Sergej Esenin: Ndaj dashuroj të parën herë

sergej esenin tanjusha...

I kaltri zjarr e fshin çdo ferrë
Dhe çdo kujtim që brenga ngjall,
Ndaj dashuroj të parën herë,
Të parën herë s’bëj skandal.

Kam qenë dje si kopsht i prishur,
Me gratë i hidhur lakmitar,
Tani me pijen jam mërzitur
Dhe jetën s’dua ta bëj varr.

Dhe sot vështrimin hedh drejt teje,
Të shoh në gjeratore sysh…
Megjithse llumrat i urreje,
S’më flake dhe s’u ndamë dysh.

O hap thëllëze, afsh fustani,
Sikur ta dije ti vërtet,
Si dashurohet huligani,
Si bëhet pulë e gëk nuk flet!

Mejhanet krejt do t’i harroja,
Në djall çdo varg e poezi,
Veç dorën tënde ta lëmoja
Dhe flokun, -vjeshtën në flori!

Bëj çmos që tok të dy të rrimë,
Për ty dhe tokën time fal…
Vërtet këndoj sot dashurinë,
Vërtet tani nuk bëj skandal.

Shqipëroi: Dritëro Agolli

LEXO EDHE: SERGEJ ESENIN: MUND QË NESËR TË DUA NJË TJETËR…