“Sëmundja më detyroi të lija aktrimin”, pengu i aktores Antoneta Papapavlit

antoneta papapavli

Një vështrim i shpejtë mbi jetën dhe karrierën e një prej zonjave më fisnike të skenës dhe ekranit shqiptar, “Artiste e merituar”, Antoneta Papapavli, në përkujtim të ndarjes së saj nga jeta.

Vajza nga Përmeti, por e rritur në Tiranë, do të ishte më pas një nga aktoret më të talentuara të panoramës shqiptare, ashtu si edhe koleget e saj të cilat interpretuan figurën multivizionare të gruas shqiptare, ndër vite.

Nga Juela Meçani

“Artistja e merituar”, Antoneta Papapavli, mbushi disa vite që është ndarë nga jeta, pas një shkëputjeje të gjatë nga aktiviteti artistik. Shkak u bë gjendja e saj shëndetësore.

Por imazhi i saj është po kaq i gjallë në pelikulë. Të gjithë e mbajmë mend me rolet e Afrovitit tek “Karnavalet e Korçës”; Sania tek “Hije që mbeten pas”; të drejtoreshës tek “Shoku ynë Tili”; Cuca tek “Cuca e maleve”; Ledi Milford tek “Intrigë dhe dashuri” etj.

Në karrierën e saj artistike ajo numëron të paktën 130 role në skenë dhe kinema. Në memorien tonë prej spektatori, ajo vazhdon të jetë gruaja e fisshme, e rregullt, me flokët e mbledhura dhe tiparet e theksuara. Pavarësisht sëmundjes që ia vështirësoi shumë ritmin e jetës, ajo ruajti një forcë të madhe karakteri dhe një krenari të jashtëzakonshme.

Si filloi karriera e saj në skenë

Antoneta Papapavli ka lindur në qytetin e Përmetit, por që herët, 4 vjeç, shkon me gjithë familjen në Tiranë. Pasioni për artin, baletin edhe pikturën e shoqëroi që në moshë të vogël, në shkollë fillore e deri në të mesme. Merrte pjesë aktive në festat e ndryshme, në korin e shkollës, balet e recitime. Këto pjesë të artit i frekuentoi dhe zhvilloi edhe gjatë gjimnazit.

Në shkollën e mesme “Qemal Stafa” filluan të krijoheshin grupet e para artistike nga fundi i viteve ’50. Antoneta Papapavli ka marrë pjesë në to, por dhe në grupet artistike në pallatin e kulturës “Ali Kelmendi” në Tiranë. Në fillim të viteve ‘60, me ndihmën dhe mbështetjen e Tef Palit, Pjetër Gjokës dhe Pandi Stillut, hyn në shkollën e lartë për aktore. Ky i fundit këmbënguli që ajo të vazhdonte studimet edhe në Institutin e Lartë të Arteve. Pas përfundimit të studimeve u emërua aktore në Teatrin Popullor Tiranë, sot Teatri Kombëtar.

Si shprehej aktorja për rolet në teatër dhe kinema

“Besoj se s’ka aktor që mos të pëlqejë rolet e teatrit e të skenës së vogël! Sepse të punosh një rol në teatër është një shkollë e madhe e përditshme dhe e pazëvendësueshme. Çdo ditë aktori perfeksionon veten dhe personazhin.

Antoneta Papavali

Ndërsa të luaje një rol në kinematografi, aq më tepër për ne që sapo kishim dalë nga auditori, ishte një tjetër stres, sepse duhej të ishe tepër e saktë në interpretim. Kujtoj këtu filmin tim të parë: “Komisari i Dritës”. Në kinema, pra në role që kanë të bëjnë me kamerën, duhet të jesh shumë precize. Filmi xhirohet vetëm një herë dhe mbetesh në celuloid ashtu siç ke vepruar atë çast.”

Sëmundja e shkëputi shpejt nga pasioni

Aktorja e madhe u largua nga skena për shkak të sëmundjes së këmbëve të saj. Ajo nuk isha më e aftë të qëndronte për një kohë të gjatë në këmbë. Kështu vendosi që të dal në pension të parakohshëm në moshën 50 vjeç. Ishte viti 1988 kur u shkëput tërësisht nga aktiviteti. Në mes të viteve ‘80 ishin dhe dy rolet e fundit të saj në teatër: “Shtëpia me dy porta” dhe “Pallati 176”. Ndërsa në këtë periudhë xhiroi në kinostudio filmat: “Si gjithë të tjerët”, “Hije që mbeten pas”, “Apasionata” dhe “Nxënësit e klasës time”./revista-ai

=================================

Lexo edhe:

SEIT BOSHNJAKU, AKTORI I NJOHUR QË PO I MUNGON SKENËS

ObserverKult