“Shën Mëria me lule”, një ndër ikonat e veçanta të familjes Zografi

Një ndër ikonat shumë të veçanta, pikturuar nga atelieja e Zografëve, në vitin 1745 është edhe “Shën Mëria me lule”.

Ikona i është dhuruar Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë, nga vetë brezat e mëvonshëm të familjes Zografi.

Muzeu ka publikuar një material, ku shkruhet se ikona është vendosur mbi një kornizë shumë të bukur, gdhendur në dru. Korniza është pjesë përbërëse e ikonës dhe jo pjesë që i bashkangjitet asaj.

“Korniza është gdhendur me motive natyrore, si: lule, gjethe, zogj e fruta të ndryshme. Në pjesën e sipërme, ajo përbëhet nga një zonë e vogël e ngushtë, e harkuar. Në të cilën paraqitet “Ati i Shenjtë” ndërmjet reve puplore, duke bekuar me të dyja duart.
Ikona, në pjesën kryesore të saj, paraqet Shën Mërinë të vendosur ndërmjet një kurore lulesh. Ajo është duke mbajtur në krah Krishtin, me veshje të dekoruara. Krishti është punuar në miniaturë, duke mbajtur në njërën dorë sferën e botës, kurse në dorën tjetër, mban skeptrin e shenjtë. Në kokë, mban kurorën mbretërore”, – thuhet në përshkrimin nga Muzeu Kombëtar u Artit Mesjetar në Korçë, publikuar me fotografinë e saj, në faqen zyrtare.

Një tipar i veçantë që vërehet është pikërisht fakti, që Shën Mëria mban një lule. Në përshkrim, shkruhet se lulja nënkupton pafajësinë e figurës së Shën Mërisë.

“Veshja ose hitoni i Shën Mërisë është i pasur me motive lulesh. Gjithashtu, bie në sy një mafor, që kopsitet në gjoks me një lule. Në pjesët anësore prezantohen dy kryeëngjëj, duke mbajtur në duar elitarë dhe skeptrin e shenjtë.
Tonalitet e kafenjta përshkrojnë fytyrat e personazheve në ikonë, megjithëse tiparet e tyre janë delikate, elegante dhe humane”, – vijon historia për ikonën, transmeton ‘konica.al.

LEXO EDHE: Shën Maria në Fron me Krishtin”, ikona e pikturuar nga Tërpo Zografi në 1787

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë është një vend mes modernes e të vjetrës, që, brenda mjedisit bashkohor, mban ende të gjallë frymën bizantine. I ndërtuar në vitin 1980 dhe rindërtuar në 2016, ai shtrihet përgjatë bulevardit “Fan Noli”. E vjetra dhe e reja, bashkëjetojnë në mënyrë të natyrshme mes harmonisë së ngjyrave.

Ky muze ruan më shumë se 7,000 vepra arti dhe objekte kulturore, kryesisht ikona, si edhe punime druri, guri, metali dhe tekstili, që dëshmojnë një histori të gjatë të ikonografisë shqiptare.