Sergej Esenin: Ti ke mbetur, moj zemër, e vetme/ Përkthyer nga Dritëro Agolli

mehdi malkaj sergei esenin

Poezi nga Sergej Esenin

Nuk bërtas, nuk vajtoj e s’mërzitem,
Do largohet si tymi çdo gjë.
Nga shkëlqimi i jashtëm venitem
Dhe djaloshi i dikurshëm s’jam më.

Ti ke mbetur, moj zemër, e vetme
Dhe si dje kraharorit s’gjëmon,
Vendi im me mëndafsh prej mështekne
Këmbëzbathur të shkosh nuk të fton.

Frymë e fushave rrallë e më rrallë
Nëpër buzët e tua sa feks…
O freskia e djeshme e gjallë,
O tallazi i syve pse hesht!

Në dëshira-kurnac hera-herës,
Jeta ime e ndezur ku je?
I plagosur nga bujë e pranverës,
Kalin rozë e kam hipur pa fre.

Jemi gjithë të kalbshëm si fletë,
Mjalti i blirit pikon nëpër shesh…
O njeri, qofsh bekuar në jetë:
Lulëzon e venitesh, e vdes…

Përktheu: Dritëro Agolli

————-

Lexo edhe:

Sergej Esenin: Eh, ç’ vite shkuam, kohëra plot trishtim…