Shatrolli: Edhe i burgosur po të isha do të shkruaja nëpër mure dialog dramatik…

Intervistë: Naser Shatrolli

Intervistë me Naser Shatrollin, ushtrues detyre i drejtorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Intervistoi Zamira Rexhepaj

Ju jeni dramaturg e regjisor, që shumë kohë jeni pjesë e skenës kulturore dhe me siguri e njihni mirë çdo problematikë, cilat janë sipas jush sfidat me të cilat po përballet arti sot?

– Dramaturgjia kombëtare është sfidë jetike për mua dhe për këdo që e kultivon këtë format artistik këtu e në Tiranë. Hapësira ku do të mund të sendërtohej formula e teatrit magjik fizikisht mungon – nuk mungon por nuk ekziston si insfratrukturë. Pra, rajoni i gjeografisë shqiptare është brenda një krize të caktuar, fakti që, teatri është duke u shikuar si manovër shpenzuese, prej të cilit nuk ka dobi të qëndrueshme në kuptimin material. Shikuar në rrafshin personal, unë vazhdoj që të punoj çdo ditë, duke mos lënë hapësirë kohore fare për të menduar. Të mendosh nënkupton që lehtë mund të zhgënjehesh, për t’u bërë i keq për të tjerët, duke marrë rrugën e fjalëve boshe, njëherësh, duke kthyer energjinë në pije që çojnë në dehje si dhe në substanca tjera që janë evidente brenda logjikës komunitare. Për mua zhgënjimi nuk është solucion që do ta zgjedhja. Edhe i burgosur po të isha, do të shkruaja nëpër mure dialog dramatik. 

Veprimtaria juaj shtrihet kryesisht në Prishtinë por edhe në Tiranë, ku e shihni interesimin më të madh për kulturën e artin?

– Tirana është shesh biznesi dhe duhet pranuar që është më komerciale dhe ka më tepër interesim nga publiku për të vizituar teatrin. Artistët atje paraplanifikojnë tekstin që sjell publik – që mbushen xhepat e pritshmërive nga interesi publik. Prishtina ka filozofi tjetër në relacion më shërbimet artistike. Publik ka më pak me çfarëdo teksti, nuk e mohoj dot. Ndërsa, për teatrin autorial mund të ketë kriza vazhdimisht, ndryshe, forma tjera artistike që për mua nuk janë fare në interesin e të menduarit, ato edhe mund të krijojnë deri diku njëfarë impakti të kureshtjes.  

Cilat janë projektet në të cilat keni marrë pjesë dhe që i kujtoni si eksperiencë e veçantë në karrierën tuaj?

– Secili projekt që e kam punuar deri më sot ka specifikacionet e tij – pra, ka detajet e tij. Çdo proces pune ka qenë i mirë dhe i vështirë. I mirë sepse teatrin e bëj për të ndërtuar një botëkuptim timin në relata zhvillimore, që do të shënojnë një epokë për mua dhe vetëm për mua, nëse merr dikush diçka prej meje ky do të ishte mbase dhe qëllimi, vizioni. Është kënaqësi me përplot dhembshuri për të ndërtuar themelet e një formati të caktuar teatror, nuk flas për aspektin imagjinativ apo për talentin, apo për kapacitetet e mia. Vështirësitë janë të natyrës faktike, teknikisht është gati e pamundur që të sendërtohet një teatër me kulturë dhe nivel evropian. Vetëdija është mesatare, rrallëherë e kapërcen kodrën e mesatares, më tepër mbetet brenda kodrës së teposhtëzës mesatare. Buxhetet e shfaqjeve që i kam punuar deri më sot, kanë qenë minimaliste, për të mos thënë ishin nën mesataren e një miniprojekti. Të veçantë për vete e thënë nga të tjerët, do ta cilësoja shfaqjen “Karramel” me të cilën kam udhëtuar në Amerikë, pastaj, “Kosovatrans” me të dyja këto shfaqje jam shpërblyer këtu e në botë, “Muhamed Ali”, “Shkumësi”, të gjitha kanë veçoritë e tyre. Shfaqja e fundit në Tiranë “Vagon” është e veçantë për këto arsye që u thanë më parë.

Çfarë i bënë të veçanta ato: Procesi i punës deri te produkti final vazhdimisht është me përplot dashuri, dhembje, entuziazëm, lodhje, frikë, dyshime, dilema! Kur vjen nata e fundit, premiera – dritat vendosen në vend, efektet muzikore në vende të caktuara, kostumet plotësohen, skenografia merr ngjyrën përfundimtare, mizanskenimi piqet dhe merr formën e ideuar, pra, këto janë eksperienca reale që më kanë pjekur, më kanë bërë më të fortë dhe më besnik ndaj qëllimeve që kam për përspektivën e skenës teatrore.

Në vitin e kaluar e keni botuar librin “Qiell” në të cilin përfshihen gjashtë drama tuajat, si është pritur dhe vlerësuar ky libër?

– “QIELL” kishte impaktin e saj. Janë bërë shkrime, ka analiza për librin, më mori një kohë të mirë, por, drama që nuk botohet rrezikon të vdesë. Në parahyrje të librit është një analizë filozofike nga Prof. Josif Papagjoni, do ia propozoja lexuesit tuaj, nëse përtojnë ta lexojnë librin – le ta lexojnë vetëm parahyrjen – aty ka informata konkrete për librin dhe për filozofinë e të bërit teatër në frymën autoriale.

Shfaqja “Vagon” premierën e të cilit e keni mbajtur në Tiranë dhe e keni sjellë në Prishtinë, si është pritur nga publiku i të dy vendeve?

– Kam punuar gjatë me këtë projekt, kam përjetuar dhembje konkrete fizike e shpirtërore. Lodhje nga më të ndryshmet, shkarkime dhe ngarkime psikologjike, por, kemi nxjerrë një produkt që ka krijuar opinionin e saj në Tiranë dhe në Prishtinë. Këtu njihem unë deri në njëfarë mase, atje, nuk kisha punuar drejtëpërdrejt me trupa teatrore të Tiranës, andaj, kisha detyrime shtesë nga vetvetja për shfaqjen dhe për ekipin. Natyra teatrore ishte aspak e lehtë, sidomos, për mua në relacion me aktorët ka qenë sfidë e fuqishme fakti që nuk kam lëshuar asnjë presë pavarësisht kushteve që kishim. Ishte vërtetë sfidë e drejtëpërdrejtë, por, në fund, duke e ditur që publiku nuk pyet si ke punuar, sa para ke fituar, sa buxhet kishim. Përkundrazi, publiku vjen për të shikuar shfaqje që ka nivel. Kjo është përvojë e mirë që nuk ia heq asnjë presje – do dëshiroja që të punoja menjëherë projektin tjetër në Tiranë.

Çfarë ju shtyri ta emërtoni shfaqjen tuaj pikërisht “Vagon”?

– Është titull simbolik, për faktin që pas këtij titulli fshihet njeriu në aspektin shpirtëror sidomos. Zbrazësia e tij në relacion me muret familjare, pastaj, bartja e kujtimeve hisorike në vagonët e mbamendjes. Është titull metaforik që flet për dy periudha historike, e shkuara e ndryshkur dhe e tashmja që nuk ka orientim të qartë në aspektin e lëvizjes. Binarët kanë qëllim për të ecur përpara, pra, në këtë kontekst ideor është vendosur dhe titulli. Tematika përfshin popujt e Jugosllavisë, përfshirë kufijtë ndërshqiptarë, sikundër që, fabula godet familjen përkatësisht familjen e rajonit ballkanik, ndërsa, mesazhet janë të qarta, komunikimi mes popujsh të hasmuar do duhej ndodhur prap në të ardhmen e tyre.

 Si e vlerësoni punën e aktorëve të rinj në Kosovë?

– Kryesisht unë me ta punoj. Kam punuar një shfaqje që quhet ’’MIU’’ me dy aktorë që kanë diplomuar. Ju ftoj të shtunën me 15 janar në TKK të vini që ta ndiqni shfaqjen. Do të mësoni diçka për të kaluarën e familjes tuaj dhe të popullit tonë në rrethana hetuesie. Të rinjtë janë entuziastë, të pa kornizuar, andaj, me këtë grup, unë gjej mundësi reale që të ndërtoj diçka origjinale për teatrin.

Në mars ju jeni zgjedhur drejtor në Teatrin Kombëtar të Kosovës, pastaj është anuluar konkursi, cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballeni?

– Unë jam ushtrues i Drejtorit të TKK -së, më është anuluar konkursi i marsit, dhe vazhdoj të bëj rolin e ushtruesit të Drejtorit. Sfidat janë të gjithanshme, nisur nga porta, administrata, aspekti artistik, infrastrukturor dhe logjistik. Madje, kam përshtypjen, ka filluar që të mplaket teatri rajonal shqiptar. Unë kam punuar për këto kohë goxha shumë, janë bërë ndërhyrje në infrastrukturë, kemi nxjerrë shfaqje, premiera, megjithatë, ka shumë punë që duhet bërë dhe që duan kohë e njerëz unik që e duan teatrin.

Ngaqë veproni ndërmjet trojeve shqiptare, a mendoni se bashkëpunohet sa duhet ndërmjet këtyre vendeve?

– Jo, nuk ka thellësisht bashkërendim mes të dyja qendrave. Tendenca është në rritje mendoj, fakti që po ngushtohet rrethi i të bërit art – të jem më i qartë, artistët janë duke e ripërtypur vetveten, andaj, po ngushtohet rrethi i tyre manovrues ndërsa kërkesat për diçka të re janë në rritje.

 A mendoni se mbështetet sa duhet teatri nga institucionet shtetërore?

– Teatri Kombëtar ka mbështetje të qëndrueshme dhe të vazhdueshme nga MKRS-ja. E ka buxhetin e konsoliduar, ka pjesën organizative të rregulluar me ligj, ka çmimoret e saj, ka adminstratën, ka hapësirën. Ngelet që të rinovohet objekti edhe më tej, sidomos, të ketë shfaqje cilësore që do të mund ta sfidonin rajonin ballkanik pse jo dhe më tej se kaq.

Sa ka ndikuar gjendja me pandeminë në realizimin e planeve tuaja në teatër?

– Ka pasur vonesa, probleme të natyrës praktike, ndërprerje të shfaqjeve, pastaj ndryshimi i orarit të shfaqjeve, ngushtimi i sallës në përqindje me publikun, ka pasur mbyllje totale një kohë, mirëpo, ia kemi dalë. Ky vit do të jetë më i lehtë konsideroj në këtë drejtim.

Cilat janë planet tuaja për vitin që po vjen si në raport me karrierën tuaj personale ashtu edhe me teatrin?

– Kam plane personale për projekte të reja, ndërsa në aspektin e TKK-së, dëshira ime është që të vendoset sa më shpejt për një drejtor të ri, (unë nuk do të jem ai) në mënyrë që teatri të përfitojë dinamika tjera në kuptimin e temporitmeve dhe kërkesave që dalin nga përditshmëria në teatër.

ObserverKult

Lexo edhe:

BESIM AJETI: TEATRI PËR MUA ËSHTË I VETMI MEDIUM I PËRJETSHËM NË TRANSFORMIM