Sharl Perro, krijuesi që hodhi themelet e përrallës

sharl pero

Sharl Perro (12.01.1628 – 16.05.1703) ishte një autor francez dhe Anëtar i Akademisë Franceze. Ai, me talentin e tij gjenial, hodhi themelet e një zhanri të ri letrar, siç ishte PËRRALLA.

Nga Xhahid Bushati


Vëllimi i parë i përrallave të Perrosë u botua në vitin 1697 me titull: “Përralla të mamasë sime, patës” (ose: “Histori e përralla të kohërave të vjetra me mësime morale”). Vëllimi kishte tetë përralla: “Bukuroshja që fle”, “Kësulkuqja”, “Mjekërkaltri”, Maçoku me çizme”, “Perritë”, “Gishtoja”, “Këpucka”, “Rikeja me kaçirubë”. Në botimet e mëvonshme, vëllimi u pasurua dhe me tri përralla të tjera: “Lëkura e gomarit”, “Dëshirat qesharake” dhe “Grizelda”.
Titulli “Përralla të mamasë sime, patës” (ose: “Histori e përralla të kohërave të vjetra me mësime morale”) u shfaq edhe në ballinën e ilustruar të botimit të shtypur, ku shfaqej një grua e moshuar, duke u treguar histori fëmijëve. Vepra u shkrua në një kohë kur përrallat ishin në modë midis aristokratëve dhe borgjezëve në sallonet letrare pariziane. Tregimet nuk ishin të destinuara për fëmijë, sepse letërsia për fëmijë nuk ekzistonte në fund të shekullit 17-të.
Disa nga versionet e historive përrallore të Perrosë ndikuan edhe në botimet subjektore të përrallave të Vëllezërve Grimm, më shumë se 100 vjet më vonë. Duam të kujtojmë se Perro ishte një figurë me ndikim të fuqishëm në skenën letrare franceze të shekullit 17-të.
“Përralla të mamasë sime, patës” u bënë shpejt dhe gjerësisht të njohura. Fama e tyre u rrit në shekullin XIX me shfaqjen e romantizmit që ringjalli interesin për përrallat.
Perro lindi në Paris, më 12.01.1628 në një familje të pasur borgjeze. Ishte fëmija i shtatë i Pierre Perrault dhe Paquette Le Clerc. Ndoqi “Collége de Beauvais”, në Paris, ku shquhet si nxënës i shkëlqyer. Pas një debati me profesorin e filozofisë, Perro dhe një nga shokët e tij të klasës vendosën të mos shkonin më. Që atëhere filloi të studionte vetë autorët klasikë, historinë e kishës, historinë e Francës dhe Biblën. Leximet e tij të pavarura e sollën atë të rishkruajë vëllimin e gjashtë të Enéide në vargje burleske. Studioi për drejtësi. Mori pjesë në krijimin e Akademisë së Shkencave, si dhe në restaurimin e Akademisë së Pikturës. Pas vitit 1686, vendosi të shkruante poezi epike. Perro ishte një njeri eklektik i letrave. Në vitin 1660, shkroi një poemë dashurie “Dialog midis dashurisë dhe miqësisë”. Në vitin 1695, kur ishte 67 vjeç, Perro humbi postin e sekretarit dhe vendosi t’i përkushtohej fëmijëve të tij. Përrallat e Perrosë janë të bazuara në traditën popullore evropiane. U bënë shumë popullore në Francë. Nga gjithë prodhimi i tij i bollshëm letrar në vargje dhe në prozë (ode, poezi epike, ese, etj.) përrallat për fëmijë janë të vetmet krijime që lexohen edhe sot me ëndje e kërshëri. Në kujtesën e fëmijëve mbeti i skalitur emri i autorit Perro, një krijues i pavdekshëm.
Perro kishte shkruar përrallën “Kësulkuqja”, si një paralajmërim për lexuesit e për të huajt që grabitnin vajzat e reja që ecnin nëpër pyll. Ai e mbyll përrallën e tij me një moral, duke paralajmëruar gratë dhe vajzat e reja për rreziqet e besimit ndaj burrave. Ai shprehet: “Kini kujdes, nëse nuk keni mësuar se ujqërit e zbutur janë më të rrezikshmit nga të gjithë.” Në të vërtetë, në përrallën e Perrosë, vajza hyn në shtrat me ujkun dhe ai e gëlltit. Nuk ka një fund të lumtur. Që ahere kur u botua “Kësulkuqja”, ajo njohu shumë botime e ribotime, u bë pjesë për kukulla e njohu skena botërore të operetave e operas, njohu “operacione” të ndryshimit të fundit të përrallës, duke i dhënë asaj aktualitet dhe pavdekësi.
Sharl Perro vdiq në Paris, më 16.05.1703, në moshën 75-vjeçare.
Në Shqipëri përrallat e Perrosë u përkthyen e u botuan në revistën për fëmijë “Vatra e rinisë”, në vitet 1933-1939. Më vonë, ato u botuan edhe në vëllime të posaçme, si: – “Maçoku me çizme”, Tiranë (1959), përkthyer nga Bedri Dedja; – “Sharl Perro, Zonja D’Onua – E bukura e pyjeve”, Tiranë (1961), përkthyer nga Neka Turkeshi; – “Perrault D’Aulnoy, De Beaumont – E bukura e pyjeve”, Tiranë (1966), përkthyer nga Neka Turkeshi; – “Sharl Perro, Rikeja me kaçirubë”, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë 1994, përkthyer nga Iskra Thoma; – “Carles Perrault, Zonja d’Aulnoy. E bukura e pyjeve. Përralla”, “MÇM, Tiranë 1994, përkthyer nga Neka Turkeshi; – “Sharl Perro. Maçoku me çizme dhe përralla të tjera”, “TOENA, Tiranë 1995, përkthyer nga Llazam Koldashi; – “Sharl Perro, Hirushja”, Sh. B. “Pegi”, Tiranë 2000, etj.


Shkodër, tetor, 2024 

ObserverKult


Lexo edhe:

XHAHID BUSHATI: PAS VITEVE ’90-TË, LETËRSIA SHQIPE PËR FËMIJË MBETI DISI E HUTUAR…