Janë publikuar të premten e 3 shtatorit pesë episodet e reja të sezonit të ri të “La Casa de Papel”, i pesti me radhë.
Miliona shikues në mbarë botën e kanë pritur me padurim serialin, i cili shquhet si seriali më i ndjekur në gjuhë të huaj në platformën Netflix.
E mesa duket në një kompani indiane, ka aq shumë fansa të këtij seriali, sa shefi i saj ka vendosur që të ua japë punëtorëve të gjithëve pushim në ditën e lansimit të sezonit të ri të këtij seriali.
Përmes një e-maili, CEO i “Verve Logic” (një kompani e zhvillimit telefonik), Abhishek Jain, ua ka konfirmuar stafit të tij se më 3 shtator do ta kenë pushim.
Ai i ka falënderuar të gjithë për punën e palodhur të bërë gjatë pandemisë COVID-19, teksa ka shkruar se e meritojnë një pushim të tillë, aq më tepër me një prodhim kinematografik si ai i “La Casa de Papel”.
“Merrni kokoshkat dhe përgatituni t’i jepni një lamtumirën e fundit profesorit tonë më të dashur dhe gjithë kastit. Me këtë, “Verve Logic” do të donte të falënderonte të gjithë anëtarët e saj që kanë treguar një shpirt të mahnitshëm gjatë punës nga shtëpia dhe na kanë ndihmuar të dalim bukur nga kohët e vështira”.
Shefi e përfundoi e-mailin e tij, duke shkruar “Bella Ciao, Bella Ciao” – e cila është fraza ikonike e kolonës zanore të këtij seriali. /Telegrafi/