës në këtë rajon. Era hyn në pallat nga perëndimi, përmes një sërë terrenesh të hapura. Një strukturë e posaçme uji në oborr zbaton parimin e rrymave të konvencionit; ajri i nxehtë ngrihet dhe ajri i ftohtë zbret. Kështu era e ngarkuar me lagështi lëviz më pas drejt 953 dritareve dhe ftoh ajrin. Gjithashtu, përdorimi i gëlqeres (chuna) si material, rregullon temperaturën në vetvete. Edhe dyshemetë janë ndarë sipas stinëve, duke e bërë Hawa Mahal një ndërtesë shumë rezistente ndaj klimës.”/ Kavita Jain, arkitekte
Frymëzuar nga e kaluara
Jaipur është i nxehtë dhe i thatë, pothuajse gjatë gjithë vitit. Gjatë muajve të verës, mund të ngjitet në mbi 43 gradë celsius. Tani që India është vendi më i populluar në botë dhe me një klasë të mesme në rritje, pajisjet që dikur ishin luks, janë bërë një domosdoshmëri. Dhe kjo përfshin përdorimin e kondicionerëve. Sipas të dhënave të përditësuara në tetor të vitit 2022, bota do të shtojë pajisjet e kondicionerëve. E kjo do të çojë në më shumë emetime të karbonit.
Përballë kësaj nevoje urgjente për ndërtesa më të qëndrueshme dhe më ekologjike, shumë arkitektë po kthejnë sytë nga e shkuara.
Ata mendojnë se mund të marrim mësime nga arkitektura tradicionale indiane. Kjo duke shfrytëzuar rrezet e diellit dhe erën./a2news
ObserverKult
Lexo edhe:
NDËRTESA GATI 100-VJEÇARE SHNDËRROHET NË MUZE UNIK NË KOSOVË
Kosovës po i shtohet një muze unik. Bëhet fjalë për Hidroelektranën. Kjo ndërtesë në qytetin e Prizrenit, ka pothuaj 100 vjet jetë.
Lajmin për muzeun e bëri të ditur në rrjetet sociale, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
“Ajo qëdikur shënonte frymë modernizimi në arkitekturë dhe moment elektrifikimi e zhvillimi industrial për qytetin sot është në fazën e fundit të restaurimit”. Kështu u shpreh Çeku.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult