Shemsi Krasniqi: Refugjat me shtet, refugjat pa shtet

refugjat

Pamjet e refugjatëve ukrainas, po na e rikthejnë në kujtesë kohën kur edhe ne ishim refugjatë. Po na e përkujtojnë kohën kur ndjenim dhimbje të shumanshme, dëshpërim, frikë, tmerr, ankth dhe trishtim; po na rikujtojnë të gjitha ndjenjat që dalin prej ndarjes së dhunshme nga familja, shtëpia, vendlindja, atdheu. Po na përkujtojnë  kohën tragjike kur ne të gjithë u bëmë një dhe të njëjtë në vuajtje, e bota e qytetëruar shprehu solidaritet të paparë me ne.

shemsi krasniqi refugjat

Nga Shemsi Krasniqi

Dëbimi nga shtëpia dhe udhëtimi i gjatë në kolonë, përveçse i mundimshëm, është edhe i frikshëm. Është një dorëzim ndaj fatit, është një frikë se po shkon drejtë humnerës, por edhe një shpresë e mpirë për shpëtim. Është një dhimbje për humbjen e pakthim, një trishtim për ndarjen e përjetshme, një zemërim për dëbimin e dhunshëm. Të qenit refugjat është fatkeqësi. Është një gjendje padrejtësie, një ndjenjë poshtërimi, një humbje lirie, një këputje shpirti dhe coptim trupi. Është një absurd, një çorientim, një pakuptimësi e jetës, e botës. Të qenit refugjat është një transfigurim i Njeriut, një shterrim i njerëzores.

Në kolonat e refugjatëve kosovarë, njerëzit kanë qenë të dërmuar jo vetëm nga lodhja, por edhe nga torturat fizike dhe psikologjike gjatë rrugës. Kanë qenë të trishtuar nga dhuna e përjetuar, nga rrahjet, vrasjet, dhunimet dhe masakrimet; të poshtëruar nga talljet, sharjet dhe fyrjet, të frikësuar nga kërcënimet për vdekje, për pushkatim, për gjymtim; të tronditur nga lloj-lloj veprimesh mizore, kriminale, sadiste dhe çmendurake të militarëve dhe paramilitarëve serbë.

Pamjet e refugjatëve ukrainas po na përkujtojnë vuajtjet tona, gjendjen tonë fizike dhe shpirtërore të asaj kohe, por edhe po na bëjnë me dije se kur ke shtet, je pak më ndryshe edhe si refugjat. Ne atëherë kishim atdhe, por nuk kishim shtet. Ukrainasit sot kanë atdhe, por kanë edhe shtet. Ata po dalin sipas një planit të evakuimit të civilëve, veçanërisht grave dhe fëmijëve, të përcaktuar nga shteti, apo edhe sipas marrëveshjes së armëpushimit me agresorin;  a ne dilnim sipas ultimatumeve 10-15 minutëshe të dhëna nga okupatori dhe sipas planit të tij për pastrimin etnik.
Sikurse ne, edhe ata kanë një armik mizor, por sulmi mbi ta po bëhet nga distanca, për dallim prej neve që na bëhej para syve. Sikurse ne, edhe ata janë zemërthyer, të përlotur e të përvuajtur, por më pak të shqyer, të përbaltur, të sakatosur e të përgjakur siç ishim ne. Edhe ata po dalin këmbë, me vetura, me autobusë dhe me tren, por jo me traktorët e mbuluar me najlon e me goma të shfryera.
Prej pamjeve po vërehet se ukrainasit po dalin të veshur e të mbathur më mirë sesa ne, të ngarkuar me çanta e valixhe, e ndonjëri edhe me qen përdore a mace në krah. Ne dilnim duarthatë, të plaçkitur e të dërmuar nga rrahjet dhe torturat, e përveç pikëllimit për humbjen e më të dashurve, disa prej nesh, edhe të prekur nga një brengë e papërmendur më parë – brenga për kafshët e braktisura. Në hulumtimin “Kujtesa përballë harresës – 10 vjetori i eksodit kosovar”, të bërë së bashku me studentët e Departamentit të Sociologjisë, një respondent pat thënë: “Kurrë nuk e harroj qenin tim i cili erdhi deri te treni. Ne hipëm e ai na shikonte. Më dukej sikur po e tradhtojmë!”. Dhimbjet njerëzore janë të shumanshme, sikurse edhe dashuria, sikurse edhe kujtesa. Në luftë nuk vuajnë vetëm njerëzit.

Prej pamjeve televizive, po shohim se mijëra vullnetarë nga vende të ndryshme të botës, po i presin në kufi me veshmbathje, ushqime, lodra për fëmijë, shërbim interneti, strehim, madje edhe për oferta pune për ta. Para disa ditësh pamë se në kufi me Poloninë, kishte dalur edhe një pianist me piano, jo për t’i argëtuar, por për t’i nderuar ata. Edhe ne kemi qenë të mirëpritur kudo dhe jemi falenderues për këtë. Secili refugjat kosovar e mban mend mikpritjen që i është bërë kudo në botë. Megjithatë, ndoshta më mirë është të mos bëhen fare krahasime. Ka shumë gjëra që ndodhin e nuk i shohim. Vetëm ne dhe ukrainasit i dimë ato.
Mos i raftë kujt me i provu! Kohë tjera, rrethana tjera. Dallime të mëdha, ngjashmëri të mëdha. Çdo tragjedi i ka dhimbjet e veta, e në dhimbje të gjithë jemi të njëjtë. Në vullnetin, sikurse edhe në të drejtën për të qenë të lirë, të gjithë jemi të njëjtë.

Lavdi për Ukrainën! Lavdi për ukrainasit!

ObserverKult

__________

Lexo edhe:

SHEMSI KRASNIQI: FRIKA NGA AFRIKA, 1971