Seneka: Si të varfërit ashtu edhe të pasurit njëlloj përfundojnë…

(Lucius Annaeus Seneka)

I quajtur ndryshe edhe Seneka moralisti, Seneka filozofi, Seneka tragjiku apo Seneka djaloshari, Lucious Anneo Seneca, lindi në Kordoba të Spanjës në vitin 5 para erës sonë dhe vdiq në Romë në vitin 65 pas erës sonë.

Në vendlindje, ai u vu shpejt në kontakt me idetë filo-republikane dhe anti-imperiale të kohës. I ardhur në Romë, në moshë të re, Seneka mori një edukim të thellë retorik dhe filozofik: mes mësuesve të tij mund të përmendim Papirio Fabiano nga shkolla e Sestii-it, stoikun Attalo dhe neopitagorikun Sozione, prej të cilit fitoi zakonin e një jete të thjeshtë dhe të qetë, të trashëguar edhe nga e ëma.

Në vitin 31-31 p. e. s bëhet senator, mirëpo një vendim i Perandorit Klaudio, e dërgon në mërgim në ishullin e Korsikës duke e akuzuar për lidhje jashtë-martesore me Giulia Livilla, motrës së Kaligulës dhe mbesë e Klaudios.

Gjithsesi, në vitin 65 p. e. s, i përfshirë në komplotin e pisonëve kundër perfektit të ri, gjakatarit Tigellino dhe vet Neronit, merr urdhër nga ky i fundit të vetëvritet. Dhe filozofi i madh, zgjedh fatin e vdekjes se një stoiku, duke prerë venat në sy të njerëzve.

Qetësia e shpirtit

Në të vërtetë, gabohesh nëse mendon se të pasurit i durojnë humbjet me një forcë më të madhe shpirtërore, dhimbja e një plage është e njëjtë si për trupat e mëdhenj ashtu edhe për të vegjlit. Bioni pohon me të drejtë se shkulja e flokëve është njësoj e dhimbshme si për tullacët ashtu edhe për ata që kanë flokë.

Të njëjtën gjë mund të thuash për sa i përket të pasurve dhe të varfërve, shqetësimi i tyre është i njëjtë: në të vërtetë, që të dy janë aq shumë të lidhur me paranë saqë nuk mund t’ua heqësh nga duart edhe ata të mos e ndiejnë gjithashtu, siç e thashë, është më e lehtë për t’u duruar mospasja sesa humbja, prandaj do ta shikosh se janë më të lumtur ata të cilët nuk janë parë asnjëherë me sy të mirë nga fati sesa ata që janë braktisur prej tij.

Diogjeni, një njeri me shpirt të madh, e kuptoi këtë gjë dhe u mundua që askush të mos i hiqte dot asgjë nga duart. Ti, po të duash, quaje këtë varfëri, mjerim, skamje, jepi çfarëdolloj emri të turpshëm të duash jetës pa shqetësime: do të mendoj se ky njeri nuk është i lumtur nëse do të më gjesh dikë tjetër që nuk humb asgjë.

* Shkëputur nga DIALOGJE, Seneka, Plejad 2004, Tiranë

Përktheu: Alda Mukli

Përgatiti: ObserverKult

Lexo edhe:

SENEKA: PËRSE U NDODHIN KAQ SHUMË FATKEQËSI NJERËZVE TË MIRË?