Xhahid Bushati: Pas viteve ’90-të, letërsia shqipe për fëmijë mbeti disi e hutuar…

xhahid bushati

Ca fjalë për letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj nga Xhahid Bushati

-Sprovë e vogël-

Pas viteve ’90-të, kur u ndryshua sistemi; letërsia shqipe për fëmijë mbeti disi e hutuar, sikur “u tremb” ashtu siç trembet një fëmijë dhe për gjysmë dekade mbeti në udhëkryq, më pas e mori veten. Këtë tablo e ka analizuar hollësisht studiuesi Astrit Bishqemi.
Më pas, me kalimin e viteve, letërsia shqipe për fëmijë nisi udhëtimin duke “shkrirë akujt” e letërsisë së realizmit socialist. Dhe sot që flasim tematikat dhe problematikat që trajtohen nga autorët kanë marrë një dimension të gjerë, të larmishëm dhe koherent me zhvillimin e realitetit. Në këtë mori librash që botohen, ende dallojmë ku me pakicë e ku me shumicë plot skarcitete letrare, plagjiatura, shpesh epigonizëm të trajtesave kompozicionale, nivel të ulët artistik, rrëfime që lënë për të dëshiruar, si dhe mosshkëputje nga mendësia e realizmit socialist, etj. Në të gjithë këto negativitete që kanë racionet e tyre, gjejmë dhe vepra që kanë pasur jehonë të mirë. Mendoj që janë të pakët për të realizuar identitetin dhe psikikën shqiptare. Në universalen që ka letërsia, duhet të kemi shenjën, të veçantën tonë.


Është fakt se letërsia e përkthyer për fëmijë është në raport të zhdrejtë me letërsinë shqipe. Po thellohet. Mendoj që jo çdo libër i përkthyer është i vlefshëm. Shpesh librave u mungon Cv-ja e autorit. Për rrjedhojë libri lexohet, por autori nuk njihet.
Edhe një fakt, nuk ka asnjë libër me studime për letërsinë për fëmijë të përkthyer. Letërsia shqipe dhe shkrimtarët e kësaj letërsie kanë nevojë për modele. Duhen njohur autorët që kanë studiuar e analizuar kryeveprat botërore të letërsisë për fëmijë. Mungon kjo shkollë.


Edhe një fakt, në letërsinë tonë shqipe kanë disa patriarkë që kanë vendosur me studimet e tyre gurë të shëndoshë për këtë letërsi. Përmend Bedri Dedjen, Astrit Bishqemin, Odhise K. Grillon, Ramazan Çadrin, Agim Devën, Xhevat Sylajn, Prend Buzhalën, Hasan Hasanin, Anton Nikë Berishajn, Ramadan Musliun, etj. . Kujtoj prof. Bedri Dedjen. Në vitin 1985-1986 në specializimin pasuniversitar për kritikë letrare e kisha udhëheqës shkencor. Shpesh në bisedat tona, ai më fliste për letërsinë fantastiko-shkencore. Po ç’ndodhë sot me këtë zhanër tek letërsia për fëmijë? Ajo është shumë e pranishme. E kishte parashikuar Profesori. Jo vetëm kaq, por botimi i shumë veprave të tij nga e bija, Edlira, në sjellë trajtesa e imazhe interesante të këtij zhanri në botimet e Profesorit, por që mungojnë studimet e analizat.

Edhe një fakt, marrëdhëniet dhe urat kulturore mes Shqipërisë dhe Kosovës vazhdojnë të mbeten të zbehta. Është e vështirë të krijosh një tablo të qartë zhvillimi. Njohja është e paktë, mosnjohja ka më shumë sipërfaqe.
Edhe një fakt, letërsia për të rinj ka ende mangësi në trajtesat dhe rrëfimet nga bota e tyre interesante me plot dëshira, ëndrra e interesa. Librat e ofruar deri tani janë një përsëritje e vetvetes, veçanërisht në problematikat që sjellin në raport me realitetin ekzistues.

Kjo ishte një sprovë e vogël në rrugëtimin e kësaj letërsie. Në të ardhmen do të paraqes probleme të tjera të rrugëtimit të saj.


Shkodër, më, 06.09.2022

ObserverKult

Lexo edhe:

PANAIRI I LIBRIT NË ULQIN: NDAHEN ÇMIMET, KËTA JANË FITUESIT