Seminari i Albanologjisë mbahet më 30-31 tetor në Prishtinë

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare i themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës, sivjet do t’i zhvillojë punimet në Prishtinë më 30 – 31 tetor 2020.

Ky Seminar organizohet për studiues e studentë që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.

Njoftohet se hapja solemne e Seminarit XXXIX do të bëhet më 30 tetor 2020, në orën 9:00.

Programi bazë i Seminarit XXXIX:

1. Tryeza;

2. Sesione shkencore;

3. Referime shkencore;

Sesionet Shkencore (31 tetor 2020)

Temat bosht të Seminarit për sesionet shkencore (31 tetor 2020) janë:

1. Gjuhësi: Struktura e shqipes së vjetër

Në zhvillimin e saj historik gjuha shqipe ka ndërtuar tiparet e saj strukturore, të cilat në të kaluarën kanë qenë objekt studimi i shumë studimeve historike-krahasimtare. Në sesionin e sivjetmë të Seminarit do të diskutohen përsëri aspektet e ndryshme që kanë të bëjnë me strukturën e shqipes së vjetër, ashtu siç del e pasqyruar në shkrimet e vjetra, dhe tiparet strukturore të saj. Inkurajohen pjesëmarrësit që në studimet e tyre të trajtojnë çështje e probleme konkrete strukturore që lidhen me sistemin e shqipes së vjetër.

2. Letërsi: Letërsia shqipe: vetmia dhe veçimi

Këto topika të forta të letërsisë universale me prani të gjithëkohëshme në letërsi, kanë gjurmë e janë bërë produktive edhe në letërsinë shqipe. Një hetim i gjurmëve dhe relacioneve me topikat, poetikat, periudhat, autorët dhe gjinitë e letërsisë shqipe është i mundur. Vetmia dhe veçimi shfaqen edhe si gjendje e parakushte të krijimit në përgjithësi dhe atij letrar në veçanti.

Duke u nisur nga këto dy prerje të mëdha, letërsia shqipe mund të hetohet e interpretohen nën dritën e:

– Vetmisë si parakusht i kërkimit, zbulimit dhe krijimit të vetvetes dhe botës;

– Vetmisë dhe veçimit si ndërtim e zotërim i vetvetes dhe i identitetit personal;

– Veçimit prej shoqërisë si distancë higjenike prej “tjetrit” ( edhe ai i zbulueshëm pikërisht prej vetmisë dhe veçimit) për të zbuluar kufijtë e vetvetes;

– Mungesës së veçimit social si parakusht e produkt i letërsisë së masës;

– Vetmisë dhe veçimit të individit krijues nga shoqëria, dukuri e “izma-ve” letrare të shekullit XX, edhe në letërsinë shqipe.

3. Kulturologji: Roli i medias në periudhën e infodemisë

Tryezat shkencore:

– 120 vjetori i vdekjes së Naim Frashërit;

– 80 vjetori i vdekjes së Gjergj Fishtës.