Shahu: Nuk e kam lënë veten peng askund – më udhëheq feja e dashurisë…

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Rexhep Shahu.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

– Nuk e kam idenë se si e çfarë mund të jetë lumturia e përkryer, nuk besoj në lumturi të përkryer, por besoj në çaste që të lënë pa frymë e të krijojnë idenë e lumturisë, ose të bëjnë të besosh tek lumturia.

Ti jem mirë me shëndet (kushti i parë, kushti i kushteve për gjithë fjalët që do them në këtë intervistë) dhe t’i kem mirë me shëndet dhe të realizuar njerzit e familjes, njerzit që dua dhe si çast dua të jem diku ku nuk ka fare zhurma as vështrime kuriozësh, të shihem në sytë që dua, të dëgjoj të qeshurën që dua, të harrohem duke ëndërruar dhe as zogjtë as era mos të ma prishin ëndrrën. Këto do të ishin çaste lumturie. 

Besoj në mënyrë të palëkundur se lumturia ka të bëje më shumë se me çdo gjë me dashurinë, në mos vetem me dashurinë, e cila besoj thellësisht se është e vetmja fe e përjetshme e njerzimit. Të tjerat janë përralla, ideologji, dogma kundër dashurisë. Njeriu është krijesa siperane që zoti i dha fytyrën e tij dhe u trupëzua në të. Dashuria si fe e ruan njeriun dhe e bën të lumtur. Fetë e tjera e bëjnë kafshë me formë njeriu.


Cila është frika juaj më e madhe?

– Frika më e madhe e imja është frika nga turpi, frika se mos zhgënjej ato që dua e që më besojnë, frika se mos ia fus kot për ndonjë gjë, frika se mos padashje fyej apo lëndoj ndokënd dhe del tjetri në rrugë e të poshtron me të drejtë. Frika se mos cënoj apo lëndoj veten e të tjerët. Kur shkruan shumë edhe gabon shumë. Pra frika se mos shëmtoj veten dukë lënduar të tjerët.


Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

– Personat e gjallë që admiroj deri në qiell janë tre fëmijët e mi, i admiroj pafund. E mendoj veten një skulpturë të tillë, dy djemtë i mbaj në dy krahët, vajzën e mbaj në kokë. Gruaja më mban të qëndroj e të mos hepohem, të mos rrëzohem.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

– Personaliteti historik me të cilin doja të identifikohesha? Nëse flitet për përsonalitet që ka bërë histori botërore do të doja të identifikohesha me Viktor Hygoin.

Nëse flitet për personalitet që dua t’i ngjaj deri në thërmijë shpirti, ai është babai im që më bën edhe sot të ndjehem jetim edhe pse po bëj 60 vjet. Dua të jem fjalëpaktë si ai, qëndrestar e i matur si ai, dua të jem ai në gjithçka. Ai nuk rëndoi kurrë askënd në jetë dhe e çmuan shumë. Ai la mangut veten gjithë jetën për mua dhe për ne vëllezërit, hoqi bukën nga goja e vet që unë të shkollohesha.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

– Tipari im që nuk e pëlqej nuk e di cili mund të jetë kryesori që s’ia pëlqej vetes. Por një tipar që ia qortoj vetes është ngutja e shpeshtë që më bën shpesh të flas pa menduar thellë, të jem i drejtpërdrejtë dhe të fyej ndokënd, edhe pse kërkoj ndjesë menjëherë kur e kuptoj se e teproj.

E dyta që shpesh nuk ia pëlqej vetes është se unë besoj në gjithçka që thonë e bëjnë miqtë, nuk dyshoj kurrë tek miqtë, po të më thonë miqtë se fluturon gomari, menjëherë them fluturon, kur është fjala për miqtë e mi dhe të afërmit, vëllezër, motra, kushurij.

Në tërësi dyshoj në gjithçka, hezitoj, por jo kur është fjala për ato që thashë më sipër.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

– Tipari që nuk pëlqej tek të tjerët ëshët shpifja, shtirja, kur ta japin opinionin e tyre si të vërtetë absolute dhe të detyrojnë të hash sapun për djathë. Mosmirënjohësit më tmerrojnë.

Në cilat gjëra e teproni?

Gjëja kryesore që e teproj është se shpesh harroj dhe marr gjëra shumë seriozisht dhe ky është një ndër gabimet më të mëdha që më kushton në jetë.

Ka shumë gjëra në të cilat e teproj. E teproj mbase sepse mendoj pothuaj gjithë kohën për poezitë, shkrimet e librat e mi.

Nuk frenohem para byrekut, ha sa për tre njerëz dhe rrij mbi 15 orë mesatarisht çdo ditë në kompjutër. Dhe më merr shumë malli për ato që dua, jam i paduruar.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

– Nuk e di çfarë gjëje do të më shtynte të gënjeja. Por mendoj se për asgjë në jetë nuk do të gënjeja, por do të zbukuroja. Nëse gënjej duhet ta mbaj mend gënjeshtrën dhe duhet ta mbaj mendjen te gënjeshtra. Unë nuk e kam këtë durim, unë nuk e detyroj as deformoj veten të mbaj mend gjëra, gënjeshtra. Nuk do të tregoja të vërtetën për dashurinë, edhe pse do të më tradhëtonin sytë në çdo rast.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

– Rrugëtimi im i preferuar është malli, meditimet, kthimi te dashuria. Shumë orë të ditës shkoj me mend atje ku ndjehem i lumtur, ku më presin, ku ndjej krahë rreth qafe a ku mbështillem me vështrime të ëmbla sysh.

Ndërsa nëse më mundësohet udhëtimi fizik, do të doja të shkoja pak ditë në Ilmenau, në Amerikë, në Greqi, në Pragë, në Moskë, në Vjenë, Paris, Durrës, Shkodër, Bardhoc dhe të humbisja pastaj në magjitë e Prizrenit.

Asnjëherë nuk do e ndërroja vjeshtën e pranverën e Tiranës.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

– Unë përdor shumë fjalë, kam lirshmëri të plotë dhe aspak droje. Përdor sipas rastit fjalë si debil, shkërdhatë, zog kurve, kur jam i acaruar me ndokënd. Ndërsa kur jam i gëzuar, përdor fjalë të tilla si mis, zog, yll, shpirt, shtrigë, zemër, të dua fort, shumë fort etj.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

– Shpesh më ka ardhë keq për veten dhe kam provuar pendesë që nuk i kam shkruar më herët librat e mi, që, që kam vrarë kohë me njerëz koti, me mashtrues, me shtirsa, me servilë, megjithëse edhe kjo nuk është keq se më janë përsosur si karaktere kur të më duhen, ose meqenëse këto tipa i njoh tashmë, të shpëtoj prej tyre dhe të ngjashmëve të tyre. Koha që kam kaluar me dyfytyrsha, me njerëz që ishin gati të ma mbanin shurrën në grusht, më dhimset shumë.


Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

– Dashuria më e madhe e jetës që tani nuk shuhet dot janë fëmijët e mi në të cilët shoh veten, gabimet dhe mirësitë e mia, veset dhe virtytet e mia, është familja në tërësi.

Kujtimi i babait dhe nënës janë dhimbje e dashuri pa kufi.

Dashuri të mëdha që më kanë rritë janë gjithë ato që kam dashur e dua.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

– Cila është gjendja ime momentale mendore? Po ku ta di unë si e kam gjendjen mendore momentale, më duket se jam mirë me mendtë e kresë. Kam nxitim e padurim për të përfunduar librat që kam në dorë. Kam nxitim e padurim të bëj sa më shpejt gjërat që mendoj të bëj.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

– Asgjë nuk do të ndryshoja nga vetja, por vetem se do të doja më shumë, do të thoja më shumë e më shpesh të dua. Do të ecja më ngadalë pasi më duket se vrapoj, do të flisja më pak, do të doja të rrija çdo ditë shumë orë në kafe me fëmijët dhe me ato që dua.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

– Arritja ime më e madhe jam unë ky që jam dhe që po përgjigjem dhe nuk është pak. Jam gazetar i hershëm, autor i 15 librave, me shpresë për më shumë e më mirë.

Arritje fenomenale është familja që kam që i them biroja politike me 5 veta.

– Arritje është që nuk e kam lënë veten peng askund, që jam dhe ndjehem i lirë, që më udhëheq feja e dashurisë se nuk kam fe tjetër, që nuk kam asnjë frikë në jetë nga asgjë dhe askush, që jam krenar dhe nuk ma zë udhën askush.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

– Po të kthehej koha, nuk do ndryshoja kushedi çfarë por do t’i doja më shumë ato që i kam dashur dhe që dua, do të pajtohesha menjëherë me ato që jam zemëruar, do të falja më shumë, do të kërkoja falje dhe do të lutesha të më falte ajo ose ai që e kam zemëruar me natyrën time, me mënyrën time të sjelljes e jetesës, do të qeshja më shumë dhe do t’i bindja të gjithë se nuk ia vlen asgjë dhe për asgjë, nuk ia vlen të zihesh, të shkosh keq, të ngatërrohesh, të urrehesh por ia vlen vetëm dashuria.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

– Po të vdisja e të ngjallesha siç thoni ju, nëse nuk do të përfundoja lugat, do të doja të isha gjithmonë ky që jam, siç jam fotografuar nga ato që më duan dhe ato që nuk më duan, por nëse do kishte mundësi, do të isha më pak idhnak, do të pyesja më shumë dhe ndokujt do t’i jepja ndonjë mundësi të dytë shoqërie a miqësie me mua.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

– Gjëja më e shtrenjtë që posedoj është vetja ime, është gjëja më e shtrenjtë me gjithë veset e virtytet që kam. Inatet që kam dhe më bëjnë të kujtoj shpesh se nuk duhet të hyj në luftra apo beteja të të tjerëve, se kur vjen paqja mes të tjerëve, unë mbetem armiku që nuk di të pajtohem pasi kam bërë luftrat apo betejat e huaja. Dhe mbetesh kështu pa asnjërën palë ndërluftuese, i paduhur për askënd, ushtar i braktisur ushtrish të huaja.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

– Mjerimi më i madh konsideroj se është nëse nuk je i dashuruar, nuk të do kush dhe nëse nuk don askënd, nëse nuk të mendon askush dhe nëse nuk sheh në ëndërr askënd e nuk të sheh në ëndërr askush, nëse nuk merr malli askënd për ty.

Ku do të dëshironit të jetonit?

– Ka shumë vende ku do të deshiroja të jetoja përkohësisht. I përmenda më parë disa vende ku doja të shëtisja apo ti vizitoja. Do të jetoja ku të jenë fëmijët e mi, ku të jenë ata është parajsa, nuk e mendoj veten larg tyre, nuk e mendoj veten duke jetuar pa fëmijë apo në  vetmi. Nëse mundem, vjeshtën dhe pranverën e Tiranës nuk i ndërroj, ose i jetoj në Tiranë.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?

– Tek një mashkull vlerësoj shumë mbajtjën e fjalës me çdo çmim edhe me dëm. Heshtjën, të folurën pak, durimin për të mos u justifikuar për gjërat që bën, pasi gjërat fisnike nuk vdesin.

Një mashkull është burrë nëse nderon e adhuron gruan, femrën, të dashurën, nëse vdes për të pasi ajo që do është atdheu i burrit. Nuk është lehtë me vdekë për tjetrin, por e mendoj se burrë është ai që guxon dhe që  bën sakrificë edhe sublime për gruan që do.

Çfarë vlerësoni tek një femër?

– Tek një femër vlerësoj së pari të qeshurën, shpengimin, kurajon, pavarësinë në gjykim e zgjedhje që ia jep zgjuarsia, dija, libri. Kur një grua qesh e të sheh me sy dashurie bota bëhet veç e bukur.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

– Shkrimtarë të mi të preferuar janë disa. Janë shumë, por nga A tek Zh do të zgjidhja Shekspirin pasi mendoj se u është përgjigjë gjithë pyetjeve të botës dhe sot sa vijmë vërdallë rreth atyre që ai u ka dhënë përgjigje me kohë.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

– Herojtë e mi në jetën e vertetë janë fëmijët e mi, ata janë herojtë e mi.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

– Talenti që doja ta kisha është të isha poet siç ndjehem e siç mendoj se jam, asgjë tjetër nuk do të zgjidhja kurrë. Por do doja të dija ti bija kitares për veten time.

Si do të dëshironit të vdisnit?

– Do të deshiroja të vdisja kështu, të mos zgjohesha një ditë nga gjumi dhe kaq. Asgjë e jashtëzakonshme. Të shihja që nga atje ku do të jem i vdekur se më rrethojnë ato çaste fëmijët, familja dhe njerzit që kam dashur në jetë.

Cila është motoja juaj?

– Motoja ime është të mos gënjej kurrë, të mos e tradhëtoj mikun kurrë dhe ta ruaj të shenjtë institucionin e mirënjohjes që është kurora më e artë e njerzimit, t’i dal zot të braktisurit, të vetmuarit. Të mos shkaktoj trishtim në sytë që dua. Më jehojnë ca vargje të mia, që të mos vallëzoj kurrë para njeriut që nuk ka këmbë… / ObserverKult