Rrimë, e dashur, pranë e pranë
Shoku-shokun ta vështrojmë,
Të dëgjoj me mall murlanë,
Te të shoh me sy të njomë.
Ky flori vjeshtak i dashur
Dhe ky flok ku derdhet mushti
Mrekullisht na qënkan shfaqur
Për shpëtimin e një pushti.
Herët fshatin kam braktisur,
Ku bleron luginë e bukur,
Në qytet lavdi e hidhur
Më vithisi, rroj i humbur.
Do të desha larg prej botës
Të kujtoj një kopsht me fletë,
Ku nën këngën e bretkocës
Dje poet u rrita vetë.
Dhe atje si sot-kjo vjeshtë…
Panjë e bli dritares rrinë
Dhe me duar lehtë-lehtë
I kërkojnë ata që s’vijnë.
Shkuan larg në tjetër botë…
Në varreza hënë e mirë
Për ne kryqeve u thotë
Të na presin mysafirë.
Rrimë, e dashur, pranë e pranë
Shoku-shokun ta vështrojmë,
Të dëgjoj me mall murlanë
Te të shoh me sy të njomë.
Përktheu: Dritëro Agolli
————————————————-
LEXO EDHE: LUTJA E NJË NËNE…DY VARIANTE PËRKTHIMI TË ESENINIT
Sergej Esenin: Lutja e një nëne
Në një qoshe të fshatit tonë
Është një e vogël, e vjetër izbë
Aty gjunjazi nën ikonë
Lutet një plakëz e imët.
Lutet plaka dhe me mall
djalin e saj ndërmend sjell
që në një krahinë të largët
po lufton tash për atdheun.
Befas një fushë beteje
sheh me syrin plot trishtim
dhe në fushë djali i dergjet
që dha jetën porsi trim.
Ajo ngrin e tëra në çast
nga një i dhimbshëm gëzim,
kryet e thinjura sakaq
përmbi kahë gjen pushim.
Ajo sytë kapsallit
Lotëve rrjedhën t’ua ndalë.
Porse syri i vetëtin
Dhe i pikon margaritarë.
Shqipëroi: Klara Kodra
Sergej Esenin: Lutja e nënës
Në periferi të fshatit, në një izbë, krejt e vetmuar
një nënë plakë para ikonës, po lutet e gjunjëzuar.
Lutet për djalin e vetëm, vajti kohë që s’ i ka shkruar,
pse lufton në dhe të huaj, atdheun për të shpëtuar…
POEZINË E PLOTË MUND TA GJENI KËTU