Nga Çapajev Gjokutaj
Ulur në verandën e kafenesë ti po pi një kafe për qejfin tënd, kur ia beh tjetri dhe, pa çak pa bam, zbraz një karikator plot e përplot me sharje e shpifje, të tëra kundër teje.
Të thotë se je i nxituar, je subjektiv e i cekët, se nuk kritikohet një spektakël ndërkohë që konkurron në një festival dhe, andej nga fundi, vërvit edhe granatën groposëse: ‘Ku ta di unë se nuk të kanë paguar për të sharë shfaqjen tonë, që të fitojë rryshfetçiu?’.
Si të mos mjaftonin të gjitha këto, nuk pranon as të dëgjojë reagimin tënd, por ngrihet e ikën me nxitimin e atentatorit.
Ky që po pinte kafe dhe në fillim u akuzua për cektësi e subjektivizëm, pastaj edhe për mercenarizëm dhe në fund ‘u ekzekutua’ pa gjyq, nuk është dokushdo, po Josif Papagjoni, njeri nga studiuesit dhe kritikët më seriozë të skenës dhe të ekranit, një njeri që pasionin e lindur për artin e ka ndjekur çap pas çapi në dekada dhe, me kalimin e kohës, e ka kthyer në mision intelektual e qytetar.
‘Ekzekutimin në verandë’ e bën të ditur vet profesor Josifi me një status që poston për miqtë e tij në fejsbuk.
Poshtë rreshtave lexuesi ndjen se akuzat e kanë lënduar, vetëm se nuk e jep veten, nuk merr revansh, po përpiqet t’i grishë miqtë jo në tifozllëqe të tipit ‘kush e lagu dhe kush s’e lagu’, po në meditime për gjëra të një interesit më të përgjithshëm.
2.
Kështu psh flet për faktin se shumicën e herave diskutimet për vepra letrare e artistike i ngjajnë një keku të sheqerosur, kullojnë lavdërime e hosana dhe të ngjan vetja sikur s’je mes intelektualësh, po hera të ka hedhur në ndonjë qokë katundi.
Po kështu flet për hipokrizinë që përmbyt ambientet e festivaleve, konkurseve, panaireve etj., kur në publik bëhen lavdrime e furça, kurse në kafene, mes miqsh e nën zë gjykohet troç; atje me maskë furçë, këtu pa maskë e me vështrim esëll.
Pastaj studiuesi kapet edhe me konceptin që gjatë konkurrimeve duhen thënë vetëm lavdrime se ndryshe ndikohet juria, sikur lavdërimet nuk ndikuakan e sikur anëtarët e jurive të mos kishin shijet, gjykimet dhe personalitetin e tyre, po të ishin kalamaj tabula rasa.
Në fakt konkurset, festivalet, panairet etj janë momente kur publiku ka vëmendje të shtuar për krijimet artistike dhe rrjedhimisht janë edhe kohë shumë e volitshëm për të grishur publikun dhe për ta orientuar nga vlerat.
Këto e të tjera probleme prekte Josif Papagjoni në postimin e tij, po mua ma ka ënda t’i qasem ndodhisë që ai rrëfen edhe nga një tjetër rrafsh, disi më i gjerë, i hasur jo vetëm në ambiente artistike, por në të gjithë shoqërinë.
3.
Pse kur dikush analizon në publik një vepër a veprim tonin ose të të afërmve tanë biologjikë a politikë, kemi një prirje të tejhasur t’i turremi ad hominem, ta përbaltim e ta përgojojmë, në vend që të merremi me analizën që ai bën, me faktet që sjellë e me argumentet që strukturon faqe të gjithëve?
Kjo pyetje, dmth pse u ikim ideve dhe i vërsulemi personit më kujton një ndodhi të mesviteve 1990, që ka marrë trajtë anekdotike.
Hera e pruri që, në një drekë mbledhjeje, ministri shqiptar i punëve të jashtme të ndodhej përballë homologut indian. Ky i fundit, kur mori vesh se Shqipëria s’kishte veçse tre milionë banorë, me buzëqeshje e ton babaxhani ia ktheu: Vetëm tre milionë!?
Pse s’thua që ndërhyrjet dhe trysnitë të lënë pa gjumë gjysmën e natës?!
Duket paradoksale: ai që kishte përballë një miliardë indianë i qante hallin këtij që duhej të përballej me ndërhyrjet dhe trysnitë e tre milionë shqiptarëve.
Vetkuptohet se në kësi rastesh ndryshimin nuk e bën kombësia, po sasia. Njeri vepronte përballë një miliardë njerëzish, numër që krijon distancë, ndaj në perceptimin e tyre shfaqej si funksion, si simbol, kurse tjetri shfaqej para tre milionë të tijve jo vetëm si funksion, por edhe si njeri që mund të arrihej e të ndikohej në lidhje të shkurtëra fisnore, krahinore, klanore, partiake etj.
Në rastin tonë hapësirës gjeografike e demografike i shtohet dhe një zhvillim ekonomik rakitik si dhe një kulturë e dobët demokratike, ndaj gjithçka bëhet më e ngushtë e më asfiksuese, sidomos për konkurencën dhe meritokracinë.
Në rrethana të tilla sulmet ad hominem rezultojnë shumë më frytdhënëse se diskutimet për vlera, ide e alternativa. Dhe baltosja e tjetrit bëhet profesion kombëtar.
Mbase në ambiente artistike, si ato që përmend Josif Papagjoni në postimin e tij, këto dukuri shfaqen më me pohë e më me bujë se artistët, si rregull janë më pasionantë e më emocionalë dhe kurdoherë vaji i tepërt synon të shuajë kandilin. / ObserverKult
*Titulli i origjinalit: “Peshqeshet e vendit të vogël”
Lexo edhe:
ÇAPAJEV GJOKUTAJ: DASHURIA KA NEVOJË EDHE PËR FSHEHTËSI…
Mos u bëj Don Kishot, dashuria që këndon Lasgushi ishte e vjetëruar edhe në vitet e rinisë sonë, le më sot. Vargjet që citon ti: ‘një dashuri plot fshehtësi/ m’e fshehur se fshehtësia’, Lasgushi i ka shkruar si vazhdim të vargjeve: ‘se s’dashuronim as un’ as ti,/ po dashuronte dashuria’.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult