Sharl Bodler: Megjithat’, m’dashuro…

Së shpejti kridhemi në terr të zi. Lamtumirë,
Qartësi e gjallë e ditve t’shkurta verore!
Tani po ndjej si bien e përplasen drunjt e nxirë
Me jehonë t’përmortshme n’kalldërm nëpër oborre.

Dimri do t’futet i tëri n’qenjen time; tmerri,
Urrejtja, hidhërimi, puna me dhunë, e v’shtirë,
Si djelli polar, edhe ky i dalë nga ferri,
Zemra ime do jetë akull me gjak të ngrirë.

Dëgjoj duke u dridhur çdo kërcu që bje. Vallë,
Është kjo e gijotinës jehona mizore?
Shpirti im i ngjan kullës që nuk i bën dot ballë
Dashit me goditje t’palodhshme e t’rënda prore.

Duke u kotur nga këto kërsitje, më ngjan
Sikur gozhdojnë ndokund ndonj’ tabut me nxitim.
Për kë? –Që dje ish verë; erdh’ vjeshta, gjethet ranë
Kjo zhurmë misterjoze tingllon si udhëtim.  

II

Më pëlqen ngjyra e verdhë e syve të tu
Bukuri, por sot çdo gjë më duket hidhërim,
Dh’as dashuria jote as kjo odë këtu
S’është si dielli që nxen mbi det, me shkëlqim.

Megjithat, m’dashuro, bëhu nënë zemërbutë
Ndonëse i pamiradijshëm jam dhe fort i keq,
Dashnore o motër, bëhu ëmbëlsi e shkurtë
E një vjeshte o djelli që perëndon e heq.

Kjo s’të shkon gjatë! Varri pret; është i pangopur!
Ah! lermë ta mbështes ballin n’prehrin tënd,
të kotem
Të qahem për verën e bardhë e shumë t’ngrohur
E n’rrezen e verdhë t’vjeshtës së vonë të ngrohem!

Përktheu: Mensur Raifi