
Në një rrëfim të sinqertë për ABC e mëngjesit, Mihallaq Andrea, mjeshtri i serenatave korçare, zbërthen jetën e tij mes artit, dhimbjes, mbijetesës dhe rilindjes e rindërtimit të vetvetes.
Një artist që i kushtoi mbi gjysmë shekulli muzikës, por që u përball me goditje të forta nga një regjim që e konsideronte dashurinë… dekadente.
I rritur në një familje të madhe, me një baba mësues që e donte artin dhe një gjysh që luante në kitarë, rrënjët e tij ishin të mbushura me muzikë dhe kulturë. Por jeta mori një kthesë të errët kur vëllai vendosi të mos kthehej nga studimet jashtë. Pasoja? Persekutim, varfëri dhe një kalvar i gjatë vuajtjesh për familjen.
Në vitet ’70, kur arti duhej të ishte zë i shpirtit, për të u kthye në dënim. Këngët nuk i pranoheshin, u përjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe iu ndalua krijimtaria. “Aty më vranë”, rrëfen ai. Nga skena, përfundoi në ndërtim, duke ngarkuar thasë cimentoje, në një betejë të përditshme për të mos u rrëzuar, fizikisht dhe shpirtërisht.
Por drama nuk mbaron këtu. Një sëmundje e rëndë dhe një mundësi e mohuar për kurim jashtë vendit i ndryshuan jetën përgjithmonë. Pas operacionit, zbuloi të vërtetën më të hidhur: nuk kishte më këmbët si më parë. Një goditje që do të shkatërronte këdo, por jo atë.
Sepse Mihallaq Andrea nuk është thjesht një këngëtar. Ai është një shpirt që nuk u dorëzua kurrë. Ai vazhdoi të këndojë, të pikturojë, të shkruajë, duke e kthyer dhimbjen në art dhe jetën në histori që këndohen, jo vetëm tregohen.
“Jeta të sprovon, arti të shpëton”, është filozofia e tij. Dhe ndoshta, kjo është arsyeja pse serenatat e tij nuk janë thjesht këngë dashurie, por dëshmi të një jete të jetuar në kufijtë e sakrificës dhe shpresës./abcnews.al
Rrëfimin e plotë të Mihallaq Andreas mund ta shihni e dëgjoni duke klikuar videon më poshtë:
ObserverKult
Lexo edhe:
Ndahet nga jeta në moshën 35-vjeçare aktori i “Game of Thrones”, Michael Patrick






