Shaqir Cërvadiku: Është rritur numri i këngëtarëve, por janë zvogëluar vlerat muzikore!

Këngëtari i muzikës popullore, Shaqir Cërvadiku i rritur në një familje muzikantësh është mishëruar me këngën qysh si fëmijë dhe ndaj muzikës ka të njëjtin pasion e dashuri edhe sot e kësaj dite.

Në vazhdim ju ftojmë ta lexoni intervistën me këngëtarin Shaqir Cërvadiku për ObserverKult:

Intervistoi Lindita Canolli Fejzullahi/ObserverKult

Babai juaj ishte një ndër rapsodët e njohur në Drenicë. Jeni rritur duke dëgjuar këngë rapsodike nga rapsodë të njohur si Salih e Feriz Krasniqi, Riza Bllaca, bijtë e Sefës, Qamili i vogël, Tahir Drenica, Bajrush Doda e shumë të tjerë. A ishte pikërisht kjo arsyeja që ju të mishëroheni dhe dashuroheni me këngën?

Shaqir Cërvadiku:  Unë kam lindur në një familje rapsodësh, ka kënduar stërgjyshi  Hyseni, gjyshi Rama dhe babai Halili, axha Hyseni dhe axhallarë e kushërinj të tjerë.

Ky ishte një fat i madh sepse qysh i vogël pata fatin të dëgjoja në odën tonë edhe rapsodë të mëdhenjë të Kosovës, me mënyra të ndryshme këndimi. Mundohesha që nga secili të marrë diçka, pra nga madhështia e këndimit të tyre.

I vogël këndoja në odën tonë me babain Halilin dhe axhën Hysenin e oda jonë shumë rrallë ishte pa mysafirë. Si i vogël mora frymëzim nga magjia e kangës folklorike të rapsodëve të asaj kohe.

Me cilën këngë u shfaqët për herë të parë?

Shaqir Cërvadiku: Kënga e parë që e kam kënduar me babën e axhën ishte “Kërsiti pushka”- këngë për Bajram Currin, pastaj mësova edhe këngë të tjera.

Në vitet e rinisë, duke filluar nga mosha 15 vjeçare fillova të këndoj nëpër dasma me babën e axhën. U angazhova edhe në grupin muzikor të Ismajl Bajraktarit e nga viti 1978 në Ansamblin “Shotë Galica” ku arrita afirmim të madh me hitet “Moj e mira bregut t’Cemit”,”Moj e mira nga Gjakova”(dy këngët e Sali Manit idolit tim), Këngë për Feronikelin etj.

Ju diplomuat dhe punuat për disa vite me radhë si mësimdhënës i  lëndës ‘Bazat e arsimit teknik’, por pse jo për muzikën?

Shaqir Cërvadiku:  Dy pengje më kanë mbetur në jetë. E para pse nuk kam pasur mundësi të shkoj në shkollën e muzikës edhe të studioj letërsinë e gjuhën shqipe.

Këto të dyja i kisha pasione të mëdha. E arsyeja ishte se nuk i kishim mundësitë ekonomike në familje. Mbarova shkollën e mesme teknike në Drenas pastaj studimet në Prishtinë. Kam punuar për 15 vite mësimdhënës për lëndët ‘Bazat e arsimit teknik dhe Informatikë’.

Si rodhën gjërat tutje, punuat në arsim dhe kënduat, dyjat njëkohësisht?

Shaqir Cërvadiku: Profesionet mësimdhënës dhe këngëtar ishin dy profesione atraktive dhe  të dyja i  kryeja me shumë përkushtim. Këto dy profesione e përmbushnin njëra tjetrën, e në një mënyrë të dyjat ishin art në vete.

Muzikën, zhanri të cilën e keni zgjedhur ju të këndoni, popullore moderne, folklorike…si do ta përshkruanit me fjalë?

Shaqir Cërvadiku: Kam filluar me këngë folklorike-rapsodike, pastaj këngë folklorike pak më të avancuara me orkestra folklorike, me ritëm, që ishin më afër muzikës popullore. Vazhduam me orkestra popullore por duke kombinuar herë pas here edhe me instrumente folklorike si çifteli, sharki, kavall etj.

Cila është kënga që të emocionon, të bënë me lot. Ndoshta ndonjë këngë që ia keni kushtuar ndonjë heroi , familjari…?

Shaqir Cërvadiku: Unë kam kënduar këngë me tema të larmishme, me këngë atdhetare, dashurie, gurbeti, familjare, parodi të ndryshme e të tjera.

Por këngët që janë bë hite dhe që i dëshiron publiku na japin emocione më shumë se tjerat edhe neve kur i rikëndojmë në koncerte, festa e gëzime. Ka ndodhë që në koncerte kënga “Nji grusht dhe” më ka bërë me lot. Në fakt çdo paraqitje e jona para publikut është si premierë për ne.

Por janë dy këngë që i kam kënduar vetëm në studio e xhirime dhe asnjëherë para publikut se nuk e kam pasë fuqinë shpirtërore t’i këndoj prapë. Bëhet fjalë për këngën “Shokët e shpirtit m’i kanë vra” (kushtuar shokëve të orkestrës Shpend e Bekim Bajraktarit dhe Arbenit, vëllaut të Bekimit) si dhe kënga “Elegji për bashkëshorten”.

Sa mendoni se ka ndikuar interneti në muzikë. Cilat janë përparësitë dhe mangësitë sipas jush?

Shaqir Cërvadiku:  Çdo gjë e re sjellë edhe të mira, por edhe anë të këqija kur nuk përdoret për të mirë. Rrjetet sociale dhe You Tube janë mundësi e madhe për të gjithë e sidomos për këngëtarët e rinj për promovimin e këngëve të tyre.

A ju ka ndodhur ndonjë moment kur ju është dashur të mësoni një këngë shpejt, pra me një afat të shkurtër?

Shaqir Cërvadiku:  (Qesh). Sa e sa herë na ka ndodhur t’i mësojmë tekstet e  meloditë në studio. Por, nëse i jep shpirt këngës, mund të dalë e suksesshme pa marrë parasysh a e ke mësuar në studio apo një muaj më herët. Në shumicën e rasteve këngët në studio i këndojmë vetëm me ritëm edhe një piano. Pastaj bëhet orkestrimi.

Ka shumë vite që jeni në skenë, si po ia dilni ta mbani zërin tuaj ende në nivel?

Shaqir Cërvadiku:  Për zërin i falenderohem të madhit Zot. Unë mundohem të kujdesem aq sa mundem, sa varet nga unë. Deri më tani falë Zotit jam shumë mirë me zërin dhe freskinë e tij. Sa më shumë që këndoj vetëm sa përpunohet zëri.

Përshkruani pjesën tuaj të preferuar dhe më pak të preferuar rreth të qenit muzikant?

Shaqir Cërvadiku: Kënga më ka pasuruar shpirtërisht dhe kam njohur e shëtitur të gjitha vendet, kudo që jetojnë shqiptarët.

Kam shumë miq e dashamirës të këngëve të mia kudo. Ata janë forca krijuese që më mbanë në skenë që disa dekada dhe ata më japin motiv të madh t’i përkushtohem këngës pa ndalë. Për mua kënga është vetë jeta.

A të ka ndodhur përgjatë ndonjë performance ku publiku ka qenë i lodhur apo i mërzitur, si ia keni dalë ta ‘ngjallni‘ atmosferën?

Shaqir Cërvadiku: Këngët e kënduara me shpirt dhe emocionet nga këngëtari transmetohen te publiku dhe ndryshojnë atmosferën, në çdo paraqitje. Në një mënyrë kënga është emocioni e lidhja magjike në mes këngëtarit e publikut.

Ju i keni qëndruar besnik muzikës së mirëfilltë, sepse shohim se çfarë po ndodh sot. Cilat cilësi sipas jush e bëjnë një muzikant të madh?

Shaqir Cërvadiku:  Jam munduar që këngët e mia të kenë vlera dhe mesazhe për secilën temë që e këndoj dhe të kenë edhe cilësi pozitive dhe edukative.

Sot është rritur numri i këngëtarëve dhe zhanreve muzikore, por janë zvogëluar vlerat muzikore. Kjo pasi që është rritur numri i këngëve komerciale. Në disa zhanre muzikore të rrymave për të rinj është e tmerrshme çfarë tekste të “pista” këndohen, madje s’mund t’i dëgjosh me familje.

Këngët e mira me tekste e mesazhe të mira mund të luajnë rol shumë të rëndësishëm në edukimin atdhetar, njerëzor, familjar e human.

Cila është arritja juaj më e madhe në karrierën tuaj deri më tani?

Shaqir Cërvadiku: Vështirë t’i dalloj arritjet e mia sepse puna ime ka qenë në vazhdimësi për shumë dekada dhe në secilën kohë kam pasur këngë hite.

Ne mundohemi që secilën këngë ta punojmë më mirë se tjetrën, por publiku i përcakton hitet. Pastaj ato këngë që i dëshiron publiku fillojnë të na pëlqejnë edhe neve më shumë.

Kam pasë fatin që gjatë karrierës muzikore të kem shumë hite, kam pasur shumë duete e bashkëpunime më kolegët tjerë. Por kam pasë edhe fatin që të kem miq e bashkëpunëtorë të mirë profesionistë që janë pjesë e rëndësishme e sukseseve të mia.

I keni kënduar trimërisë, luftërave, dasmave, dashurisë, momenteve të vështira, por cila është tematika që ty të flen më shumë në shpirt sot?

Shaqir Cërvadiku: Me shumë dëshirë i këndoj të gjitha temat, mjafton që teksti të jetë i bukur dhe të ketë shpirt artistik brenda.

A jeni duke punuar në ndonjë projekt të ri muzikor?

Shaqir Cërvadiku: Para një muaji e kam publikuar një këngë të re e punuar me shumë përkushtim nga gjithë stafi realizues “Dibra e trimnisë” e cila po pritet shumë mirë. Kurse tani jam duke inçizuar e xhiruar disa këngë për xhirimet e fundvitit. Janë disa këngë të reja e disa të përpunuara. Prej tyre 2-3 kangë solo e tjera duete me Mahmut Feratin, Rifat Berishën, Lendita Selimin, Haki Godancin dhe Valmir Shalën.

Këngët po i realizoj në disa studio “Ethnomusic”(shumicën e këngëve),”Shpetasound” e “Prosound”.

Për fund, cili do të ishte mesazhi juaj për ata që sapo kanë nisur karrierën në muzikë?

Shaqir Cërvadiku: Mesazhi im është që atyre që ua ka dhanë zoti talentin të punojnë shumë, e të këndojnë vlera muzikore që ta ruajmë vazhdimësinë e këngës së mirëfilltë dhe melosit të bukur shqiptar.

Asnjë punë e mirë e as këngë nuk bëhet pa miq e bashkëpunëtor të mirë e profesionalë.

I falënderoj pafund gjithë bashkëpunëtorët muzikorë që janë krahu im i djathtë në realizimin e këngëve. I falenderoj përjetësisht gjithë dëgjuesit e këngëve të mia kudo që ndodhen./ObserverKult  


Lexo edhe:

KËNGËTARI I NJOHUR “SHPËRTHEN” NDAJ ARBANA OSMANIT: TURP PËR DRAMËN E PANEVOJSHME, TA DINI SE JU SHIKOJNË EDHE FËMIJËT

Këngëtari i njohur nga Kosova, Shaqir Cërvadiku, nuk është se reagon zakonisht për raste të këtilla, por duket se këtë herë nuk mundi të mos reagonte.

Ai në një postim në Instastory nxori gjithë zhgënjimin e tij, kundër Arbanës dhe produksionit të Big Brother Vip Albania.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


riza braholli të puthja

RIZA BRAHOLLI: NJË PREJ “LIRIKAVE TË MËKATIT”

Një prej “Lirikave të mëkatit”, poezi nga Riza Braholli

Bëra ç’bëra atij moti…

Gjiri i saj i ri është si vera e re
që çan butet e vjetra… (Psalm)


Ç’ditë qe e ç’orë e ç’fat
që vithisa në mëkat?
Një mëngjes me dritë të finjtë
rashë te kroi, te mullinjtë,
pashë një çupë, lante gjinjtë.

S’di si sytë aty më vanë;
bëj t’i heq, të shkoj mënjanë
por më dehu siç deh vera
që shpërthen kadet e vjetra.
Aq të butë dhe me kthetra!?

Ç’zjarr e kish pushtuar vallë!
Hidhte ujë të shuante mallë,
hidhte ujë e mbyllte sytë,
lagej e fërkonte gjinjtë.
Zjarr, o zjarr që s’ke të dytë!

Me një zë mbytur nga kolla
iu afrova e i fola:

– Nuk kam faj e jam i etur,
po mos pi do shkoj i tretur.
Nga kjo botë ç’më ka mbetur? –

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult