“Selfie Mundi” vazhdon rrugëtimin si ekspozitë virtuale

Galeria e Ministrisë së Kulturës “Qafa” i është rikthyer ekspozimit ‘online’ të veprave, pas vendimit të ekzekutivit në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, që përfshin edhe pezullimin e aktiviteteve kulturore në ambiente të mbyllura. Për Galerinë mbetet e rëndësishme përshtatja me situatën e krijuar dhe promovimi i artistëve që këtë vit artin e tyre do ta shpalosnin në hapësirën e këtij institucioni.

Kësisoj, vendimi i së martës ka bërë që ekspozita “Selfie Mundi” e artistes së re Engji Jaha të mbyllet para afatit. Për këtë “Qafa” ka vendosur që ekspozita, e cila zbërthen dualizmin e personalitetit dhe lojën me kohën, ta vazhdojë rrugëtimin në mënyrë virtuale.

Ekspozita e hapur më 16 qershor ishte menduar që të qëndronte e hapur për një muaj. Hapja e saj kishte bërë që muret e Galerisë të mbuloheshin me art pas më shumë se tre muajve që nga mbyllja e parë e saj për shkak të masave të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

“Artistja Engji Jaha përmes artit të saj shfaq dy anët e personalitetit të saj. Është pakëz engjëll e pakëz djall e ndonjëherë të dyja bashkë. Punon me autoportrete dhe përmes tyre shtjellon narrativa nga jeta e saj. Luan me kohën. Kthehet prapa, tek vishet me klasicizëm. “God Save the Queen” (Zot ruaje Mbretëreshën), “Poker në kazinonë ‘Omerta’”, “Psyche”, “Fallxhorja”, “Çupëza Engji” dhe “Dy Engjit”, janë disa prej titujve të veprave të ekspozuara”.

Dhurata Ramosaj – Shala, koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, ka thënë se nuk do t’u përshtaten rrethanave dhe udhëzimeve të Qeverisë. “Nuk do të ndalemi së promovuari ekspozitat që janë përzgjedhur për programin e këtij viti. Besoj se do t’i realizojmë të gjitha gjatë këtij viti”, ka thënë ajo, transmeton ‘koha’. Sipas saj, posa të ketë ndonjë vendim për hapjen e galerive ata do të vazhdojnë më ekspozitën e radhës, atë të artistit Yll Xhaferi.