Sherif Merdani u dënua tri herë- vuajti 16 vjet, 1 muaj e 8 ditë burg

Sherif Merdani, u lind më 14.5.1940 në Korçë. Ai ishte këngëtar i njohur i fillimviteve ’70, të cilin diktatura komuniste e dënoi tre herë, duke i shkaktuar një vuajtje të egër prej 16 vjetësh, 1 muajsh dhe 8 ditësh. Sherifi vuajti dënimin në vitet 1973-1976 në Repartin nr.303 Spaç dhe në vitet 1983-1988 në Repartin nr.311 Qafë Bari. Babai i tij kish qenë i dënuar për arsye politike. Po ashtu edhe në fisin e tij kishte të dënuar për arsye politike. Në vitin 1967 mbaroi Fakultetin Histori-Filologji, dega histori-gjeografi në Universitetin e Tiranës. Më 1967-1969 dhe 1970-1973 përgjegjës muzike në shtëpinë e kulturës Librazhd. Më 1969-1970 arsimtar në Orenjë. Sherifi u nda nga jeta më 29.8.2021.

Dënimi i parë

U arrestua më 15.6.1973. U akuzua në bazë të nenit 73/1 për agjitacion e propagandë për të minuar dhe dobësuar pushtetin popullor. Bëhej përgjegjës për komentimin e vizitës së presidentit amerikan Nikson në Kinë, për krahasime të gjendjes së ekonomisë sonë me ato të SHBA-së, Italisë, etj. Muzinën dhe vendin tonë i ka konsideruar “një jetë me zhurmë”. Gjykata Popullore e Rrethit Librazhd, me vendimin nr.67, datë 2.10.1973, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet burgim.

Ridënimi, dënimi i dytë

Duke vuajtur dënimin në Repartin nr.303 Spaç, u arrestua dhe ridënua. U akuzua sërish në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal. Ishte shprehur se dënimet e dhëna për festivalin e 11 të këngës ishin të padrejta, se letërsia dhe arti ishin të imponuara, se kishte shpresa për konferencën e Helsinkit, etj. Gjykata Popullore e Rrethit Mirditë, me vendimin nr.12, datë 26.3.1976, e deklaroi fajtor dhe e dënoi dhe 10 vjet burgim. Në bashkim të dënimeve, iu dhanë 15 vjet. U lirua më 15.7.1989.

Dënimi i tretë

U arrestua më 27.2.1991. U akuzua në bazë të nenit 5 të dekretit nr.7408, datë 31.7.1990 dhe pikave 3 e 4 të dekretit nr.7459, datë 22.1.1991. Fjala ishte për pjesëmarrjen në rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës në Korçë më 20.2.1991. U gjykua së bashku me shtetasin Armando Rustemi. Gjykata e Rrethit Korçë, me vendimin nr.70, datë 7.3.1991, e deklaroi të pafajshëm dhe urdhëroi lirimin e menjëhershëm nga salla e gjyqit./kujto.al

——————

Lexo edhe:

I jepet lamtumira e fundit Sherif Merdanit, ja fjalët emocionuese të djalit të tij

ObserverKult