Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare pritet të pësojë disa ndryshime për sivjet, por organizatorët janë të vendosur që ta vazhdojnë traditën edhe me edicionin e 39-të. Mbajtja online nuk shihet si opsion, mirëpo është e qartë se mënyra e organizimit duhet që të modifikohet për shkak të pandemisë.
Shkumbin Munishi, drejtor i Seminarit, ka thënë se Këshilli i Seminarit do të takohet gjatë kësaj jave për të vlerësuar situatën dhe për të gjetur mundësitë më të mira për të mbajtur edicionin e këtij viti, konform masave për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, transmeton ‘koha’.
Seminari vlerësohet si organizimi kryesor për shkencat albanologjike në vend dhe botë. Është bashkorganizim i Fakultetit të Filologjisë dhe Fakultetit Histori-Filologji, përkatësisht nga Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Tiranës. Çdo vit ai sjell në Prishtinë albanologë, gjuhëtarë, antropologë e kulturologë nga qendra të ndryshme universitare të Evropës. Pjesëmarrësit sjellin prurjet më të fundit shkencore që mbulojnë aspekte të veçanta të shkencave albanistike.